Shqipëri:Partia Socialiste udhëheqë me 75 përqind të votave në nivel vendi

0

E Majta e udhëhequr nga Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama, ka fituar në mbi 75 përqind në gjithë Shqipërinë. Partia Demokratike duket se do ta harrojë shpejt 23 Qershorin e vitit 2013.

Humbja e 21 Qershorit 2015 është edhe më katastrofike.

Deri tani janë numëruar votat për 54 bashki, nga të cilat 40 i ka fituar Koalicioni për Shqipërinë Evropiane, ndërsa 13 Koalicioni për Punë dhe Dinjitet, ndërsa Finiqin e fitoi MEGA greke.

Pas humbjes së 23 qershorit, këto zgjedhje kanë qenë një tjetër disfatë për demokratët, pasi kanë humbur në një pjesë të madhe, ndonëse në disa njësi nuk munguan edhe surprizat.

Bashkitë më të mëdha janë fituar bindshëm nga e Majta.

Në Vlorë, Dritan Leli, fitoi bindshëm ndaj kundërshtarit të tij Genc Deromemaj, me një diferencë prej gati 15 mijë votash.

Po ashtu Korça ka vijuar të jetë e së Majtës, pasi Sotiraq Filo doli fitues me 25.341 vota (59.1%) ndërsa Gjergji Mero i së djathtës mori 17.543 vota (40.9%).

Në Gjirokastër, Zamira Rami fitoi 11.375 vota (54.2%), ndërsa Igli Kokalari, 9.614 vota (45.8%).

Në Elbasan, Qazim Sejdini ka siguruar rreth 15 mijë vota më shumë se rivali i tij, Ardian Turku.

Me mbi 10 mijë vota avantazh, Armand Subashi shpallet fitues i Bashkisë së Fierit. Në Kukës, me mbi 3 mijë vota avantazh, Bashkim Shehu i APPD u shpall fitues ndaj Hasan Halilajt të ASHE-së.

Fitore të tjera koalicioni i Majtë mori në Pukë, në Has, Delvinë, Libohovë, Kolonjë, etj.

Ndërkohë në Konispol Shuaip Beqiri fitoi me 2.245 vota, ndërsa Ismail Murtaj i së Djathtës mori 1.831 vota.

Po ashtu e Majta fitoi edhe Bashkinë e Pustecit.

Dje ka përfunduar numërimi i votave dhe në Gramsh, ku Luljeta Dollani që përfaqëson ASHE­në do të drejtojë këtë bashki.

Procesi i numërimi të votave përfundoi dhe në Poliçan, ku kandidati i ASHE­së, Adriatik Zotkaj ka marrë mandatin e tij të katërt.

Kandidati i Majtë, Gëzim Topçiu, për Bashkinë e Maliqit ka arritur të sigurojë 4252, ndërsa APPD 3505.

Kandidatët e Djathtë

Deri mesnatën e djeshme koalicioni i djathtë doli fitues në 13 bashki të vendit. Përveç Lezhës, PD fitoi në Përmet, Mallakastër, Pogradec, Klos, etj.

Surprizë ishte Pogradeci, ku kandidati i PD, Eduart Kapri fitoi me mbi 1 mijë vota përballë kandidates së LSI, Diana Mile.

Ndërsa në Përmet Niko Shpulli fitoi mbi 1.600 vota përballë Gilberto Jaçes. Po ashtu fitues të Djathtët dolën edhe në Tropojë. Besnik Dushaj mori 5.810 vota, ndërsa Rexhep Byberi 4.992 vota.

Një tjetër surprizë ishte Vora, pasi kandidati i djathtë Fiqiri Ismaili doli fitues, përballë Luan Sallakut.

Një fitore e thellë ishte dhe në Kukës, ku Bashkim Shehu fitoi me mbi 3 mijë vota ndaj Hasan Halilajt. “Është një votë kundër varfërisë. Do bëjmë të pamundurën t’i kthejmë Kukësit dinjitetin. PD ka një platformë, do rrisim ekonominë dhe shtojmë vendet e punës. Ju jap fjalën se oferta e PD-së është konkrete dhe unë do e mbaj. Kemi mundur një të keqe të madhe, një segment separatist. Kemi arritur një fitore të madhe”, u shpreh për mediat Bashkim Shehu pas shpalljes së rezultatit.

Ka përfunduar numërimi edhe në Dropull, ku ka fituar kandidati i APPD­së, Arqile Deçka.

Fitore e së Djathtës pritet dhe në Shkodër, pasi Voltana Ademi është shumë në avantazh përballë Keti Bazhdarit.

Mbetet të shihet sot nëse do të ketë surpriza.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here