Sot 100 vjetë u vra Isa Boletini, njeriu më i rrezikshëm për interesat e ish Jugosllavisë

0

Më 1935 KOS, Qeveria e Mbretërisë Jugosllave dhe Klubi Kulturor serb në themelim do të bëjnë një rekapitullim lidhur me personalitet shqiptare, se cili ishte më i rrezikshmi për interesat e Jugosllavisë (lexo Serbisë). Në atë rekapitullim prej 764 faqesh (Uput za likvidaciju kaçaçkih bandi dhe Uput za likuidaciju alabnskih prvaka), del se Isa Boletini në dokumente gjatë viteve 1881-1916 apostrofohet jo më pak se 8012 herë si më i rrezikshmi. Në vendin e dytë, del se ishte për politikën pansllaviste më i rrezikshëm Hasan Prishtina, i clili përmendet në 7005 herë në dokumente. Pas tij vjen Bajram Curri me 5011 herë. Në vendin e katërt pozicionohen Azem Bejta dhe klerikët arbër: Fan Noli dhe At Fishta me apostrofime deri në 2000 herë e kështu me radhë. Në këtë tubim politiko rreligjioz, referojnë patriku Gavrillo, paolitikani J. Magovqeviq dhe juristi S. Jovanoviq n` emër të Klubit Kulturor serb. Tubimi mbahet më 28 VI 1935 në Beograd. Aty shënohet edhe kjo fjali e dalur nga goja e Vasa Qubrilloviqit dhe Patrikut Gavrillo Dozhiq se: “Shqiptarët do të na akuzojnë për dy gjëra: Një, që nuk i kemi deportuar në Anadoll. Dy, që nuk i kemi konvertuar në religjionin e origjinës , në ortodoksi”.

Pse u vra Isa Boletini?

Nga mija fakte që sjellin pansllavistët në Beograd shihet se përse ata mendonin se duhej vrarë Isa Boletini.

Ja çka thonë dokumentet e Beogradit:

  1. Isa Boletini duhej të likuidohet sepse gjatë viteve 1881-1892 i ka ndihmuar mbi 200000 muhaxherë të Sanxhakut të Nishit me ushqim dhe ndërtim shtëpish.
  2. Isa Boletini duhej të vritet sepse më 28 VI 1889 në Mitrovicë vritet një serb nga muhaxherët dhe valiu i Kosovës pastaj deklaron se: “Ju serbët jeni në besë të Isa Boletinit”.
  3. Isa Boletini duhej të vritet sepse më 26.VI.1890 në Prishtinë vritet konsulli serb nga një muhaxhir me urdhër të Isa Boletinit.
  4. Isa Boletini duhet të vritej sepse më 1897 në fshatin Strellc së bashku me Haxhi Zekën, e ftojnë parinë shqiptare që të rreshtohen politikisht kah Inglitera (Anglia) protestante. Ky rreshtim politik e solli parinë politike shqiptare deri te BESABESË e Pejës më 1899, ku Isa Boletini ishte një nga krerët kryesorë.
  5. Isa Boletini dënohet me vdekje sepse më 1899 në emër të tij janë vrarë 132 serbë nëpër tërë Vilajetin e Kosovës. Për këtë akuzë Shqiptarët akuzohen në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë. Qeveria Osmane e themelon një komision ku janë edhe dy popa serbë. Komisioni pas hulumtimit detal nëpër lokalitete, vjen në përfundim se e tërë akuza është e fabrikuar. Gjykata e Hagës pastaj e nxjerr përfundimin: 132 akuza-132 rrenë serbe.
  6. Isa Boletini dënohet me vdekje sepse më 1903 organizon vrasjen e konsullit rus në Mitrovicë (Shqerbinit).
  7. Isa Boletini akuzohej për vdekje sepse më 1908 do të angazhohej me financat e tij të shumta që të mbahet Kuvendi i Ferizajt dhe Kongresi i Manastirit, me moton se “Tash e tutje duhet të punojmë për Shqipni, duke e realizuar profecinë e ambasadorit të Ingliterës Goshen më 1880 në Stamboll kur thotë se: “Duhet të themelohet një Shqipëri, nga Selaniku e deri në Jeni Pazar”.
  8. Isa Boletini dënohej me vdekje sepse më 26 XII 1909 në Kullën historike të Hys Popovës vendos sipas kërkesës së Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës se në Vilajet duhet të fillojë Kryengritja: “Kur bjen dushku prej rremit” në stilin e Revolucionit Borgjez francez (14 korriku 1789 dhe Kamill Demullen). Siç dihet Kryengritja filloi në Kulinë në prill 1910 atëherë kur dushku i malit fillon të bjerë.
  9. Isa Boletini duhet të vritet, sepse në Shkup, në gusht 1912 ishte kundër Delegacionit të Fuqive Evropiane (rusi dhe austriaku) të cilët e stopuan marshimin e shqiptarëve me kërcënim: “Çfarëdo rezultati të ketë lufta e juaj ndryshim të kufijve të Perandorisë Osmane nuk ka”.
  10. Isa Boletini duhet të vritet sipas Beogradit, Peterburgut, Podgoricës dhe Parisit sepse më 18 tetor 1912 nga forcat e tij u likuidua një brigadë e Serbisë dhe 6 oficerë të lartë të fuqive evropiane si instruktor në Merdar të Llapit. Ai vend nga serbët edhe sot quhet “Prevar” , kinse shqiptarët kanë tradhtuar!!!
  11. Isa Boletini duhet të likuidohej sepse është përkrahës dhe krahu më i fortë me kreshnikët e tij për Ismail Qemalin me rastin e Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 XI 1912.
  12. Isa Boletinit nga serbët nuk i falej për kërcënimet që i bënë përfaqësuesit diplomatik serb Ballug-gjiçit në Milano në prill 1913 në prani të Gjon Marka Gjonit se: “Derisa të jam gjallë nuk do të pajtohem me okupimin e çdo pëllëmbe të tokave shqiptare”.
  13. Isa Boletini nuk i falet që me veshjen e tij, me deklarimet e tij ka bërë që të kuptohet kudo nëpër Evropë se deri ku shtrihen trojet e Shqipërisë duke thënë se “Nuk kam ardhë ta kërkojë Mitrovicën, por çdo pëllëmbë të tokave shqiptare të okupuara nga fqinjët”.
  14. Isa Boletini duhet të ndëshkohet me vdekje, sepse i ndikuar nga Hasan Prishtina, së bashku me Bajram Currin dhe Elez Isufin veprojnë publikisht me ndihmën e austriakëve që ta themelojnë Frontin e Dytë kundër Serbisë më 1915 në sektorin: Dibër-Tetovë-Shkup-Prizren-Pejë- Rozhajë.
  15. Isa Boletini duhet të likuidohet sipas politikës pansllaviste, sepse në mënyrë sistematike është skalitë nëpër gazeta në formë dhe pamje karikature: Duke i prerë me sharrë të gjithë ata pashallarë që e pengojnë themelimin e Shqipërisë autonome. Duke e prerë me sharrë princin serb Millan Obrenoviq që i spastroi viset e Sanxhakut të Nishit nga Shqiptarët, duke e prerë me sharrë Princin Nikollë Petroviq, sepse ia kishte aneksuar viset më të bikra bregdetare: Tivarin dhe Ulqinin: duke e prerë me sharrë Nikolla Pashiqin sepse e okupoi pjesën më të madhe të trojeve shqiptare, tërë Vilajetin e Kosovës dhe një pjesë të Vilajetit të Manastirit, duke e prerë me sharrë Valladan Gjorgjeviqin që bënte propagandë nëpër Evropë se “Shqiptarët kanë bisht”. Isa vizatohet duke u kërcënuar: “Me këtë kobure do ta ia vejë në ballë një vrimë Vlladanit dhe aty do t`ia nguli bishtin e tij të derrit”.

 

Si u vra Isa Boletini?

Në shtator të vitit 1914, Princi Vilhelm von Vied u detyrua të largohej nga Shqipëria. Isa Boletini me njerëzit e tij, si dhe Bajram Curri, pajtuan me qira dy anije italiane, të cilat i çuan drejt Shëngjinit. Pagesa ishte 150 napolona ar.

Pas kësaj, kosovarët të sfilitur nga ethet malarike dhe nga lufta e gjatë, bëjnë një përpjekje gati titanike për t’u kthyer në vendet e tyre, por u penguan nga trupat malazeze që ndihmoheshin edhe nga Ceno bej Kryeziu. Kosova ndërkohë kishte rënë nën pushtimin serbo-malazez. Për një periudhë të gjatë Boletini dhe njerëzit e tij u endën nëpër malet e Veriut mes Kosovës, Hasit dhe Pukës, duke i shpëtuar pritave që u ngrinin armiqtë. Në fund të 1915-s mbërrin në Shkodër. Ishte bashkë me tre djemtë e tij, dy nipa dhe 100 luftëtarë besnikë. Shkodra e asaj kohe i ngjante një rrëmuje të vërtetë. Këtu përziheshin bashkë ushtarë të huaj, disa malësorë që ishin gënjyer nga Mali i Zi, esadistë, ish-ministra të Vidit, aventurierë lloj-lloj. Në këtë kohë, Isai dergjet i sëmurë në hotel “Parruca”.

Pak ditë më vonë ushtria malazeze shtiu në dorë Shkodrën. Me këtë rast, Knjaz Nikolla fali të gjithë ata persona që kishin luftuar me armë kundër tij, vetëm se krerët duhej të internoheshin në Podgoricë. Aqif Pashë Elbasani, Prenk Bibë Doda, Hilë Mosi e të tjerë pësuan këtë fat. Mes tyre ishte edhe Isa Boletini, me 40 njerëz nga të tijtë, por këta fillimisht i vendosën në Nikshiç e më pas në Danillovgrad. Një përpjekje e francezëve për ta nxjerrë nga Shkodra kishte përfunduar pa rezultat.

Në janar të 1916-s, ushtritë austro-hungareze po depërtonin në territorin malazez. Më 20 janar 1916 malazezët vendosin të transferojnë kosovarët në Podgoricë. Ndërsa austro-hungarezët avanconin, tri ditë më vonë do të ndodhte tragjedia. Më poshtë po citojmë kujtimet e Tafil Boletinit, nip i Isait, i vetmi i shpëtuar nga masakra:

“…Ndërkohë kasneci lajmëronte: Pushtet ma s’ka, gjithkushi nëpër shpija. Ushtria austriake asht hi në qytet. Gjandarmëria po mban qetësinë deri në dorëzim. Ajo detyrë i ishte ngarkue major Savo Llazareviç me dy batalione gjandarë. Ky kriminel i njoftun, po me këta gjandarë që quheshin ‘krillash’ (me krah), ka pasë me tmerrue me masakrime e vrasje, djegie, plaçkitje e me çdo lloj torturash barbare rrethet e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, terror që shumë breza s’kanë me e harrue dhe historia kurrë. Këtë xhelat populli i atyne anëve e njef me emrin Savë Batarja, që e kishte fitue tue ba batare…

Të gjitha kryqet e rrugëve Savo i kishte xanë me patrulla të forta. Me nja 80 gjandarë kishte zanë pusi në të dy anët e urës së Ribnicës jo larg kishës katolike e karshi prefekturës… në ato moment mbërrin axha, po tue qenë ura në bërryl të rrugës nuk shifesh gja deri sa ka hip në urë. Me të hypë axha Isë në urë jepet shenji: Qe ky asht vetë Isa Boletini! Dhe prapa e nxanë urën. Kështu axha me Jonuzin me shokë rrethohen në hallkë. Oficeri komandues me za të naltë komandon: Predajte oruzhje! (Dorëzoni armët!). Axha Isa: Jo besa, kurrë s’ia kam dorëzue as mbretit, as kralit! Nagantin e mbante para dhetçes.

E para pushkë nga malazezët ka qenë e Pero Buriçit nga Vasoviçi. Në flakë të ksaj axha Isa me shokë iu bijnë atyne përqark. Edhe Jonuzi ka pasë dy revolverë, nagant e dhetçe. Krejt i kanë zbrazë, ndonëse të rrëzuem prej plumbave deri sa iu ka ra edhe me bomba dore. Çuni i axhës Isa, Halili, përveç revolverit iu ka ra edhe me bomëbn që ia pat marrë Niko gjandarit…

Mbrenda pak minutave tragjedia mbaroi. U vra Isa vetë i tetë:

  1. Isa Boletini, vjeç 51.
  2. Halili, i biri, vjeç 24.
  3. Seidi, i biri, vjeç 18, student në Vjenë.
  4. Jonuzi, nipi, vjeç 26.
  5. Halili, nipi, vjeç 24.
  6. Hajdar Selim Radisheva, kunat i axhës dhe dhandërr, vjeç 30.
  7. Idris Bislimi, nipi i Hajdarit, vjeç 18.
  8. Misin Niman Bala nga Isniqi, kushëri, vjeç 26.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here