Serbët dhe kosovarët “e dhunshëm” ka gjasa të mos lejohen në Shqipëri më 8 tetor

0

Ishte menduar se masat e sigurisë do të ishin të forta. Por edhe më keq. Shtetasit serbë dhe të gjithë të dyshuarit e shtetit shqiptar prej ditësh nuk lejohet të futen në vendin, tonë pa u kontrolluar mirë dhe pa deklaruar në doganë destinacionin dhe cilat janë dhe përse shërbejnë pajisjet qofshin dhe më të thjeshta që kanë me vete. Faktikisht, thuhet se çdo pike doganore iu është bërë e qartë, se çdo shtetas serb apo persona të dyshuar si ultras të dhunshëm, ose nuk do të lejohen të futen në Shqipëri, ose do të kalojnë një sitë imtësishme. Bllokimi i së martës në doganë të shtetasve serbë me dron, ka bërë që të rritet edhe më shumë alarmi i policisë.

Në takimin ku ishte ministri i brendshëm Saimir Tahiri, ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli, kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika dhe kreu i FSHF-së, Armando Duka janë lënë detyra konkrete. Për të shmangur çdo incident të mundshëm, Kryeministri Rama, ka bërë të ditur që policia shqiptare do të ndërmarrë masa të rrepta para kësaj sfide për të shmangur çdo problem të mundshëm, si në  “natën e Beogradit”. Çdo tifoz do të ketë mundësinë ta blejë biletën me anë të një mjeti identifikimi si, pasaportë apo kartë identiteti. Në këtë mënyrë do të bëhet dhe identifikimi dhe ndalimi i personave me precedentë penale. Por jo vetëm kaq. Mësohet se shtetasit serbë ka gjasa t’u refuzohet udhëtimi në Shqipëri ato ditë. Madje, të dyshuarit edhe do të arrestohen, ndërkohë që kufizime do të ketë për shumë njerëz. Flitet që edhe për shtetas kosovarë të dhunshëm dhe me precedentë nuk do të ketë ndeshje në Elbasan dhe ata nuk do të lejohen të kalojnë kufirin formalisht.

Edhe mediat serbe kanë raportuar për shtetasin serb që është ndaluar nga Policia e Shqipërisë në vendkalimin kufitar të Qafë-Thanës, ku atij i është gjetur një dron me simbole serbe. Gazeta “Telegraf.rs” në versionin online, ka shkruar se dyshimet e para janë se serbi e kishte përgatitur këtë dron me qëllim që ta lëshonte atë në ndeshjen Serbi – Shqipëri. Ndeshja mes dy ekipeve do të luhet më 8 tetor në “Elbasan Arena”. Vlen të theksohet se serbi është duke u marrë në pyetje nga organet e rendit në Shqipëri.

Biletat – Në treg pritet të dalin vetëm 2000-3000 bileta, por që në shitje do të dalin pas të enjtes. Dihet faktikisht se shumë pak do të kenë mundësi që të blejnë një biletë, për të mos thënë se tani biletat janë ndarë përfundimisht nga FSHF-ja. Ndërkohë ata që i kanë blerë po bëjnë namin në tregun e zi. Por nëse ata që i kërkojnë në mënyrë të drejtë nuk kanë shans ata në tregun e zi janë plot me bileta.

Aq haptazi i shesin edhe pa frikë saqë një zot e di. Fakt është se në “dyqanin” online të Federatës Shqiptare të Futbollit është e pamundur të gjesh një biletë për ndeshjen me Serbinë, në “Facebook” janë të shumta faqet apo individët që kanë mundur të sigurojnë bileta. Ata i shesin ato shumë herë më shtrenjtë se çmimi zyrtar i vendosur nga FSHF-ja, duke përfituar nga fakti që pjesa dërrmuese e biletave janë prenotuar me kohë nga institucione apo individë me pushtet.

Në këto kushte, mbrëmjen e 8 tetorit kombëtares në “Elbasan Arena” pritet t’i mungojë tifozëria e zjarrtë që e ka shoqëruar përherë jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. Për momentin masat e sigurisë që do të ishin ekzemplare kanë dështuar. Biletat shiten në tregun e zi si pa të keq, pa dalë ende në treg.

Valdet Rama humbet ndeshjen me Serbinë. Shqiptari është dëmtuar dhe i është rekomanduar nga mjekët që të qëndrojë për 4 javë jashtë fushës së futbollit. Lajmi konfirmohet nga mediat gjermane. Kështu futbollisti nuk do të jetë në ndeshjen me Serbinë, që gjithmonë ka dashur të jetë. Katër javë janë shumë dhe në këto kushte ai i thotë lamtumirë grumbullimit. Koha kaq e gjatë për rikuperimin, e bën të pamundur përfshirjen e sulmuesit të Mynih 1860 në grupin e kuqezinjve, për të dy sfidat vendimtare të kombëtares sonë gjatë muajit tetor. Edhe në shtator Rama nuk ishte grumbulluar./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here