Shteti Islamik kërcënon ushtarakët amerikanë. Pentagoni fillon hetimet

0

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka bërë të ditur se ka nisur një hetim ndaj kërcënimeve online, që pretendohen të jenë bërë prej Shtetit Islamik, drejtuar 100 prej anëtarëve të personelit ushtarak amerikan.

Një listë me emrat dhe adresat e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura amerikane u postuan në një faqe interneti të lidhur me grupin e xhihadistëve islamikë, së bashku me një thirrje për vrasjen e tyre.

Grupi ekstremist bëri të ditur se i kishte siguruar informacionet përmes “vjedhjeve online” të serverave dhe bazave të të dhënave, por zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se shumica e këtyre informacioneve ndodhet në një domain publik.

Një burim i sigurisë amerikane tha për BBC se të gjithë personat e përmendur në listë po kontaktoheshin.

Grupi i vetëquajtur “Divizioni i hackerave të Shtetit Islamik”, tha se personeli i bërë publik përmes emrave kanë marrë pjesë në misionet amerikane kundër Shtetit Islamik. Ai nxiste gjithashtu mbështetësit e vet në SHBA që të “ndërmerrnin hapin përfundimtar” dhe “të përballeshin” me emrat e publikuar.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes, duke folur në kushte anonimiteti, tha për një media amerikane se “nuk mund të konfirmonte vlefshmërinë e informacionit, por se ishin duke hetuar mbi të”.

Një zëdhënës i agjencisë ligjzbatuese të Marinës amerikane tha për BBC se personeli do të këshillohet të kryejë kontrolle mbi gjurmët e tyre online dhe për të përmirësuar kontrollin e privatësisë së tyre.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë zhvilluar sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak që prej shtatorit të vitit të kaluar. Kjo, për shkak se ISIS ka pushtuar rajone të tëra në të dy vendet e Lindjes së Mesme. Taktikat brutale të xhihadistëve, përfshi vrasjet masive dhe rrëmbimet e anëtarëve të minoriteteve etnike e fetare, kanë nxitur irritim anembanë botës. /Top Channel/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here