“Shqiptarët kriminelë” ishin dje: Tash po vijnë shqiptarët e mirë!

0

Propaganda në të cilën qe mbështetur dhe pati fituar Iniciativa për dëbimin e të huajve kriminelë, e votuar nga populli para disa vitesh, në masë të madhe ka pasur si pikëmbështetje  kriminalitetin, real ose të shpifur, të ballkanasve, dhe në këtë pikë, kosovarët (Kosovoalbaner) apo dhe shqiptarët në përgjithësi, kanë pasur pakashumë «vendin e nderit».

Por, ç`u bë ndërkohë me «kosovarët kriminelë» të asokohshëm? Gazeta «Basellandschaftlichezeitung» është përpjekur që përmes një artikulli të zgjeruar dhe të mbështetur në shumë burime, të argumetojë lidhur me evoluimin e këtij komuniteti në vite. Me titullin “Raserët, martesat e dhunshme, hakmarrja – ishin njëherë e një kohë: Tash kosovarët janë të mirët”, artikulli konstaton: “Sot pothuajse nuk flitet më për kosovarët. Ata ia kanë dalë të ikin nga kryetitujt. E në të vërtetë iniciativa e zbatimit të dëbimit, për të cilën votojmë ne në fund të shkurtit, është “fryt” i asaj kohe kur në Zvicër debatohej ashpër mbi kriminalitetin e të huajve. Dhe me të huaj nënkuptoheshin më shpesh «Jugot». Ndërsa me Jugot, që nga mesi i viteve `90 kuptoheshin shqiptarët e Kosovës, një komunitet që po rritej fuqishëm. Për çfarë nuk fajësoheshin ata: ishin `raserë`, të dhunshëm, shpërdorues të ndihmave sociale dhe therës.

Kështu, po të hulumtosh në bankën e të dhënave mediale për Kosovarët, Ballkanin dhe Iniciativën për Dëbimin e të huajve në dy vitet para Inicativës, në nëntor të vitit 2010 do teë dilnin nja 100 artikuj online dhe te gazetave që e mbështetnin një gjendje të tillë. Ndërkaq, po të kërkosh sot, me po këta parametra dhe lidhur me iniciativën e tashme (të zbatimit të dëbimit) do të gjesh më pak se 20 artikuj të kësaj natyre, transmeton albinfo.ch gazetën zvicerane. Pikën finale të kësaj atmosfere me kosovarët si shkaktarë të frikës e pat arritur pllakati i njohur me mbishkrimin «Kosovarët therin zviceranin», shkruan gazeta.

Më tutje në artikull përshkruhet sfondi që ka sjellë problemin me imazhin e shqiptarëve të Kosovës. Bëhet dhe një përshkrim i shkurtë i historisë se shqiiptarëve në përgjithësi.Në vitet 1998 dhe 1999 kosovarët nga shkaku i luftës në vendin e tyre arritën shifrart më të larta të kërkimit të azilit ne Zvicër, thuhet më tutje.

Ndërsa duke u kthyer në aktualitet, gazeta shkruan se  vitin e kaluar këtu kanë kërkuar azil afër 40 mijë veta, në mesin e të cileve shumë eritreanë, afganë dhe sirianë. Pas rastit të ngacmimeve seksuale në natën e vitit të ri në Köln, për të cilin ngarkohen afrikanët e veriut, kosovarët largohen edhe më shumë  nga fokusi, përcjell albinfo.ch. A është kjo shenjë se shqiptarët e Kosoves tashmë janë integruar dhe pranuar në Zvicër? Gazeta ka kërkuar për këtë çështje mendimin e një shqiptareje të Kosovës (Kaltrina Ahmetaj), një albanologu zviceran (Basil Schader) dhe një hulumtueseje që ka studiuar diasporën kosovare (Barbara Burri-Sharrani).

Ata flasin gjerësisht për imazhin e kosovarëve në bazë të fakteve te dëshmuara por dhe në cilësinë e njerëzve që njohin këtë komunitet ose dhe i takojnë atij. I përbashkët është konstatimi se shqiptarët në Zvicër kanë pësuar një evoluim të madh, sidomos në vitet e pasluftës në Kosovë.

Profesori Schader e dëshmon këtë me numrin e studentëve shqiptarë që kanë kaluar nëpër katedrën ku ka punuar ai: ka një rritje enorme të këtij numri. Këtë e dëshmojnë edhe shoqatat e studentëve shqiptarë në disa qytete universitare të Zvicres. Vetëm në Cyrih janë më shumë se 200 studentë etj.

Barbara Burri e shpjegon këtë lëvizje me ndryshimin e rrethanave. Para dhe gjatë luftës, shqiptarët kanë qenë të preokupuar me fatin e Kosovës dhe janë angazhuar shume në atë drejtim por, vëren ajo, sidomos nga viti 2003 e tutje kemi një ndryshim të madh, një orientim të tyre për të jetuar në Zvicër dhe rrjedhimisht një përparim të madh në drejtim të integrimit në shoqërinë e këtushme, përcjell albinfo.ch artikullin e përmendur.

Artikulli merr edhe disa grafikonë nga institucione relevante, që dëshmojnër për rritjen e numrit te kosovarëve në Zvicër nga njëra anë dhe për uljen e pjesëmarrjes së tyre në statistikat e krimit, në anën tjetër.

Aty konstatohet se nëse, sa i përket imazhit të keq  shqiptarët deri vonë  kanë qenë “italianët” e viteve 60-70, atëherë pritet që sirianët dhe migracioni tjetër i ri, të bëhen “shqiptarët” e periudhës që po e kalojmë./albinfo.ch/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here