Sindikalistët thonë se drejtori gjeneral i RTK-së i ka 10 këshilltarë me nga 1 mijë euro pagë

0

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media të Kuvendit të Republikës së Kosovës komisioni ka takuar përfaqësuesit e Sindikatës së RTK-së, Fadil Hoxhaj dhe Arsim Halili, të përjashtuar nga puna në RTK, si dhe tre anëtarë të tjerë të Kryesisë së kësaj sindikate që vazhdojnë të punojnë në Radiotelevizionin Publik.
Sindikalistët e RTK-se kanë deklaruar se menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së nuk i përmbushin obligimet ligjore. Ata kanë ngritur shqetësimet e tyre për rekrutimin e punëtorëve në RTK. ” Gjendja në RTK është degraduese, e shprehur sidomos në 3-4 vitet e fundit, si nga aspekti financiar ashtu edhe në atë të transparencës”, janë shprehur sindikalistët e RTK-së. “RTK-ja është e zhytur në borxhe duke bërë lidhjen e kontratave që janë në kundërshtim me procedurat e prokurimit, dhe nga borxhet e RTK-së pasojat do t’i vuajnë punëtoret,” janë shprehur ata. “Duke bërë lidhjen e kontratave me producentë të pavarur thirren në emër të dispozitave të ligjit në fuqi, sipas se cilave dispozita RTK-ja mund të lidh kontrata nga 15%, por jo me shume se 20%. Për këto parregullsi njësia e krimeve ekonomike ka filluar hetimet”, kanë pohuar ata.
Duke pohuar se 60% e buxhetit te RTK-se ndahet për paga dhe mëditje, sindikalistët kanë specifikuar se drejtori gjeneral i ka 10 këshilltarë me nga një mije euro pagë mujore dhe se nga mbi 900 të punësuar, sa ka RTK-ja aktualisht, 340 prej tyre anë janë punësuar në 18 muajtë e fundit.
Ata janë ankuar se Komisioni disiplinor merret vetëm me punëtorët të cilët janë pjesëtarë të sindikatës së RTK-se dhe se drejtori menaxhues i RTK-së është anëtar i komisionit disiplinor në shkallë te parë dhe të dytë. Vendimet e menaxhmentit të RTK-se për përjashtimin e punëtoreve nga puna, ndërkaq, e kanë quajtur kërcenim edhe për punëtoret e tjerë.
Kryetari i Komisionit, Zenun Pajaziti, u ka sugjeruar sindikalistëve të RTK-së që t’i adresojnë çështjet që bien në përgjegjësinë e sindikatës dhe të mos i tejkalojnë kompetencat e tyre. Ai ka pohuar se për çështjet që po diskutohen Komisioni do të informohet në takimin e radhës që do të ketë me Bordin e RTK-së, kur edhe do të ftohen për të raportuar për Raportin vjetor të RTK-së.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here