Jose Mourinho i kishte thënë Paul Pogbës se ai nuk ishte i përshtatshëm për t’u bërë kapiten i Manchester Unitedit, por këtë deklaratë e ka kundërshtuar Ole Gunnar Solskjaer, i cili e sheh francezin si lider të ekipit.

Prishja e marrëdhënieve mes Mourinhos dhe Paul Pogbës do të kujtohet si simbol për periudhën që portugezi e drejtoi Manchester Unitedin. Mourinho kishte thënë se francezi mund të jetë zemra e këtij klubit për dekadën e ardhshme, kur ai u kthye në Old Trafford në vitin 2016. Por, nuk kaloi shumë kohë dhe marrëdhëniet e tyre filluan të prishën. Sapo ndodhi incidenti i parë, problemet mes tyre nuk kishin të ndalur, përcjell Gazeta Express.

Problemet kishin filluar sezonin e kaluar, kur Pogba nuk u zgjodh në formacionin e parë për ndeshjen kundër Tottenhamit, të cilët e humbën me rezultat 2-0. Mourinho i mohoi spekulimet se kishte tension mes atyre të dyve, por Pogba thuhet se ishte tronditur nga ky vendim dhe ai mbeti në bankë edhe për ndeshjen kundër Sevillës në Ligën e Kampionëve, kur “Djajtë e kuq” u eliminuan.

Situata u përkeqësua edhe më shumë  kur Pep Guardiola bëri të ditur se në prill agjenti i Pogbës, Mino Raiola, ia kishte ofruar francezin gjatë afatit kalimtar të kaluar. Pogba u kthye nga turneu i Kupës së Botës me Francës, mirëpo paraqitjet e tij në Rusi u harruan shpejt pasi që filluan përsëri zënkat me Mourinhon.

Pogbës iu ndalua ta mbante shiritin e kapitenit nga Mourinho në shtator, pasi ai i kishte kritikuar taktikat e përdorura nga Mourinho në ndeshjet në Old Trafford. Më vonë, përveç shiritit të kapitenit, Pogba e humbi edhe vendin e tij në formacionin e parë, duke startuar në vetëm tri nga tetë ndeshjet e fundit. Për më tepër, ai nuk luajti fare në ndeshjen kundër Liverpoolit.

Zënkat mes Mourinhos dhe Pogbës ishin kontribuuesit më të mëdhenj në atmosferën e keqe që mbizotëronte në klub, pasi që kjo dëshmonte se Mourinho nuk dinte si ta shfrytëzonte aftësinë e lojtarit më të shtrenjtë të tij. Pogba kishte shkëlqyer në Juventus, mirëpo paraqitjet e tij në Manchester United sugjerojnë se ai nuk përshtatej me stilin e Mourinhos.

Por, Pogba i është kthyer formës së tij të mirë që kur Solskjaer u emërua në pozitën e trajnerit. Në shtatë ndeshjet e zhvilluara që nga atëherë, Pogba ka qenë ylli i skuadrës, duke kontribuar më shumë në shtatë ndeshje sesa në të gjithë pjesën tjetër të sezonit nën Mourinhon.

“Patjetër, ai është pretendent për shiritin e kapitenit sepse e njoh atë që kur ishte i vogël dhe ai është një lider i vërtetë. Ai ka karakter të fortë, ndikon te njerëzit përreth tij dhe ju e keni parë edhe nga videot e publikuara nga Franca se atij i intereson shumë puna ekipore dhe dëshiron të jetë i suksesshëm”, ka thënë Solskjaer.

“Ai e di se nuk mund të bëjë gjithçka i vetëm. Futbolli është sport ekipor dhe ai është një personalitet i madh, që sjell shumë gjëra të mira në fushë kur është duke e shijuar lojën. Ai është në dashuri me futbollin, kjo është e qartë”.

“Kur edhe paraqitjet e tij janë të mira, atëherë këto të dyja bëhen bashkë dhe bëhet e qartë se ai është një lider i mirë. Ju mund ta keni parë se sa e rëndësishme ishte për të ta fitonte titullin e Kupës së Botës me Francës. Kështu që për mua, po, ai është i përshtatshëm për ta mbajtur shiritin e kapitenit”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here