Shqipëri, zbulohen disa specie të rralla shpendësh në Parkun e Divjakës

0

Zbulohet një koloni e re shpendësh në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë. Shoqata Ornitologjike Shqiptare (AOS) përcjell informacionin për një gjetje të veçantë në zonën e Kularit (Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta), ku një koloni e re e çafkave dhe Karabullakëve u zbulua nga ekipi i AOS më 28 Qershor 2015.

Sipas Taulant Binos, ornitolog dhe president i AOS, është një gjetje vërtet e madhe, sepse sot kolonia e Kularit përfaqëson të vetmen koloni të çafkave në Shqipëri. Ky zbulim merr edhe më shumë vlerë nëse merret parasysh se kolonitë e dikurshme të çafkave në Shqipëri, të ndodhura më në veri, në deltën e Drinit dhe në Velipojë, janë zhdukur që prej 20 vjetësh më parë.
Kolonia u zbulua pas disa ditësh kërkimesh që mbuluan pjesën veriore të kompleksit ligatinor të Divjakës. Zbulimi u krye në zonën e Kularit, kufizuar në veri nga lumi Shkumbin, në lindje nga zonat kënetore të fshatit Sulzotaj, në jug nga kanali i Tërbufit dhe në perëndim nga rrjedha e vjetër e lumit Shkumbin. Foletë ishin ndërtuar mbi një pyll marinash të përmbytura, në një

zonë që përdoret edhe si fjetore për çafkat dhe Karabullakët. “Aksesi është shumë i vështirë për shkak të nivelit të lartë të ujërave dhe dendësisë së kallamishteve dhe pemëve”, thotë për ATSH-në, Taulant Bino.
Kolonia përbëhet nga 400-600 fole. Pjesa më e madhe i takon Karabullakut të vogël. Llojet e tjera folëzuese janë çafka e natës (Nycticorax nycticorax), çafka e verdhë (Ardeola ralloides), çafka e vogël e bardhë (Egretta garzetta) dhe ndoshta çafka e madhe e bardhë (Egretta alba), çafka e përhime (Ardea cinerea) dhe Karabullaku i madh (Phalacrocorax carbo).

“Kjo gjetje rrit edhe më shumë rolin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta si zona më e rëndësishme për larminë biologjike në Shqipëri dhe rajon. Zbulimi i kësaj kolonie është një arsye më shumë për të vazhduar përpjekjet për mbrojtjen e kësaj perle të natyrës shqiptare”, shprehet Bino.

Parku Kombëtar i Divjakës, tashmë është kthyer edhe në një destinacion për turizmin e vëzhgimit. Me dhjetra vizitorë futen aty çdo ditë për të parë nga afër specie të rralla të faunës dhe florës vendase. ATSH

div5-600x400

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here