Shumë vrasje, për asgjë

0

LUELA MYFTARI

Ai vrau veten. Pasi vrau gruan.

Kjo është një histori e zakonshme shqiptare. Madje për disa ditë do të harrohet. Një herë një miku im gazetar shkruante: “Një i ri është vetëvrarë mbrëmjen e sotme në kryeqytet. Pas troditjes vrau edhe të dashurën”. Për shumë nga ne është thjesht një lajm që duhet përcjellë menjëherë, madje mund edhe ta përcjellësh me ndonjë gabim të vockël, si më lart.

Vetëm fëmijët nuk do të mund ta harrojnë. Nuk do të harrojnë historinë dhe vështirë të pozicionohen duke ia përsëritur vetes këtë ngjarje pa dy këndvështrime. Të gjithë i urrejmë apo bëjmë sikur i urrejmë vrasësit. Po nëse ai është babai yt?

“Si ka mundësi që ai u bë vrasës? Ne e donim shumë”, duket sikur më thonë sot fëmijët e asaj që tashmë as nuk mund të quhet familje.

Pas disa vitesh do kuptojnë se “të divorcuarit” nuk duhet të jetë kështu. Sepse dy njerëz e dëshirojnë, e dashurojnë, e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin pa kontratë kohore edhe pse në Shqipëri mentaliteti i njërëzve është më i fortë se rregullat e kishave dhe xhamive në mesjetë. Sepse përtej të gjithave, në fshatin ku jetojnë ata apo në periferinë ku jetoj unë në kryeqytet: “Nëse të lë gruaja, më mirë futja vetes”.

Deri këtu është e kuptueshme, për shumë prej atyre që kanë jetuar pranë tyre. Sepse kjo është një sindromë kolektive, ashtu sikurse në veri të vendit tim ende është damkë e rëndë të mos marrësh hak nëse “të kanë rënë në qafë” këtu e 22 vjet më parë paraardhësit e një të riu që ka vetëm një ëndërr, të shkollohet e çdo ditë të kthehet në shtëpi me shokët e lagjes.

Për një gjë jam e sigurt, që kisha dhe xhamia nuk i do vrasësit ashtu sikurse edhe ne. Dhe nëse të lë gruaja dhe në mendësinë tënde “më mirë t’ia fusësh vetes”, jam e paqartë për dobinë e këtij veprimi. Dakord, shpëton. Më mirë një fund me dhimbje se një dhimjbe pafund, do më thonte dikush me një fjalor më poetik, po gruan o vëlla pse e merr me vete kur ajo do të ikë?

Jam gati të pyes, jo atë të ndjerin që në kolapsin që i shkaktoi sot “ndërgjegjja kolektive”, por të gjithë shokët e tij, meshkujt shqiptarë se pse i lënë fëmijët vetëm, kur dënojnë  ashpër braktisjen nga bashkëshortja? Sepse edhe në qoftë në mes një dashnor, pas çdo ish-familjeje ka fëmijë. E në pastë në mes dy dashnorë, a nuk mendon se prej kohësh ia ke futur vetes duke mos bërë asgjë?

A nuk i shohin këta njerëz politikanët se si ndyejnë çdo ditë duart për fëmijët e tyre? A nuk i shohin këta njerëz se si ca zotërinj kanë vjedhur për 22 vjet qytetarë e fshatarë, pa pasur nevojën e maskave, por me smoking çdo mbrëmje? Sa vlerë ka ky akt në Shqipërinë që “po të la gruaja, futja vetes”, kur fqinjët që do të paragjykonin dalin në kronikën e lajmeve që përcjell unë sot duke thënë se “ju ishit njerëz të mirë”. A do të ishte për fqinjët ky një burrë i mirë, po ta linte gruaja dhe po të ishte ende gjallë? A do të ishte ajo një grua e denjë për një tjetër mashkull pasi të ishte divorcuar me atë që e vrau?

Të tillë fqinjë kemi të gjithë. Mos qofshit si këta fqinjë, se ata që ikën, nuk i kthejmë dot më.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here