Skandali në jetimore, pendohet kujdestarja, por gjykata e lë në burg

0

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Edvana Sulaj, kujdestaren, e cila akuzohet se ka dhunuar fëmijët në jetimore. Kujdestarja 40-vjeçare akuzohet për dhunë të ushtruar ndaj të miturve të shtëpisë së fëmijës 3-6 vjeç. Mësohet zyrtarisht se për arsye hetimi, seanca ndaj kujdestares Sulja është zhvilluar me dyer të mbyllura. Sulaj nuk ka mohuar asnjë prej akuzave, duke shtuar se kjo ishte hera e parë që ndodhte një ngjarje e tillë. Para trupës gjyqësore, kujdestarja ka deklaruar se kurrë më parë nuk ka vënë dorë mbi fëmijët jetim. Prokurori i çështjes ka kërkuar vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit, atë të arrestit me burg për kryerjen e veprave penale të “Keqtrajtimit të të miturit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Nga ana tjetër mbrojtja dhe i dyshuari kërkuan vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë më të lehtë nga gjykata, lirim me kusht ose detyrim paraqitje. Pavarësisht deklaratave dhe pretendimeve të kujdestares Sulaj, gjykatësit e kanë vlerësuar të ligjshëm ndalimin e saj dhe kanë caktuar ndaj saj masën e sigurimit arrest më burg. Kujdestarja Edvana Sulaj ishte pjesë e një skandali të publikuar 4 ditë më parë, ku shihej duke keqtrajtuar në mënyrë çnjerëzore të miturit. Menjëherë pas kësaj, ministri i Mirëqenies Sociale ka shkarkuar tre kujdestarët. Gjithashtu ai ka urdhëruar që të nisin kontrollet në të gjitha institucionet e përkujdesit social në vend. Pas skandalit, ministri Klosi ka shkarkuar edhe drejtoreshën Anjeza Gjeluci dhe ka marrë vendimin që të bëhet testimi 1-vjeçar për kujdestarët, para se të fitojnë të drejtën e punësimit. Fëmijët e Jetimores së Shkodrës janë dhunuar në mënyrë çnjerëzore dhe barbare nga kujdestarët e tyre. Një video e publikuar në media ka zbuluar skandalin, ku fëmijët e mitur keqtrajtohen nga persona të cilët paguhen për t’i shërbyer dhe për t’i mbrojtur. Në imazhe duken kujdestarët që qëllojnë vogëlushët e pambrojtur me shpulla apo shqelma, ndërsa nuk ndërhyjnë teksa rrëzohen. Pas braktisjes nga prindërit, fëmijët e mitur ishin strehuar në këtë jetimore, e cila administrohet nga shteti, ndërsa merr edhe donacione nga individë apo biznese private. Por, shtetarët, në vend që të kujdeseshin, i torturonin, ndërsa skandali mund të marrë përmasa më të mëdha pas pyetjes së fëmijëve nga organet e drejtësisë. Madje, në video shihej një prej kujdestareve, Edvana Sulaj, e cila ulet në prehrin e dy të miturve dhe pavarësisht thirrjeve të të vegjëlve, ajo nuk ngrihet. Ajo çka vihet re në video është tmerri që përjetojnë të vegjlit nga kjo kujdestare, e cila pavarësisht thirrjeve “të lutna çohu”, vazhdon me mizorinë e saj. Ajo qëndron në prehrin e vogëlushit pesëvjeçar, madje me të gjithë peshën, ndërkohë fëmijët e tjerë, mes lotëve i luten të ngrihet. Ndonëse bëhet fjalë për fëmijë deri në gjashtë vjeç, kujdestarja Edvana Sulaj as që do t’ia dijë për vuajtjet e jetimëve. Por nuk mbaron me kaq, pasi në një tjetër moment, ajo shihet duke goditur me shkelm një tjetër fëmijë. I mituri qëndronte i strukur në një prej shkallëve të jetimores, ku ishin të gjithë fëmijët së bashku me kujdestarët e tyre. Në një moment, kujdestarja e godet me shkelma disa herë, ndërsa i mituri përpiqet që të mbrohet duke ngritur duart lart, në shenjë lutjeje që ajo të ndalonte. Të gjitha lutjet e tyre binin në vesh të shurdhër, pasi Sulaj as që donte t’ia dinte.

 

Klosi: Gjendja në qendrat e përkujdesit ka degraduar, duhet reformim

Skandali i Jetimores së Shkodrës u bë objekt diskutimi edhe në Parlament, midis ministri Blendi Klosi dhe deputetes Albana Vokshi. Ministri i Mirëqenies, Blendi Klosi, ka pohuar se gjendja në qendrat e përkujdesit social në Shkodër ka degraduar dhe nevojitet një reformë e thellë për të ndryshuar situatën. Ai akuzoi opozitën si përgjegjësen kryesore të kësaj situate shqetësuese që është sot. “Projekti që ne po miratojmë sot është një mundësi më shumë për të gjithë ata që duan të ecet përpara në këtë drejtim. Mendova se do të kishit një lloj frike dhe ndrojtje për të ngritur historitë që ndodhën në Shkodër: vrasjen e dy turistëve çekë dhe atë që ndodhi në jetimore. Ne morëm masa për të tre edukatoret që ishin të përfshira në video. Dje isha vetë atje dhe bëra disa takime dhe nesër (sot) kemi takim me të gjithë punonjësit socialë në të gjithë vendin për të përcaktuar disa kritere për menaxhimin dhe funksionimin e punës në këto institucione”, – deklaroi ministri Klosi. Nga ana tjetër, deputetja Albana Vokshi iu kundërpërgjigj duke e akuzuar se po mbron drejtoreshën e shkarkuar të jetimores. “Më zhgënjyese ishte përgjigjja juaj për ngjarjen e Shkodrës. Nuk e prisja që ju të mbronit drejtoreshën, sepse fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për bukë dhe ujë, por përveç këtyre kanë nevojë edhe për gjëra të tjera. Shkodra gjithmonë ka votuar djathtas dhe ju dy ngjarjet e fundit që ndodhën u munduat t’ia hidhnit fajin qeverisë së kaluar. Por përpiquni që ngjarje të tilla t’i ndaloni të ndodhin përsëri në të ardhmen”, nënvizoi Vokshi.

Shqip

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here