Si u kryen tri vrasjet e djeshme në Tiranë dhe kush ishin të vrarët?

0

Forcat e shumta të policisë që bllokuan akset kryesore të kryeqytetit gjatë ditës së djeshme duket se nuk e parandaluan dot ngjarjen e rëndë, që përfundoi me 3 të vrarë. Tre persona janë qëlluar me armë rreth orës 18 e 40 përballë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Bulevardin “Zogu i I” në kryeqytet. Dy prej viktimave Gerti Goxhaj, 33 vjeç dhe Besnik Sulku, 34 vjeç kanë ndërruar jetë menjëherë pas shkëmbimit të zjarrit, ndërsa Mentor Lufi, 39 vjeç, ka humbur jetën në spital.

Burime nga policia thonë se ngjarja duket se ka si motiv hakmarrjen. Paraprakisht mësohet se tre viktimat, me origjinë nga Lura, janë persona me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje. Nga shkëmbimi i zjarrit mësohet se ka mbetur i plagosur edhe shtetasi italian Salvatore Letticia, i cili kishte lidhje me viktimën Besnik Sulkun. Salvatore Letticia nga Napoli, 34 vjeç, është me precedentë të mëparshëm kriminalë për trafik armësh e lëndësh narkotike. Ai mendohet se është vrasës me pagesë pasi policia i ka gjetur një foto të viktimës Mentor Lufi.

Dinamika e ngjarjes

39-vjeçari Mentor Lufi ka qenë duke pirë kafe me Gerti Goxhajn, ndërsa nipat e tij Markeljan dhe Klevis Doçi bënin roje jashtë lokalit. Kjo, pasi Mentor Lufi kishte konflikte të hapura dhe në dhjetor të vitit të kaluar ishte plagosur në një atentat. Mentor Lufi (Doçi) i mbijetoi një atentati pranë stadiumit “Dinamo” në dhjetor tek lokali “Dante”. 39vjeçari Lufi ka dalë nga kafja dhe është futur në makinën tip “BMË” që drejtohej nga Goxhajn. Në momentin kur kanë qenë në lëvizje, ata janë qëlluar nga Besnik Sulku i cili po ecte në këmbë përkrah makinës. Kundër Mentor Lufit mendohet se ka qëlluar edhe shtetasi italian Salvatore Letticia.

Të shtënat janë zhvendosur edhe në ambientet e oborrit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Më pas dy nipat e Lufit, Markeljani dhe Klevisi, për të marrë hakun e Mentor Lufit kanë vrarë 34-vjeçarin Sulku. Shtetasi italian që mendohet se shoqëronte Besnik Sulkun, është përplasur me automjet nga një prej nipave të Lufit, në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Ai u fsheh në një hotel në afërsi të vendngjarjes duke u përpjekur të fshihte provat e krimit, ku u kap nga policia pak minuta më vonë. Vetëm pak minuta pas përplasjes me armë, policia ka arrestuar rreth 50 metra larg vendit të ngjarjes Markeljan Doçi dhe Klevis Doçin nipat e Mentor Lufit, si autorë të kësaj ngjarjeje. Në momentin e arrestimit Markelian Doçi Mbante në dorë armën e krimit tip pistoletë.

Policia ka mundur të sekuestrojë një armë automatike dhe dy pistoleta, që mendohet se janë përdorur në këtë shkëmbim zjarri. Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe drejtues të tjerë të uniformave blu. Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur punën hetimore, duke marrë në pyetje edhe personat, të cilët kanë qenë aty pranë kur ka ndodhur ngjarja, për të çuar në zbardhjen e identitetit të individëve të përfshirë. Policia ka mundur të arrestojë brenda katër minutave pas ngjarjes 3 autorët e dyshuar si autorë të vrasjeve, 2 nipat e Mentor Lufit. Po ashtu ka shoqëruar edhe 30 persona të tjerë, të cilët mendohet se kanë dijeni për ngjarjen.

Mes tyre edhe Markelian Doçi, nipi i Mentor Lufit, i akuzuar nga policia si një prej autorëve, pasi dyshohet se gjatë shkëmbimit të zjarrit ai ka qëlluar dhe ka lënë të vdekur shtetasin Besnik Sulku. Edhe shtetasi italian është aktualisht i ndaluar nga policia dhe po merret në pyetje për ngjarjen. Nuk ka ende detaje mbi identitetin e të arrestuarve të tjerë. Ato nuk janë bërë publike për momentin për shkak të hetimit. Prishja e pazarit të drogës mes këtij grupi kriminal, sipas të dhënave paraprake, mësohet të jetë shkaku i masakrës. Fakti që vrasja ndodhi në një kohë kur në bulevard kishte shumë lëvizje shokoi kryeqytetin.

Vendi i vrasjes është në mes të Tiranës, në bulevardin kryesor, mes maternitetit dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Në momentin e shkëmbimit të zjarrit në rrugë ka pasur shumë kalimtarë, por fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është lënduar. Dje në Tiranë ka pasur në rrugë të paktën 1300 forca policie, si dhe oficerë të shërbimeve të ndryshme, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme që kjo ngjarje të parandalohej. Të paktën 5 persona të armatosur kanë shëtitur me automjetet “BMË” dhe foristradë “Touareg” në kryeqytet gjatë ditës së djeshme dhe askush nuk i ka ndalur.

Kush janë tre viktimat

Të tre personat, sipas Policisë së Shtetit, janë me precedentë penalë dhe madje disa herë janë bërë subjekt i lajmeve të kronikës së zezë.

Besnik Sulku rezulton si person me precedentë penalë, i implikuar në trafikun e drogës. Një i afërm i tij është vrarë në Roterdam, Holandë dhe sipas medieve atje, vrasja kishte të bënte me trafikun e drogës.

Gerti Goxhaj më 20 mars të 2012- ës është kapur me një sasi lënde narkotike në Kukës, në bashkëpunim me 5 persona të tjerë. Ata janë ndaluar në pikën kufitare të Morinës, me një sasi 198 pako lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Në atë kohë, 33-vjeçarit Goxha iu sekuestrua edhe një armë zjarri tip pistoletë.

Mentor Lufi ka një vendim penal nga Gjykatat e Dibrës për kanosje dhe armëmbajtje pa leje. Më 20 dhjetor 2014, Mentor Lufit i është bërë një atentat dhe është plagosur me 2 plumba në zonën e “Komunës së Parisit” në lokalin “Dante”, pranë stadiumit “Dinamo”. /Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here