Si i dënua studenti nga Lezha që harroi çantën në lulishte

0

Ishte koha kur Tirana ziente nga shpërthimet me tritol, në të katër anët e saj. Po edhe nëse nuk shpërtheheshin, në muajt e parë të këtij viti, ishte e pamundur që policia të mos deklaronte çdo ditë akte të vendndodhjes së kallëpeve me tritol, të vendosura nëpër objekte të ndryshme. Po në atë kohë, sigurisht që vëmendja e njerëzve u bë më e madhe, ndërsa çdo objekt i dyshimtë raportohej në polici. Ashtu ndodhi edhe mëngjesin e 7 marsit, ndonëse vendi ishte në një gjysmë feste, për orë me radhë paniku përfshiu gjithë kryeqytetin.

Një telefonatë në polici kishte lajmëruar për një çantë të dyshimtë, e lënë në një stol te lulishtja e Tajvanit, në qendër të Tiranës. Policia rrethoi zonën dhe ekspertët e xhenios kryen shpërthimin e kontrolluar. Objekti u dërgua në polici, por i zoti i çantës nuk u gjet. Në çantë lexohej mbishkrimi “Mos prek” me shkronja kapitale, ndërsa rezultoi të ishte e një të riu nga Lezha, student. Quhej Bruno Pllumbi dhe rezultoi të ishte banor i Ishullit. Djali pasi mbaroi provimin që kishte në fakultet, kthehet të marrë çantën dhe nuk e gjen. Shkon vetë në polici në kërkim të çantës, ndërsa rreth 7 orë më vonë kryhet arresti në kushtet e flagrancës.

Studenti i pandehur ka dëshmuar gjithçka, e bashkë me të edhe gjithë pjesëtarët e familjes e shoqëria; janë mbajtur disa procesverbale, është mbajtur nën masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa prokuroria ka kërkuar për të 6 muaj heqje lirie. Gjykata ka zbardhur vendimin për studentin e Gjeo-informatikës, i cili sot është i lirë falë gjykimit t të shkurtuar, pendesës, moshës tepër të re, të qenurit i bindur ndaj asaj çfarë i ka thënë prokurori, gjykata, dhe elementët e tjerë të sistemit të drejtësisë që janë kujdesur të kopsisin dosjen ndaj çantës me tasa gjelle dhe libra shkolle të lënë në stolat e lulishtes. Çanta, me sa merret vesh nga ky vendim i Gjykatës, i duhej ta merrte me vete, se pas provimit i duhej të kthehej sërish në Lezhë me autobus, për të mësuar për provimin e radhës…

Dëshmia e të pandehurit    

“I pandehuri ka shpjeguar se rreth orës 11:30 të datës 07.03.2015 është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr.3, Tiranë, ku ka deklaruar se është student në vitin e dytë Gjeo-informatikë në Fakultetin e Gjeologji Minierave. Ai ka shpjeguar se më 07.03.2015 rreth orës 07:00 ka dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë dhe për të dhënë provimin në lëndën e Hartografisë të cilin e kishte në orën 08:00 dhe pedagogu i lëndës ishte Gafurr Muka. Rrugën nga shtëpia deri tek lokali “Taiwan” në qendër të Qytetit e ka bërë në këmbë, vetëm dhe me vete kishte dhe një çantë shpine me ngjyrë blu të erret, me disa vija me ngjyrë, me një rrip krah qaf e me dy mbajtëse dore. Në brendësi të çantës kishte dy tasa bosh prej materiali plastik të tejdukshëm njeri me kapak blu dhe tjetri kapak lejla, të cilët shërbejnë për të mbajtur ushqim, një libër të fotokopjuar të lëndës së Kristolografisë për të cilën nuk është shumë i sigurt, dy izolante dhe një qese me ca rroba.

Këto sende ai i kishte futur në çantë me qëllimin e vetëm që pasi të mbaronte provimin të ikte direkt për në Lezhë. Te lokali “Taiwan”, ai ka mbërritur rreth orës 07:40, është futur në ambientet e lulishtes së “Taiwanit” dhe është afruar pranë një stoli për të lënë çantën e shpinës, pasi i jepte bezdi po ta merrte me vete në sallën e provimit. E ka vendosur atë sipër stolit, ka nxjerrë një copë letër dhe ka shkruar me germa kapitale “MOS E PREK” duke e vendosur letrën mbi një fletore sipër çantës. Më pas ai është larguar për në shkollë për të dhënë provimin, të cilin e ka mbaruar rreth orës 10:00. Kur është kthyer tek vendi ku kishte lënë çantën, ai ka parë se ajo nuk ndodhej më aty. Një person i panjohur që po shiste aty pranë i pyetur prej tij, e ka vënë në dijeni se çantën që ndodhej aty kishte shkuar dhe e kishte marrë Policia. I pandehuri ka shkuar vete te Drejtoria e Policisë së Qarkut, Tiranë dhe aty e orientuan që të shkonte në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë”.

Gjykata

“I pyetur për arsyen se përse e kishte lënë çantën tek stolat e lulishtes, i pandehuri ka shpjeguar se në provim nuk lejohej të merreshin sende të tjera me vete dhe duke qenë se do të ndihej në siklet, vendosi ta linte atë tek stolat pasi nuk njihte njeri tjetër se kujt t`ia linte.  Ai ka shpjeguar se jeton në Tiranë, në një shtëpi me qira që ndodhet diku pranë ‘Pallatit me Shigjeta’, me dy vëllezërit e tij të quajtur Korado Pllumbi dhe Marjo Pllumbi, si dhe një shok të quajtur Eduart Herceku i cili është me origjinë nga Lezha. Vëllai i tij, Korado Pllumbi punon kamerier tek lokali “Sky II”, Marjo Pllumbi punon roje sigurie tek “TEG-u”, kurse Eduarti është student në Tiranë, në fakultetin e Shkencave të Natyrës, në vitin e dytë master. I pyetur në hetim për vendqëndrimin e tij gjatë javës së fundit, nën shoqërinë e cilëve persona dhe për vendet që ka frekuentuar, i pandehuri ka shpjeguar se ka qenë në Lezhë duke studiuar pasi është me sezon provimesh dhe se në Tiranë ishte kthyer me datë 06.03.2015 rreth orës 17:00 duke udhëtuar nga Lezha me autobus”.

Arsyetimi i dënimit me 6 muaj burg për studentin lezhjan

“Nga ana objektive, veprimet aktive të kundërligjshme, të kryera nga i pandehuri Bruno Pllumbi konsistojnë në përhapjen e një njoftimi të rremë me shkrim duke ngjallur panik e pasiguri tek njerëzit. Ky veprim i te pandehurit, vendosja e letrës pranë kësaj çante me mbishkrimin e tij “Mos e prek”, në një kohë që kjo çantë në brendësi të saj realisht nuk ka patur sende te kundërligjshme apo të rrezikshme, ka përhapur një informacion të rreme duke krijuar dyshime se brenda saj mund të kishte lëndë plasëse apo të rrezikshme dhe rrjedhimisht ka krijuar një situatë ankthi te njerëzit. Është evidente nga rrethanat e çështjes, që i pandehuri objektivisht ka patur mundësi ta merrte me vete, ta linte kudo në vende të tjera çantën, në ruajtje dhe jo ta linte në mes të një sheshi publik, mbi një stol duke krijuar panik dhe njoftim të rremë mbi idenë se diçka të rrezikshme kishte në çantë që nuk duhej të prekej.

Nga ana subjektive, këto veprime janë kryer nga i pandehuri Bruno Pllumbi me faj në formën e dashjes direkte, me qëllimin e posaçëm për të ngjallur një gjendje pasigurie e paniku në komunitetin e njerëzve të zonës ku është kryer veprimi kriminal. Fajësia e të pandehurit Bruno Pllumbi, në kryerjen e veprës penale provohet tërësisht me të gjitha provat e sipërcituara të administruara në seancë gjyqësore nga Gjykata, veçanërisht me procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, të datës 07.03.2015, dy procesverbalet e sekuestrimit të sendeve, të datës 07.03.2015, aktin e ekspertimit grafik të shkrimit, datë 12.03.2015, të kryer nga eksperti kriminalist pranë Policisë së Shtetit,s i dhe është pranuar e pohuar ky fakt edhe nga vetë i pandehuri në hetim e gjykim”./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here