Si mund të bashkëjetojë demokracia dhe injoranca?

0

ARLIND GASHI

Reagimet ndaj fenomeneve të shumta sociale në shoqërinë tonë, tregojnë se pjesët e errëta të së kaluarës, ende kanë një lidhje organike të fuqishme me të sotmen dhe ndoshta kjo është një pjesë e fatkeqësisë së madhe, që ka pllakosur dhe përjetojmë me stres të fuqishëm çdo ditë dhe çdo orë. Çështja e analizës së sistemit është çështje e seriozitetit shkencor kundër idiomave dhe vulgarizimit duke deformuar realitetin dhe ngjarjet historike në kohë. E reja përherë ndjen vështirësinë e depërtimit, sikundër nuk është e lehtë të shmangen koncepet e idetë e vjetra. Ato rezistojnë me të njëjtën përpjekje. Të dy alternativat i nënshtrohen periudhave kalimtare të ndryshimit nga një ide tek tjetra. Kjo e bën individin të « presë ». Do të duhet kohë të arrihet ndryshimi i thelbit të sistemit shoqëror që jetojmë. Në Shqipëri jemi larg realizimit të dëshirës mbi përfundimin e periudhës kalimtare në fushën e psikologjisë. Besojmë se ky do të jetë aspekti i fundit i pranimit të ndryshimit. Por gjithesesi, do te pranojme qe, edhe pse jane pjese sociale e shoqerise, demokracia nuk mund te bashkejetoje me injorancen, sepse ato nuk jane pjese e njera tjetres. Ideja dominante në shoqërinë tonë, lidhet me dëshirën e pamatë drejt ndryshimit dhe orientimit të saj, duke u nisur nga dukuritë më thelbësore të stimulimit të progresit, por dhe të sulmit frontal ndaj regresit, për të cilat njeriu shqiptar (pjesa e inteligjencies së tij) do të gjejë njohjen dhe institucionalizimin e nevojës jetësore, për të riformuar institucionet dhe të zotërojë artin e drejtimit të tyre, duke arritur në këtë mënyrë, të shmangë pasojat e dukshme e të padukshme, të dëmshme të periudhës kalimtare, duke afruar mundësitë e barabarta për të gjithë, në kushtet e konkurrencës së hapur e të ndershme të resurseve që disponon kombi brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të ndryshojmë sjelljen ne demokraci, sepse ai eshte sistemi i konkurrences dhe shanseve te barabarta. Mendimet, trajtesat mbi ndikimin e sociologjisë dhe psikologjisë në këndvështrime të ndryshme të dukurive më të spikatura të një shoqërie në zhvillim, në kushtet kur strukturat e saj janë në reformim, ndihet përgjegjësia e një debati të hapur në fushën e ndryshimit. Kjo fushë – disiplinë është e lidhur me procese të thella reformimi dikton që herë pas here, t’i kthehemi studimit të përvojave të reja, pasi ndikimi i periudhës që kemi lënë pas, është ende i mjaftueshëm për t’u vlerësuar si një stad rezistence, që herë pas here aktivizohet dhe reagon përballë kërkesave për ndryshim. Është lehtë për t’u kuptuar që nuk ka ndonjë zbulim të ri mbi idetë dhe teoritë e perëndimit liberal – demokratik. Kjo na detyron që shpesh të kthehemi “në kopjues të këqinj”, duke simuluar në mënyrë të pajustifikuar konfliktualitetin antikap e pse jo dhe gjenetik. Opinioni sot ndodhet përballë “kurthit psikologjik” në veprim, ndaj të cilit duhet bërë kujdes. Venitja e efekteve të këtij kurthi duke ja lenë vendin rritjes së personalitetit dhe pavarësisë së individit, strukturave të shtetit dhe shoqërisë, të njeriut të lirë në sistemin e demokracisë, konkurues dhe vetveprues, larg tutelës politike dhe ndikimeve ideologjike, drejt konkurencës dhe suksesit, drejt hapësirave të mjedisit përftues intelektual, ndoshta mund të jetë rrugëzgjidhja më e mirë. Ka ardhur koha t’i dërrmojmë spekulantët e mendimit në lidhje me figurën dhe thelbin e përmbajtjes të të qenit njeri i lirë. Krejt ndryshe vepron aftësia për të gjykuar, kur në skenë rishfaqen mendjendriturit. Injoranca profesionale e justifikuar nga besueshmëria politike dhe e kultivuar nga neopotizmi, vrau qysh në fillesën e saj aftësinë për të kultivuar raporte të drejta në fushën e edukimit, formimit psikologjik, të të drejtave brenda “standardit të demokracisë popullore”, në mënyrë që me objektivitet njeriu socialist të arrinte të dallonte objektivat parësore jetësorë dhe me krahasueshmërinë ndaj tyre të vlerësonte realisht mundësitë, oportunitetet e munguara krejtësisht, zgjidhjet organike si dhe vlerat, kontributet e domosdoshme të “njeriut të ri”, si subjekt politik, ideologjik, etiko moral dhe profesional. Në këto rrethana shpesh individi mbetej përballë dilemës shkatërruese. Paqësisht kishte ndodhur ekuacioni i distancës së vetëdijes me aftësinë “…për të menduar”, i nënrenditur padrejtësisht me plus për rezultatin e specifikës së arsyetimit “për të gjykuar”. Ky mbtej një aspekt i mbyllur. Mosdija dhe mosnjohja e kishin të pëlqyeshëm paragjykimin. Cila rrugë duhej zgjedhur? Përfitimi dhe vuajtja ishin të karakterit shpirtëror, se sa ligjor, pjesë e gjendjes psikologjike të sistemit të gjykuar sipas tij në raportet individ shoqëri. Brenda këtij sistemi kishte pengesa serioze kundër nismës, egoizmit të individit apo daljes jashtë kornizave të platformës sociale ideologjike. Në rrjedhën e efekteve të psikologjisë së ndryshimit, njerëzit e mençur të shoqërisë do të dijnë ta orientojnë atë drejt hapësirave të një shoqërie të hapur, drejt vlerave të integrimit. Sipas fizio – biologjisë të gjithë njerëzit mbi tokë lindin njësoj dhe kur vjen fundi ata nuk mbeten të përjetshëm në hapësirat e saj. Në rritjen e tyre natyrore dhe proçeset e formimit të personalitetit mbi bazën e përvojave të arrira, janë institucionet ato që realizojnë ndryshimin e tyre. Institucione në nivelin e kategorive filozofike, si edukimi, morali, etika, profesioni, mjedisi psiko – social, familja, akademizmi etj, janë elementë thelbësor të psikologjisë së ndryshimit, të mbështetura në institucionin e ideve të reja të shoqërisë në ndryshim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here