Si i masakroi babai të bijat në Tiranë?

0

Kthehet krimi në familje dhe një vajzë vetëm 17-vjeçe humb jetën për shkak të agresionit të të atit të alkoolizuar. E jo vetëm kaq; ai ka sulmuar me thikë edhe vajzën tjetër e cila gjendet në gjendje të rëndë në spital, ndërsa gjithçka ka ndodhur brenda ambienteve të një shtëpie, që ka ndarë gjykata mes prindërve të ndarë, që mjerisht kanë lindur jo pak, por 6 fëmijë. Krimi i rëndë dhe i paprecedent, ndodh në Laprakë, në afërsi të Spitalit Ushtarak, ndërsa bëhet me dije se sulmi i babait-vrasës ka ndodhur në momentin kur ishte në shtëpi edhe nëna e dy vajzave.

Gjithçka ka ndodhur në pak minuta, ndërsa vajzat kanë ndërhyrë të shpëtojnë njëra-tjetrën. Agresori-vrasës i së bijës ka pretenduar orë më vonë në polici se qëlloi mbi vajzat e tij pasi nuk e respektonin sa duhet, ndërsa pjestarët e tjerë kanë kaluar në gjendje shoku. Elidona Ibraj, 17 vjeçe, ka ndërruar jetë në spital, ndërsa motra e saj, 19 vjeçe, Esenada, është në gjendje të rëndë. Kujtim Ibraj është arrestuar, ndërsa policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e krimit të rëndë.

Kujtim Ibraj, 57 vjeç, me origjinë nga Puka, i cili ka banuar disa vite në Laç, mësohet se ka ardhur dhe është vendosur prej disa vitesh në Tiranë. Ai rezulton të jetë babai i 6 fëmijëve, i dy djemve dhe i katër vajzave ndërsa bëhet me dije se është i divorcuar prej disa vitesh me nënën e fëmijëve të vet, Lutfijen. Mirëpo, sipas të dhënave të policisë, bëhet me dije se gjykata kishte vendosur që fëmijët të rrinin me të ëmën, për shkak se rezultonte që Kujtimi ishte gjithnjë nën efektet e alkoolit. Edhe pse të ndarë ai të jetonte nën të njëjtën çati me pjesën tjetër të familjes. Duke qenë se fëmijët gjithnjë e më shumë i shmangeshin pasi ai ishte i dhunshëm, autori i krimit të rëndë ka nisur të kofliktohet me to. Sipas të dhënave, të dy vajzat e sulmuara dje, ku fatkeqësisht njëra nuk mundi tu mbijetonte plagëve, ishin të fejuara.

Burri i dehur, ditën e djeshme, pasi ka ardhur në shtëpi ka nisur të konfliktohet me të bijat duke i ofenduar ato. Sherri ka vijuar gjatë ndërsa vajzat nga frika kanë mbyllur dyert dhe janë futur në dhomën e tyre. Sipas policisë, Kujtim Ibraj, fillimisht ka marrë një kallashnikov dhe ka shkuar të vrasë të gjithë familjen, por për fat, nuk i ka shkrehur. Në atë moment vajzat kanë dalë nga dhoma e tyre nga frika se mos do të qëllonte nënën dhe djalin e vogël që gjendej në shtëpi. Atëherë burri ka rrëmbyer një thikë buke dhe ka sulmuar vajzën e madhe, Esenadën.

Elidona ka ndërhyrë për të bërë të mundur shpëtimin e motrës por ajo ka marrë edhe plagën më të rëndë. Kanë mbërritur fqinjët dhe burri është larguar në dhomën e tij bashkë me thikën. Vajzat janë dërguar në spital ku Elidona, 17 vjeçe, nuk mundi të mbijetonte, ndërsa vajza tjetër gjendet në spital me plagë të rënda thike dhe plagën e madhe të humbjes përgjithmonë të motrës më të vogël që ndërhyri t`i shpëtonte jetën.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here