Shqiptari i çarmatos grabitësit, qyteti i Napolit e bën hero VIDEO

0

Kronika e zezë italiane dokumenton pothuajse çdo ditë ngjarje me protagonistë keqbërës me origjinë shqiptare.

Veprojnë në të gjithë territorin italian e janë trafikantë lëndësh narkotike, grabitës, pjesëmarrës në organizata kriminale e mafioze, madje dhe killer me pagesë.

Por rasti i ditës së sotme tregon anën tjetër të medaljes; qytetarin me kombësi shqiptare, i ndershëm e që kontribuon në vendbanimin e tij për ruajtjen e rendit, madje duke vënë në rrezik dhe jetën.

Heroik e kanë quajtur mediat italiane gjestin e tij bërë publik sot pasi policia italiane ka informuar mbi arrestimin e 5 personave si anëtarë të një bande që kishin kryer disa grabitje në qëndra e aktivitete tregtare në rajonin e Kampanjës.

Gjatë një grabitje të kryer nga kjo bandë në komunën Villa di Briano, shqiptari rastësisht i pranishëm, ndërhyn kundër njërit prej grabitësve dhe pse ky i fundit ishte i armatosur.

Forca e shqiptarit mundi ta bllokojë keqbërësin duke e rrëzuar përtokë e ç’armatosur.

Vetëm pas një luftimi të dhunshëm trup më trup grabitësi mundet të largohet e plani i bandës për të grabitur atë qëndër tregtare nuk mundi të realizohet me sukses.

E gjithë kjo ngjarje është dokumentuar nga filmimet e videokamerave të sigurisë, të bëra publik sot nga Prokuroria e Napolit, falë të cilave u arrit dhe në identitetin e shqiptarit.

Ndaj shqiptarit për gjestin e tij heroik është propozuar një leje qëndrimi nderi e jashtëzakonshme për motive drejtësie.

Policia italiane mundi t’i identifikojë vetëm pas disa muaj hetimesh 5 personat e arrestuar.

Të gjitha janë me kombësi italiane, vepronin të armatosur e mjaft të dhunshëm e kishin krijuar panik e frikë në territorin e rajonit të Kampanjës, transmeton gazeta New Born.

Plani i tyre qe përherë i njëjtë. Njëri drejtonte armët kundër personelit e klientëve të aktiviteti tregtar duke i kërcënuar me vdekje, e tjetri vidhte paratë në kasat e shërbimit.

Falë gjestit heroik të shqiptarit një prej planeve të tyre e datuar më 27 mars 2015 përfundoj pa sukses.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here