Smajl Elezaj reagon:”Nuk i kuptoj motivet e deklaratës së Daut Haradinajt”

0
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Smajl Elezaj, ka reaguar ndaj deklaratës së Daut Haradinajt.
Reagimi i plotë i Smajl Elezajt:
U çudita tepër nga deklarata e dhënë për mua, nga ish-komandanti i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, z. Daut Haradinaj, në emisionin “Info Magazine” më 30 mars 2015. Vlen të ceket se asgjë personale nuk kemi pasur me z. Haradinaj, kështu që nuk e di se çfarë janë motivet e një deklarimi të tillë. Edhe pse shumë shokë më këshilluan të hesht, nuk mundem pa e bërë një reagim të shkurtër rreth aktivitetit tim politik dhe ushtarak.
Aktiviteti im fillon që në moshën rinore, në mesin e viteve ’80-ta, kur gjatë vizitave që i bëja në Zvicër, fillova të kem kontakte me organizatën politike Lëvizja Popullore e Kosovës. Si i ri dhe entuziast, mora pjesë në sjelljen e literaturës kombëtare dhe revistave që botonte kjo organizatë, së bashku me shokun Ylber Lipaj. Në vitin 1986 edhe formalisht u bëra anëtar i LPK-së. Më pas, pasi kreva shërbimin ushtarak (1987-88), isha organizator i demonstratave në Pejë gjatë viteve 1989-90, përderisa mu pamundësua qëndrimi në Kosovë nga organet e atëhershme të UDB-së në Pejë dhe u detyrova të largohem për në Zvicër.
Ndërkohë kisha angazhuar edhe katër vëllezërit e mi në shërbim të çështjes kombëtare, Ganiun, Nazmiun, Aliun dhe Hajrushin.
Gjatë kohës së qëndrimit në Zvicër isha anëtar i devotshëm i LPK-së, si dhe kohë pas kohe edhe në detyra të ndryshme që më caktoheshin nga Lëvizja. Në vitet 1991-1994 shërbeva si sekretar në Këshillin Popullor të Cyrihut që udhëhiqej nga Sabit Veseli.
Aktivitetet në Lëvizje i vazhdova edhe në Gjermani, ku u largova në vitin 1994. Aty isha anëtar i Kryesisë të Këshillit Popullor në Stuttgart, e prej janarit 1997 deri në maj 1998, kryetar i Këshillit Popullor të LPK-së në Ludvisburg. Gjithashtu, isha një nga përgjegjësit e LPK-së për Republikën e Baden-Vyrtenbergut, së bashku me shokët Hasan Ukëhaxhaj, Bedri Islami, Ismet Badallaj dhe Begzat Gashi. Pasi qëndroja mirë materialisht, duke punuar punë të ndryshme, arrita të siguroj armatim, të cilin e përcjella për në Kosovë, ku një pjesë mbeti në familje dhe një pjesë i shpërndamë tek shokët e tjerë të lëvizjes në Kosovë, siç ishin Faton Mehmetaj dhe Binak Dinaj. Vlen të ceket se armët e para i kam blerë që me rrogën e parë, në vitin 1991 në Cyrih. Si pasojë, të gjithë vëllezërit, ende kemi fletarrestim nga Serbia, ku përshkruhemi si “Vëllezërit Elezaj”.
Në vitin 1996, për shkak të lëndimeve në kurriz të shkaktuara nga maltretimet e rrahjet nga milicia serbe në Pejë, detyrohem që ilegalisht të kaloj në Gjermani vëllanë, Nazmiun, me ndihmën e shokut të Lëvizjes, Abdyl Mushkolaj. Nazmiu vazhdoi edhe më tutje aktivitetin në Fondin Vendlindja Thërret.
Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së që u mbajt në maj 1998, u përgatita për të shkuar në Kosovë, ku arrita në Shqipëri në fillim të qershorit 1998. Gjatë qershorit së bashku me shokët e tjerë, ku e veçoj Skënder Çekun, filluam përgatitjet për futjen në Kosovë dhe kryem veprimtari logjistike sipas udhëzimeve të SHP të UÇK-së, me ç’rast u vendosëm në Tropojë, ku përgjegjës ishte Xhabir Zharku. Aty bënim shpërndarjen e armëve për mijëra ushtarë të UÇK-së.
Në fillim të korrikut 1998 arritëm në Loxhë, ku edhe ishim pjesëmarrës në Betejën e Parë të Loxhës. Përderisa vëllai Ganiu ishte me mua, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, dy vëllezërit e tjerë, Aliu dhe Hajrushi, ishin ende në shtëpi në Radac, të përballur tërë kohën me represionin e milicisë së Serbisë, me theks të veçantë Stacionit Policor në Ozdrim.
Pas dy betejave të Loxhës, vëllai im, Ganiu, mbeti aty, ndërsa unë vazhdova për në Radac, ku organizova njësitin në fshat, ku u angazhuan edhe vëllezërit e mi, Aliu e Hajrushi, si dhe kushërinj e bashkëfshatarë të tjerë. Isha në kontakte të vazhdueshme me SHP të UÇK-së si dhe me ZO të Dukagjinit përmes eprorit të Komandës së Zonës, z. Emrush Xhemajli.
Rrjeti i organizimit shtrihej nga Radaci e deri në Istog, që ishte bërthamë e mëvonshme për Brigadën 133 “Adrian Krasniqi”. Vlen të ceken Ismet Bici, Ramadan Dreshaj, Ramiz Kabashi, Januz Januzaj, Ylber Lipa, Naim Gjura, Besnik Shala, Lundrim Camaj e shumë të tjerë. Që të gjithë ne kishim njësitet nëpër fshatra, që përbënin rajonin e Podgurit.
Pas plagosjes së vëllait, Ganiut dhe rënies së Skënder Çekut në Loxhë, e tërhoqa vëllanë në Radac, sepse ishte më i sigurt me njësitin tonë dhe u mundova të gjej ndihmë mjekësore për të. Ndërkohë, përveç aktiviteteve të shumta në rajonin e Podgurit, ishim nikoqirë të grupit prej 500 ushtarësh që udhëhiqej nga Rrahman Rama, ish-komandant i ZO të Shalës, ku organizuam përcjelljen e tyre si dhe të armatimit që kishin sjellë nga Shqipëria deri në kufijtë e përgjegjësisë tonë.
Në tetor 1998, me urdhër të SHP të UÇK-së (Azem Sylës dhe Xhavit Halitit), për shkak se Ganiut i përkeqësohej gjendja shëndetësore, largohem për në Shqipëri e më pas në Gjermani për trajtimin e tij mjekësor.
Në diasporë vazhdova aktivitetet e Lëvizjes në kuadër të Fondit Vendlindja Thërret deri në kohën e Konferencës së Rambujesë, ku u ftova nga delegacioni i UÇK-së. Me përpikëri kam kryer të gjitha detyrat që kam pasur gjatë Rambujesë dhe Parisit, e pas përfundimit të konferencës, me udhëzim të SHP të UÇK-së dhe në koordinim të përhershëm me Azem Sylën, Xhavit Halitin dhe Nasim Haradinaj, u vendosa në Shqipëri dhe fillova përgatitjen e njësitit, për të vazhduar me luftën në Kosovë.
Pas stërvitjeve në Mullet prej 7-23 prill 1999 u vendosëm në Papaj, në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, ku isha epror i njësitit me 50 ushtarë. Aty dhe shërbyem deri në përfundim të luftës. Në ndërkohë, vëllezërit Aliu dhe Hajrushi ishin të angazhuar në Brigadën 133 “Adrian Krasniqi”, ku Aliu plagoset rëndë, ndërsa Hajrushi bie heroikisht dëshmor më 27 maj 1999.
Si përfundim, të 5 vëllezërit kemi qenë të angazhuar aktivisht në çështjen kombëtare dhe në luftën çlirimtare: Hajrush Elezaj, dëshmor i kombit, Gani e Ali Elezaj, invalidë të luftës, unë Smajl Elezaj, epror i UÇK-së, komandant njësiti (korrik-tetor 1998 dhe prill-qershor 1999) si dhe Nazmi Elezaj, veprimtar i Fondit Vendlindja Thërret.
Për shkak se reagimi është shumë i shkurtër dhe pa detaje, shfrytëzoj rastin t’i falënderoj qindra bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë me të cilët punova e veprova dhe të cilët janë dëshmitarë të gjallë të aktivitetit tim.
Këto që i përmenda në vija të trasha, janë të njohura shumë mirë për ish-komandantin e ZO të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ku vlen të ceket për fund, se si me të ashtu edhe me të vëllanë, Dautin, kemi marrëdhënie shumë miqësore.
(Autori është kryetar (u.d.) i OVL të UÇK-së. Mendimet e shprehura në këtë sqarim janë personale)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here