Sociologia Entela Binjaku kundër dhunës në shkolla, kërkon që Ministria e Arsimit ta trajnojë trupën pedagogjike

0

Sociologia e njohur shqiptare Entela Binjaku është shprehur kundër dhunës ndaj nxënësve në shkolla. Sipas saj, dhuna është e patolerueshme në procesin e edukimit dhe të mirërritjes. “Ajo është shkaktare e përjetimeve fizike e psiko-emocionale që dëmtojnë fëmijën, që lënë gjurmë të thella në psikën e tij e që reflektohen gjatë jetës si individ i rritur me shfaqje të pasigurive tek vetja, të mungesës së komfortit psiko-social, me  ulje të dëshirës për të mësuar, me shenja  të revoltave  së brendshme etj”, ka thënë Binjaku në një intervistë për portalin Online.

Javën e kaluar pamë një video, ku një mësuese ushtronte dhunë ndaj një nxenesi. Çfarë mund të thuhet  për një dukuri të tillë, nga këndvështrimi sociologjik i çështjes?

Ajo video me të cilën u njoh mbarë opinion shoqëror falë mjeteve të komunikimit masiv, ilustroi vizualisht një situatë jo të panjohur për shoqërinë tonë. Herë për shkak të përvojave vetjake të jetuara në fëmijëri në këto mjedise, herë për shkak të përvojave të të tjerëve në po të njëjtën fazë të jetës, shoqëria shqiptare e ka ditur që “në shkollë edhe ndonjë shpullë mund ta marrësh”. Falë procesit të shoqërizimit kjo mendësi është përcjellë në breza, por ka hasur në rezistën e mendësisë së re, të krijuar në kushtet e reja shoqërore, ku për një proces edukimi bashkëkohor dhuna është rreptësisht e përjashtuar. Në këtë rast videoja dëshmoi praninë e saj, faktin se ne ende nuk e kemi larguar si metodë “edukimi” ndëshkimin fizik, tregoi po ashtu përdorimin e telefonave në orën e mësimit. Rasti konkret është dëshmi  e shkeljes së etikës profesionale  dhe të komunikimit nga ana e mësueses që nënkupton shkeljen e parimit të përkushtimit ndaj nxënësit dhe parimit  të  përkushtimit ndaj profesionit. Për këtë ka nevojë të merret masa disiplinore ashtu siç e parashikon ligji. Fakti që edhe prindi i atij fëmije dëshmoi në media se i kishte dhënë mësuesue  “aprovimin” për këtë veprim,  e rëndon më shumë situatën sepse  kjo tregon  që agjencitë e shoqërizimit ku kalon një fëmijë,  si ajo parësore, ashtu dhe ajo dytësore  pranojnë aplikimin e dhunës si “formë edukimi”, duke na dhënë ne sinjalin se këto  agjenci janë disfunksionale. Diku ato çalojnë në përmbushjen e funksioneve të tyre.

Si ndikon dhuna te nxënësit?

Dhuna është e patolerueshme në procesin e edukimit dhe të mirërritjes. Ajo është shkaktare e përjetimeve fizike e psiko-emocionale që dëmtojnë fëmijën, që lënë gjurmë të thella në psikën e tij e që reflektohen gjatë jetës si individ i rritur me shfaqje të pasigurive tek vetja, të mungesës së komfortit psiko-social, me  ulje të dëshirës për të mësuar, me shenja  të revoltave  së brendshme etj.

A është e shprehur kjo dukuri në të gjitha hapësirat e vendit apo nuk bëhët fjalë për “një hartë”?

Nuk mendoj se mund të ndërtohet një hartë për këtë dukuri. Sepse ajo ose do të linte jashtë pjesë fare të vogla të vendit ose do të përfshinte sipërfaqe të mëdha.  Kjo sepse ajo nuk ka një dimension gjeografik, por ka një dimension të psikës sociale që e përfshin gjithë shoqërinë. Thjesht ky rast e shpërfaqi diku në një zonë të Malësisë së Madhe, por ajo lirisht mund të rregjistrohej kudo edhe në skajin tjetër të vendit. Kjo nuk nënkupton se shkolla shqiptare është e dhunshme, pro kjo tregon se mikromjediset tona karakterizohen nga tensioni emocional ku më i pambrojturi është lehtësisht  target, ashtu siç tregon se dhuna në këto mikromjedise “mund të jetë zgjidhje”. Ky rast duhet të na nxisë të analizojmë tablonë  e zhvillimit të këtyre mikromjediseve. Ajo mësuese është ndoshta në pikën më të errët të karrierës së saj profesionale, por askush nuk është munduar të dijë se si punon ajo, a ishte një rast episodik apo ishte një praktikë e vazhdueshme. Cila ka qenë gjendja e saj emocionale? Po psikologu i shkollës ku gjendej? Prindi  tregoi se edhe ai ka dështuar në funksionin prindëror edukues dhe mbështetës emocional. Por asnjë nuk është konsultuar me atë prind se çfarë e ka vështirësuar kaq shumë detyrën e tij prindërore sa të aprovojë këtë sjellje me fëmijën e tij.  Ne nuk kemi në vendin tonë qendra në komunitet ku të depistohen ato familje që kanë nevojë për këshillim në raportin me fëmijët. Nuk kemi as në qëndrat e mëdha urbane, nuk i kemi pasur asnjëherë në këto 25 vjet.

Cili është standardi i trajtimit të nxënësve ne BE, bashkesi ku shtetet tona, thonë se e kanë synim që të integrohen?

Standardi i trajtimit të nxënësve duhet të mbështetet në  ligjin themeltar të shtetit, pra në Kushtetutë dhe në Konventat Evropiane të të Drejtave të Fëmijëve. Këto janë dokumentat kryesorë ku janë angazhuar  për zbatim shtetet tona për t’u përafruar me standardet e BE-së. Dhe këto parimisht janë udhërrrëfyesit.  Por ajo që na ndan ne  nga ato standarde,  është aspekti cilësor i përmbushjes së tyre, ndërgjegjësimi shoqëror se shkolla, ashtu si familja  duhet të jetë një mjedis i dashur për nxënësit, se në rast të shkeljes së këtyre parimeve ndëshkohesh dhe duhet të presësh reagim. Megjithatë ky rast për të cilin flasim ishte dhe një formë për të treguar se në rast të shkeljes së etikës profesionale ligji të ndëshkon, por edhe shoqëria reagon ashpër.

Çfarë duhet të bëjë Qeveria, përkatësisht Ministria e Arsimit kundrejt dhunës në shkolla?

Ministria e Arsimit si institucioni qëndror dhe më i lartë  i arsimit ka për detyrë falë mekanizmave që ka krijuar të përzgjedhë ata mësues të cilët e kanë bindje parimin e përkushtimit ndaj profesionit dhe nxënësit; ajo si një institucion qëndror duhet të jetë zëri i nevojave  të mësuesve në mënyrë që ata të kryejnë me përgjegjësi dhe devotshmëri  angazhimin e marrë përsipër. Ky institucion duhet të  të punojë në drejtim të trajnimeve të vazhdueshme, brenda dhe jashtë vendit  të trupës pedagogjike  shqiptare për t’i përditësuar ata me zhvillimet e fushës së pedagogjisë ku njohja e veçantive psikologjike të fëmijës është parësore për mbarëvajtejn e raportit mësues-nxënës. E mbi të gjitha ky institucion duhet të përcjellë tek mësuesit atë mesazh që Ajnshtajni ka lënë: “se arti suprem i mësuesve është të ngjallë gëzim në orën e mësimit, të nxisë krijimtarinë e fëmijëve dhe të shtojë njohuritë.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here