Shqiptarët e Luginës, pa atdhe, pa shtetësi, refugjatë pa status

0

Shqiptarët e dëbuar nga Kosova Lindore ndihen të harruar. Për kthimin e tyre, jo që nuk ndahen mjete, por as që flet kush nga ndërkombëtarët. Ata do të ishin të kënaqur sikur të bëhej sado pak për këtë kategori. “Nëse për kthimin tonë do të ndaheshin 10 për qind e mjeteve që investohen për kthimin e serbëve në Kosovë, ne do të ishim të lumtur, por nuk po bëhet as kaq”, thotë Gentiana Shabani, kryetare e Lëvizjes “Vatra” në Gjilan, subjekt ky i themeluar nga shqiptarët e Kosovës Lindore.
Ky subjekt përfaqësues në qeverisjen komunale të Gjilanit, ku llogaritet se jetojnë mbi 10 mijë të dëbuar nga tri komunat e Kosovës Lindore, kërkon nga faktori ndërkombëtar që problemet e të zhvendosurve të mos i shikojë me dy standarde, por të bëjë diçka për të hapur rrugën e kthimit të banorëve në shtëpitë dhe pronat e tyre. “Ne kërkojmë nga faktori politik ndërkombëtar dhe vendor që të bëjnë të paktën një hap për kthimin e banorëve të dëbuar në shtëpitë e tyre”, shprehet Shabani.
Dihet botërisht, shton ajo, se qeveria e Serbisë investon mbi 200 milionë euro në vit, për kthimin e serbëve në Kosovë. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, edhe qeveria e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar ndajnë miliona tjerë për këtë proces. Kurse, për kthimin e shqiptarëve në Kosovën Lindore, deri më tani nuk u investua as edhe një qindarkë. Madje, me këtë popullatë nuk u mor askush. Republika e Kosovës nuk ua njohu as statusin e refugjatit, ndërsa Serbia as që i vizitoi ndonjëherë.

Rreth 11 mijë banorë janë dëbuar nga PMB në qershor 1999

Shabani thotë se qershori i vitit 1999, për banorët e Malësisë së Bujanocit, të fshatrave kufitare të Preshevës, e njohur si Malësia e Karadakut dhe ata të Komunës së Medvegjës, do të kujtohet si një nga orët më të kobshme në gjithë historinë e asaj ane. 16 vite më parë, banorët shqiptarë u detyruan t`i lënë trojet e tyre nga presioni dhe dhuna serbe dhe të ikin drejt Kosovës e gjetiu. “Që nga 10 qershori i vitit 1999 e deri më 25 qershor të po atij viti, nga komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc u zhvendosën 10.783 banorë shqiptarë dhe shumica e tyre u strehuan në Gjilan, kurse një pjesë në Prishtinë, Fushë Kosovë, Kamenicë dhe gjetiu, atje ku ka mundur”, thotë Shabani.
Ajo shpreson se faktori ndërkombëtar dhe ai shqiptar, në përgjithësi, do ta kuptojnë se këta banorë kanë të drejtë të kthehen në shtëpitë e tyre.
Edhe Refik Hasani, analist i problemeve në Luginën e Preshevës, thotë se, të paktën për shkak të simbolikës, më 23 qershor, kur është dita e të dëbuarve dhe të zhvendosurve nga Medvegja, Bujanoci dhe Presheva, është dashur të bëhet diçka për këta banorë, që kanë ngelur pa atdhe, pa shtetësi e pa status refugjati.
Hasani thotë se shqiptarët nuk i kanë lënë me vullnetin e tyre shtëpitë dhe pronat në komunat e Kosovës Lindore, 16 vjet më herët, por ishin detyruar nga forcat serbe. Disa vendbanime të brezit kufitar janë zbrazur tërësisht. Në këto zona, presioni ishte më i madh, thotë Hasani.
Sipas tij, nga qershori i vitit 1999 e deri më 31 dhjetor 2002, nga këto komuna janë zhvendosur 11.783 banorë shqiptarë dhe vetëm ndonjë familje e rrallë ka mundur të rikthehet.

Fëmijët u rritën pa atdhe

Hasani tregohet më kritik ndaj Tiranës e Prishtinës, të cilat, sipas tij, nuk po bëjnë asgjë për ndërkombëtarizimin e problemit të shqiptarëve të Kosovës Lindore. “Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet të kërkojnë reciprocitet ndërmjet serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si kategori të zhvendosura”, thotë Hasani.
Dihet, shton ai, që Serbia nuk do të lëviz asnjë hap në këtë drejtim, nëse nuk detyrohet. Deri më sot, askush nga zyrtarët e lartë serbë nuk i ka vizituar të zhvendosurit shqiptarë e lere më të ketë ofruar ndonjë program serioz për kthim e tyre, atje ku kanë jetuar deri më 1999 dhe ku i kanë shtëpitë dhe pronat e tyre. “Kthimi i shqiptarëve të dëbuar nuk guxon të heshtet në asnjë mënyrë”, thotë Hasani.

Përndryshe, në përpjekje e sipër për t`i lehtësuar problemet e shqiptarëve të zhvendosur nga Kosova Lindore, komuna e Gjilanit ka hapur Zyrën ndërlidhëse, ndërkohë që i ka dhënë mbështetje, përmes Kuvendit Komunal, kërkesës së “Vatrës” drejtuar qeverisë së Kosovës, për lehtësira administrative sa i përket pajisjes së këtyre banorëve me dokumente të identitetit.

Një numër i tyre kanë ardhur këtu si fëmijë dhe tani nuk kanë asnjë kartë identiteti për të dëshmuar se kush janë dhe çfarë moshe kanë. Mungesa e një numri personal, atyre u sjellë telashe të mëdha edhe në shkollim e punësim./rajonipress/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here