Skenari i opozitës, më 12 mars do të bllokohet Parlamenti

0

Një ditë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëroi krerët e mazhorancës, Edi Ramën dhe Ilir Metën, se tashmë ka nisur numërimi mbrapsht i qeverisjes së vendit nga socialistët, në selinë blu kanë nisur të thuren dhe skenarët e parë të protestës së lajmëruar të demokratëve që do të mbahet të enjten në sheshin “Skënderbej”. Opozita do të mbledhë më 12 mars jo vetëm qytetarët e zhgënjyer, por edhe anëtarësinë e saj, ku pavarësisht se thuhet që motivi i protestës është papunësia dhe keqqeverisja, ajo kërkon “kokën” e Ilir Metës. Dhe sipas të dhënave të para, pritet që protesta e demokratëve të jetë radikale sa i përket organizimit, pasi synohet të pengohet hyrja e Kryetarit të Kuvendit në godinën e Parlamentit, ku flitet se protestuesit do të rrethojnë të gjithë pjesën hyrëse në këtë institucion. Gjithashtu, flitet se protestuesit mund të bllokojnë Parlamentin, duke i ‘çliruar’ deputetët në sallën e seancave vetëm në momentin kur kryeparlamentari Ilir Meta, të japë dorëheqjen. Deklaratat e forta të javës së kaluar të deputetit socialist, Tom Doshi, se kryeparlamentari Ilir Meta ka porositur vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat, Mhill Fufi, shtynë opozitën të kërkojë zyrtarisht dorëheqjen e Metës, ku përveç Kuvendit, opozita është parapërgatitur që do ta detyrojë përmes protestave popullore, Ilir Metën, që të dorëhiqet nga posti që mban, të paktën derisa të zbardhet nga prokuroria e vërteta e kësaj ngjarjeje. Ndërkaq, mësohet se ende nuk ka një vendim përfundimtar, që t’i jetë njoftuar bazës gjatë këtyre ditëve për mënyrën se si do të organizohet kjo protestë, por tashmë qarkullojnë idetë e para për skenarin e marshimit që do të nisë në sheshin “Skënderbej” dhe do të përmbyllet në sheshin “Nënë Tereza”, aty ku prej disa ditësh gjenden të ngujuar në grevë urie studentët. Sa i përket organizimit të protestës, gjatë këtij itinerari, duke qenë se protesta përkon me ditën kur mblidhet dhe Parlamenti, demokratët nga i gjithë vendi drejtuar nga deputetët e zonave të tyre do të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kuvendit të Shqipërisë.  Në këtë mënyrë, synohet që protestuesit të vendosen në pjesën hyrëse të Kuvendit, nga ku do të kërkohet dorëheqja e Ilir Metës. Gjithashtu, flitet për një skenar që mund ta bllokojë Ilir Metën, brenda në Kuvend, pasi protestuesit mund të mos lirojnë rrugët dalëse dhe hyrëse, deri në momentin që kryeparlamentari Ilir Meta, të japë dorëheqjen. Gjatë kohës që protestuesit do të jenë jashtë Kuvendit, një pjesë e deputetëve demokratë do të futen në sallë, për t’i përcjellë kryeparlamentarit thirrjet dhe mesazhet e qytetarëve. Partia Demokratike, prej ditës kur ish-deputeti socialist, Tom Doshi, akuzoi kreun e Parlamentit se kishte porositur një atentat ndaj tij, kërkon dorëheqjen e Ilir Metës. Për këtë qëllim përveç deklaratave publike, por dhe nismës ligjore për mocion mosbesimi, opozita shqiptare pa të udhës dhe protestat popullore.

SMS e Bashës

Përpos reklamave nëpër televizione ku bëhet apel nëpërmjet videos së Doshit për të protestuar më 12 mars, kryedemokrati Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh nëpërmjet telefonit të gjithë anëtarësisë. “Të dashur miq, shqiptarët kërcënohen çdo ditë nga krimi dhe pasiguria. Papunësia rritet, çmimet e faturat e papërballueshme shtohen; padrejtësia e arroganca e qeverisë thellohet; dhuna dhe poshtërimi i të afërmeve tanë po ndodh kudo. T’i tregojmë më 12 mars Metës dhe Ramës çdo të thotë të tradhtosh popullin, të bëhesh koka e krimit që terrorizon vendin. Shqiptarët me ne demokratët në krye do ta ndalin të keqen. Të enjten në ora 11:00 te sheshi ‘Skënderbej’”, shkruan Basha në mesazhin e tij dërguar te telefonat e anëtarëve dhe mbështetësve.

Protesta e të rinjve

Të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së nuk kanë duruar deri të enjten, për të protestuar kundër mazhorancës dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta, pasi ata janë mbledhur dy herë gjatë ditës së djeshme para hyrjes së Kryesisë së Kuvendit, duke i paraprirë kështu protestës të së enjtes të partisë së tyre. Të rinjtë e PD-së fillimisht do të mblidheshin fillimisht rreth orës 10:30 në një protestë para Kryesisë së Kuvendit duke i kërkuar Metës të largohet nga detyra, pas akuzave që ka bërë deputeti Tom Doshi se  ai kishte porositur vrasjen e tij. Protesta e anëtarëve të Forumit Rinor të PD-së ka zgjatur rreth 30 minuta dhe më pas të rinjtë u drejtuan nga selia blu, ku zhvilluan një takim dhe me kryetarin Lulzim Basha. Por duket se në këtë takim, ata kanë marrë dhe direktivat e reja, ku iu është kërkuar që të mblidheshin sërish pasdite, për të zhvilluar miniprotestën e dytë brenda ditës së djeshme.

Shqip

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here