SHQIPTARJA PËRMES SË CILËS RUMUNËT MËSUAN RUMANINË E PANJOHUR

0

 

Enxhi Rista (1994)  është emri i vajzës për të cilën kritika rumune e filmit ka thënë se nëpërmjet një filmi të saj i ka bërë rumunët ta njohin një pjesë të panjohur të Rumanisë. Bëhet fjalë për filimin e parë të vajzës nga Fieri, që mbanë titullin “Padre”. Filmi që është mirëpritur në Bukuresht Rista e ka prezantuar në provimin e semestrit të parë në Degën Regji filmi dhe televizioni që studion ajo, në vitin e parë.             Në një intervistë për portalin Online, vetë regjisorja ka dhënë detaje për veprën e saj. Ajo ka treguar për ndikimin e muzikës Rock në formimin e saj, “prishjen” e raportit me shkencat ekzakte, Rumaninë, mungesën e Shqipërisë…

Sapo keni promovuar filmin tuaj të parë të metrazhit të shkurtër në Rumani. Çka mund të thuhet për këtë vepër tuajën?

“Padre”  është një film portret, një dokumentar për jetën e një njeriu të apasionuar pas kulturës gotike dhe si ky pasion ka ndikuar tek ai ne vitet e fundit.  Ky është filmi me të cilin unë u prezantova në provimin e semestrit të parë, Dega Regji filmi dhe televizioni në Universitetin e Arteve Kinematografike dhe Teatrit “Ion Luca Caragiale” në  Bukuresht. “Padre” është shumë i rëndesishëm për mua. Është filmi i parë në Rumani dhe në këtë film më është dashur të përballem e vetme me shumë vështirësi. Ky film u projektua në mendjen time shumë kohë më parë. Në verën e vitit 2014, kur unë ndodhesha në një koncert në Cluj-Napoca, mes shumë fansash të muzikës rock, më bëri përshtypje një njeri shumë i çuditshëm nga pamja e jashtme. Nuk e mohoj faktin që në pesë sekondat e para u tremba pakëz, kur e pashë, por u bëra kurreshtare që të zbuloja, kush ishte ky njeri. Ishte hera e parë që shikoja një njeri të stilit gotik. Pyeta , kërkova informacion  për atë njeri. Arrita të bëhem mike e tij dhe zbulova qe pas atij imazhi gotik, fshihet një njeri i mrekullueshëm, një njeri me zemër të madhe, me një botë të pasur shpirtërore,  inteligjent dhe me kulturë, por ç’është më e rëndesishmja, një njeri i fortë, që ka përballuar vështirësi në jete dhe prej tij mund të mësosh shumë. Dëgjoja prej tij historinë e jetës dhe në mendjen time projektohej çdo imazh filmik. I thashë që,  kur të mbaroja shkollen, do e bëja një film për të, por  gjërat ndodhen më shpejt nga ç’i kisha planifikuar unë. E realizova këtë film me shumë dashuri.  E ndjeva: ishte një emocion i madh për mua. Edhe pse u përballa me vështirësi të panumërta, nuk u ndala asnjeherë. Ishte shume i lodhshëm dhe i vështire për t’u realizuar , por ia dola mbanë me sukses dhe filmi doli siç e ëndërroja unë. Nga profesoret e mi u pelqya shumë. Një kritike filmi, e cila ishte pjesëtare e jurisë së vleresimit u shpreh :  “Nëpermjet “Padre” njohëm një pjesë të panjohur të Rumanisë. Ky film solli një Rumani ndryshe. Njohem një njeri të rrallë, ekzotik , me një kulturë të lartë”. Une si regjisore e këtij filmi ndihem shumë e lumtur që u prit dhe u vlerësua ashtu siç e meritonte.

 

Si vendosët që të studioni në Rumani?

Për momentin, UNATC, është shkolla më e mirë e filmit ne Ballkan. Kinematografia rumune ka hyrë në një valë të re të filmit e cila ka sjell ndryshime. Në këtë shkollë kane studiuar regjisorë shqiptarë si Kujtim Cashku dhe Spartak Pecani të cilët kanë qenë mjaft të suksesshem.  Mua më ka pëlqyer gjithmonë të drejtohesha drejt Rumanisë për të kryer studimet dhe dëshiroja shumë të isha pjesë e UNATC.  Nga ana tjetër, familja ime ka rrënjë të largëta rumune, keshtu që shteti rumun më ofroi bursë studimi, të cilën e përfitova edhe për shkak të mesatares shumë të lartë që unë kisha.

 

Çfarë po të pëlqen dhe çfarë nuk po të pëlqen në Bukuresht?

Në Bukuresht jetoj prej gjashtë muajsh.  Përpara se të shpërngulesha në Bukuresht, kam jetuar një vit në Cluj-Napoca, ku mësova gjuhën rumune.  Si gjithmonë dashuria e parë nuk harrohet. Me Clujin u dashurova dhe kjo dashuri është aq e fortë sa nuk më lë të dua po aq Bukureshtin.  Bukureshti është një qytet shumë i madh. Të duhet shumë kohë të lëvizësh nga një vend në tjetrin. Jeta ecen shumë shpejt. Njerëzit vrapojnë dhe është qytet i zhurmshëm. Por nga ana tjetër është një qytet në të cilin gjen gjithçka që kërkon.  Të ofron mundesi promovimi. Organizohen javë për javë festivale filmi dhe koncerte të muzikës rock. Ka peizazhe të mrekullueshme për t’u vizituar dhe një arkitekturë shumë të veçantë. Është e ndërthurur shumë këndshëm e vjetra me të renë, tradicionalja me modernen.

Pse keni zjgedhur të studioni për regji filmi e televizion kur ju keni qenë më shumë e dhënë pas shkencave ekzakte?

Prindërit kanë qenë ata që më kanë drejtuar nga shkencat ekzakte. Dymbëdhjetë vjet kam studiuar profilin shkencor. Më pëlqente shumë matematika , por ndjeja që s’doja t’ua kushtoja jetën shkencave. Doja të bëja një jetë të lirë, pa limite numrash. Që e vogël isha shumë e apasionuar pas artit, filmave, televizionit. Kisha dëshirë të isha pjesë e botës së artit, por në adoleshencë më kaploi një periudhë ndrojtje dhe nuk mundesha ta shprehja hapur botën e brendshme. Në klasën e 12 vendosa të ndryshoj trajektoren e jetës sime dhe u mora seriozisht me të bërit realitet endrrën time, që kurrë nuk jam penduar. Në radhë të parë doja të bindja prindërit që unë kisha për t’ia dalë mbanë edhe në art. Në vitin 2014 mora pjesë në një kurs kinematografik, “Cinefier”, i  cili më ndihmoi shumë në atë çfarë erdhi më pas.  Prindërit e mi, falë kulturës që ata kanë dhe duke parë pasionin tim, kuptuan që duhet të më linin të lirë, të ndiqja ëndrrën time. Sot ata më mbështesin në gjithçka. Përveç familjes, dy nga regjisorët më në zë shqiptarë, Artan Minarolli dhe Eno Milkani, janë ata që më gjenden pranë në çdo moment dhe që më japin forcë të vazhdoj përpara.

Çfarë ndikimi ka pasur tek ju muzika?

Muzika është ushqimi i shpirtit tim. Që në moshë fare të vogel kam filluar të dëgjoj muzikën Rock. Në kohën kur bashkëmoshatarët e mi  dëgjonin këngët në modë të tregut muzikor, unë jetoja në boten time, e rrethuar nga Jim Morrison, Kurt Cobain, Jimi Hendrix, Guns N Roses etj etj…Muzika Rock ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e karakterit tim. Më bëri të rritesha dhe të isha një njeri më i pjekur. Ndikoi në psikologjinë time dhe në këndvështrimin e të parit të jetës. Për mua, tashmë rock, nuk është vetëm një rrymë muzikore, por një stil jetese. Rocku dhe filmi janë dy bashkëudhëtarët e mi për momentin.

Pse gjithmonë visheni në rroba të zeza?

Më pëlqen ngjyra e zezë. Ndihem shumë komode me të. Në fillim veshjet e zeza erdhen si pasojë e manifestimit të rrymës muzikore që unë dëgjoja, pra Rock. Por me kalimin e kohës u bënë pjesë e imja. U mësova me rrobat e zeza dhe tashmë në garderobën time rreth 90% të rrobave kanë ngjyrë të zezë. Unë e konsideroj si një ngjyrë të lumtur ose më saktë si një ngjyre ku gjej lumturinë pavarësisht se paragjykohem nga të tjerët.

A do ta bëni edhe ndonjë këngë?

Videoklipe këngësh sigurisht që do bëj, por me muzikën nuk dua të eksperimentoj, sepse për fat të keq nuk kam talent në këtë fushë. Më pëlqen shumë të këndoj kur jam vetëm, që të mos i shqetësoj ata që më rrethojnë.

A ju mungon Shqipëria?    

Sigurisht që më mungon shumë. Shqipëria ishte vendi që më rriti, vendi në të cilin unë hodha hapat e para artistike. Më merr malli shumë për qytetin tim, për familjen time,  për shoqërinë. Kthehem me shumë dëshirë dhe nostalgji sa herë që më jepet mundësia. Atdheu nuk harrohet kurrë. Në Shqipëri kam kaluar vitet më të bukura të jetës sime. Kam qenë e përkedhelura e të gjithëve.

Cilat janë planet tuja për të ardhmen?

Planet për të ardhmen e afërt janë të shumta. Kam në dorë një projekt për realizimin e një dokumentari dhe për realizimin e një filmi me metrazh të shkurtër, në pelikul , 16 mm, bardh e zi. Për të ardhmen e largët nuk dua të bëj plane , sepse jeta di t’i prish shumë bukur planet që unë ndërtoj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here