Sikur të jetoja në një qytet të tillë

0

KLODIANA KAPO

Ana është tetë vjeçe dhe jeton në një fshat të Fierit. E ëma, prej disa vitesh, nuk jeton më. Asaj i duhet të kujdeset për të motrën e cila është tre vjeçe. Por Ana duhet të mbajë pastër shtëpinë, të gatuajë dhe të kujdeset edhe për të motrën. Babai është i papunë dhe më së shumti nuk është i pranishëm në shtëpi. Në shkollë, mësueset përpiqen ta ndihmojnë, por kjo është shumë pak për të lehtësuar barrën e madhe që i duhet të mbajë mbi supe kjo vajzë. Nëse në këtë zonë do të kishte një kopsht, Ana do të ishte shumë e lumtur për motrën e saj. Nëse do të kishte një qendër komunitare ku ajo dhe motra të hanin drekën dhe të kishin mundësi të mësonin, por edhe të argëtoheshin, Ana mbase nuk do të harronte të buzëqeshte, Dhe nëse në qendrën shëndetësore do të kishte mjek dhe infermier në çdo kohë, ajo nuk do të shqetësohej aq shumë kur sëmuren. Por Ana është një ndër qindra mijë fëmijë të cilët përpiqen të mbijetojnë me gjithfarë munden në këtë vend ku shërbimet për fëmijët janë gati inekzistente. Studimi i INSTAT tregoi se në të gjithë vendin janë identifikuar 54 mijë fëmijë të cilët detyrohen të punojnë në forma të ndryshme dhe një pjesë e madhe e tyre shfrytëzohen për lypje apo dhe trafikim. Por mungesa e shërbimeve ndihet edhe më shumë për fëmijët, të cilët për shkaqe të ndryshme shëndetësore nuk mund të lëvizin pa ndihmën e një karrigeje. Blerta është një prej tyre. Ajo jeton në fshatin Drithas të Vlorës dhe nuk mund të ecë pa ndihmën e një karrigeje me rrota. Pak ditë para përfundimit të zgjedhjeve, ajo përmes një letre i drejtohet kryetarit të Bashkisë së Vlorës, që ta ndihmojë që ajo dhe shumë fëmijë në gjendjen e saj të kenë mundësi të lëvizin në qytet, por edhe të shkojnë në shkollë. “Sot e kam të pamundur të lëviz e vetme, pasi nuk ka rrugë dhe në pjesën më të madhe të shkollave nuk është parashikuar lëvizja me karrige me rrota. Nuk ka transport të përshtatshëm për mua, ndaj të lutem zoti kryetar, mos na harroni kur të filloni detyrën tuaj të re!”

Pas pak ditësh do të marrë fund beteja mes kandidatëve të pushtetit vendor, të cilët do të jenë përgjegjësit konkretë edhe për përmirësimin e jetës së këtyre qytetarëve shqiptarë, por kryesisht të banorëve më të rinj, fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve, që përbëjnë rreth një të katërtën e vendit. Ndryshe nga shumë vite më parë, kandidatët e të gjitha kaheve na kanë treguar dhe kanë premtuar se jo vetëm i dinë mirë të gjitha problemet dhe mungesat që lidhen me fëmijët dhe të rinjtë, por kanë premtuar se do të angazhohen seriozisht për zgjidhjen e tyre. Luka është një djalë 11-vjeçar, i cili jeton në qytetin e Tiranës. Ai kërkon të ketë më shumë hapësira për të luajtur, por edhe për të zhvilluar aktivitete sportive. Në letrën që ai i drejton kryetarit të bashkisë, i kujton se në vendin ku ai po rritet nuk ka një kopsht zoologjik dhe në lagjen e tij nuk ka asnjë hapësirë të lirë, ku ai mund të luajë me shokët.

Observatori për të Drejtat e Fëmijëve ka përpiluar një listë të gjatë të këtyre premtimeve, të cilat, të renditura në këtë formë nuk kanë sesi të mos na bëjnë të ndihemi plot shpresë dhe krenarë. Kandidatët kanë premtuar se gjatë mandatit të tyre do të punojnë për ngritjen e qendrave komunitare për fëmijët, do të ketë shërbime alternative për parandalimin e institucionalizimit të fëmijëve, programe të posaçme në mbrojtje dhe kujdesje të fëmijëve të rrugës, strehim dhe punësim të fëmijëve jetimë, krijimi i zonave argëtuese për fëmijët, përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës së çerdheve, kopshteve dhe shkollave. Në lagjet ku jetojnë romët do të ndërhyhet që ata të kenë ujë të pijshëm, dhe t’u krijohet mundësi reale që të gjithë fëmijët romë të ndjekin sistemin parashkollor dhe të përfshihen më tepër në aktivitete sociale. Por në një shtëpi ku mungojnë shumë gjëra, dhe ku ekonomia është në gjendje të vështirë, na tingëllon e vështirë dhe pse e pabesueshme, që çdo gjë të rinovohet e çdo send të vihet në vendin e vet. Edhe pse fëmijët meritojnë shumë më tepër dhe të gjithë ne do të ndiheshim shumë më të qetë e më të paqtë nëse fëmijët tanë rriten në çerdhe të ngrohta me ushqim cilësor, në shkolla ku numri i nxënësve është normal dhe mësueset e meritojnë ta kenë këtë status, në qendra shëndetësore ku nuk mungojnë medikamentet dhe stafi është i trajnuar, apo të kalojnë kohën e lirë në parqe të mbushur me pemë. Do të donim vërtet që kjo të ndodhte e që në rrugët e lokalet e Tiranës të mos shfaqen në çdo çast fëmijë që lypin e shesin, pasi vetëm kështu mund të shuajnë urinë. Do të donim vërtet të besonim, që këto premtime do të realizoheshin edhe nëse shumëkush do të na akuzonte se po tregohemi tepër naivë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here