Shqiptarja që mbron islamin radikal në Zvicërr

0

Fitore Sinanaj është një shqiptare nga Kosova, besimtare myslimane dhe anëtare e Këshillit Qendror Islam të Zvicrës (ICCS), që mbron një njeri të Al-Qaedës, duke e cilësuar atë si model të komunitetit mysliman.

Kështu shkruajnë mediet zviceranë për 24-vjeçaren Sinanaj që është një besimtare e devotshme myslimane dhe vishet sipas traditës islamike.  Sinanaj mendohet të jetë edhe bashkëshortja e dytë e Nicolas Blanchos, zviceranit të konvertuar në islam, kryetar i Këshillit Qendror Islam të Zvicrës, një organizatë kjo që në Zvicër identifikohet me islamin fundamentalist.

Bashkëshorte e Blancos ose jo, Fitorja është shumë aktive në ICCS. Në një intervistë për gazetën prestigjioze zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” Fitore Sinanaj, mbron me këmbëngulje qëndrimet e ICCS-së dhe i quan paragjykime të gjitha ato që shkruhen e deklarohen për këtë organizatë si përfaqësuese të fundamentalizmit islamik. Sinanaj e distancon Këshillin islam dhe kryetarin e tij  nga veprimet dhe kërcënimet e ISIS-it, duke i cilësuar ato si të papranueshme.

“Është paturpësi që ICCS-së t’i përshkruhet simpatia për terrorin islamik. Është krejtësisht e gabueshme të besohet se je pro diçkaje, vetëm nga fakti se nuk distancohesh në mënyrë permanente nga ajo. Një i krishterë zviceran, sigurisht nuk detyrohet të arsyetohet për luftën amerikane të droneve”, thotë Sinanaj.

E pyetur mbi të ardhmen e myslimanëve të Zvicrës pas 20 vjetësh, Sinanaj shpreson që të zhduken paragjykimet për ta:

“Të shpresojmë se në atë kohë nuk do të ketë urrejtje dhe paragjykime ndaj myslimanëve. Besoj se pas 20 viteve,  myslimanët do të jenë pjesë e nënkuptueshme e Zvicrës, ashtu siç janë sot italianët”.

Pikërisht ky pohim i saj është vënë si titull i artikullit të gazetës “Neue Zurcher Zeitung”, ndërkohë që gazeta  “Blick”, shfaq një foto të shqiptares, e cila përmes rrjetit social Facebook, paraqitet si shembull për myslimanët, njërin nga ish-krerët e al-Qaedas, të vrarë në vitin 2011. “Blick” shkruan se ai është Anëar al-Aëlaki, dhe ka mbështetur dhe financuar edhe celulën terroriste të vëllezërve Kouachi, të cilët në fillim të janarit kryen sulmin terrorist kundër redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here