Shqipëria sot po voton, në 61 bashki

0

Çdo person që ka mbushur moshën 18 vjeç mund t’i drejtohen sot kutisë së votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë, por edhe këshillin bashkiak në Shqipëri. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara vendore, gara këtë herë do të zhvillohet në 61 bashki, kjo pas ndarjes së re territoriale që reduktoi ndjeshëm njësitë vendore. Qytetarët mund t’u drejtohen qendrave të votimit nga ora 07:00 e mëngjesit kur shënohet hapja e tyre, deri në orën 19:00. Vendimi final i qytetarëve vjen pas një fushate intensive të partive politike që janë pjesë e garës.
Hapja e qendrave të votimit

Çdo qytetar që do të bëhet pjesë e procesit zgjedhor duhet të ketë verifikuar tashmë emrin e tij në listat zgjedhore, të afishuara në vende publike, pranë komunave dhe bashkive aktuale, ose pranë zyrës së gjendjes civile, por edhe në faqen online të Ministrisë së Brendshme apo Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mbi bazën e përcaktimit të kësaj liste, ai mund t’i drejtohet qendrës së përcaktuar të votimit nga ora 07:00 e mëngjesit kur shënohet hapja e tyre, deri në orën 19:00.

Por në bazë të përcaktimeve ligjore, çdo qendër votimi mund të qëndrojë hapur edhe përtej këtij afati, nëse ka votues që presin në radhë. Verifikimi më herët i emrit në listën zgjedhore, duke mësuar dhe numrin përkatës rendor të cilin mund t’ia përcjellë komisionerit në qendrën e votimit, do të ndihmonte në përshpejtimin e këtij procesi. Ligji zgjedhor garanton të drejtën e votës për çdo person që ka mbushur moshën 18 vjeç, por ndërkohë parashikohen dhe procedurat ligjore për të evituar votim të dyfishtë apo parregullsi të tjera ligjore.

Procesi i votimit

Për të evituar votimin për herë të dytë, çdo person që paraqitet për të votuar, timbrohet. Në rastet kur para anëtarëve të QV-ve shfaqen persona që kanë shenjën përkatëse, ata nuk pajisen me fletë votimi dhe emri i tyre shënohet në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së dhe atij nuk i jepet fletë votimi. Ndërsa në rastet kur përpara KQV-së paraqitet një zgjedhës, i cili nuk është regjistruar në listën përfundimtare të zgjedhësve, por është i pajisur me vendim gjykate, i cili i jep të drejtë të votojë në atë qendër votimi, KQV-ja shënon emrin e zgjedhësit në një regjistër të posaçëm, numrin e dokumentit të identifikimit dhe bashkëlidhur vendimin e gjykatës.

Pas kësaj procedure, edhe këta persona mund t’i drejtohen dhomës së fshehtë për të zgjedhur të preferuarin e tyre. Një shenjë në krah të emrit të kandidatit që do të zgjedhë është e mjaftueshme për të konsideruar të vlefshme një fletë votimi. E njëjta procedurë ndiqet dhe në fletën e dytë të votimit, por këtë herë shenja vihet krah emrit të partisë që do të zgjedhë si propozuese të këshilltarëve vendorë. Për çdo problem që zgjedhësit mund të kenë ditën e votimit duhet t’i drejtohen sekretarit apo kryetarit të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.

Detyrat e komisionerëve

Kryetari i KQV-së ka për detyrë të hapë qendrën e votimit në orën e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, ndërkohë që sekretari i KQV-së shënon në Librin e Protokollit të Mbledhjeve çdo largim apo kthim të mundshëm të komisionerëve. Kur nga QV-ja largohet kryetari, ai i kalon vulën për përdorim anëtarit tjetër me të njëjtën përkatësi politike deri në çastin e rikthimit të tij. Sekretari i KQV-së bën shënimin përkatës në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së. Kur sekretari largohet nga qendra e votimit, vula e KQV-së dhe Libri i Protokollit të Mbledhjeve i kalojnë për përdorim zëvendëskryetarit, deri në rikthimin e sekretarit të KQV-së.

Në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së bëhet shënimi përkatës për pasqyrimin e këtij fakti. Pasi mbyllen qendrat e votimit, kryetari i QV-së informon anëtarët për numrin e zgjedhësve që kanë votuar dhe e shënon atë në procesverbalin për mbylljen e votimit dhe në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQVsë. Procesverbali përmban dhe numrin e fletëve të votimit të përdorura, fletët e dëmtuara apo të mbetura. Të gjitha dokumentet hidhen në kutinë e materialeve zgjedhore e cila së bashku me kutitë e fletëve të votimit dërgohen në Vendin e Numërimit të Votave ku bëhet dhe numërimi i tyre nga GNV-të përkatëse.

Të arrestuarit në gjykatë për të votuar

Në Gjykatën e Tiranës, prej 11 majit deri në mëngjesin e sotëm, janë kryer gjithsej 78 seanca gjyqësore për t’u dhënë leje për të votuar personave, që më datën 21 qershor do të jenë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Mes personave që dolën para gjykatës për të kërkuar leje votimi ishte edhe Dritan Dajti, i cili akuzohet për vrasjen e katër policëve. Seanca ndaj tij u mbajt dje në Gjykatën e Tiranës.

Gjithashtu mes emrave që kërkuan leje votimi ishin edhe ato të Klejvi dhe Markeljan Doçi, të përfshirë në vrasjen e trefishtë ndodhur në Tiranë një muaj më parë. Në listën e të pandehurve që do të votojnë, mes të tjerash, është edhe Genci Ferhati, i cili dyshohet për gjobëvënie ndaj një biznesmeni dhe Gjoana Hila, e cila akuzohet se grabiti dhe vrau gjyshen e saj në Shkodër.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje ngritjen e dy qendrave të votimit në burgun e Peqinit dhe atë të Rrogozhinës. Sipas kryetares së KQZ-së, Lefteri Luzi, të gjithë të burgosurit do të votojnë në këto dy institucione të vuajtjes së dënimit. Nga ana tjetër, Luzi theksoi se qendrat do të pajisen me infrastrukturën e duhur për votimin.

Emra fiktivë në Durrës e Kavajë, KQZ-ja rrëzon kërkesën e PD-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzon kërkesën e koalicionit Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet për të çregjistruar zgjedhësit, që sipas demokratëve janë regjistruar në mënyrë fiktive në bashkinë e Durrësit dhe atë të Kavajës. Vendimi i KQZ-së erdhi pas ankimimit të demokratëve në Kolegjin Zgjedhor, i cili i la detyrë KQZ-së që të shprehej me vendim. Por edhe pse kishin debatuar në dy mbledhje të tjera, përfaqësuesit e partive politike dhe anëtarët e KQZ-së sërish janë përplasur në qëndrime lidhur me çështjen.

Debatet

“Ne besojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka të gjitha mundësitë, besoj se ky është edhe vlerësimi i Kolegjit Zgjedhor për sa kohë e ktheu këtë çështje në vëmendjen e KQZ-së, dhe vendosi që KQZ ta trajtonte me vendimmarrje”, tha Ivi Kaso, përfaqësues ligjor i PD-së. Por për socialistin Gençi Gjonçaj, kjo kërkesë ishte e parealizueshme dhe këtë e dinë, sipas tij, dhe vetë ankuesit. “Edhe sikur të dojë drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, që të shkelë ligjin dhe të miratojë këtë kërkesë të paligjshme të Partisë Demokratike, nuk e bën dot. Minimalisht, një emër sikur të ndërrohet apo të lëvizë, kërkon një investim 72 orësh”, deklaroi Gjonçaj.

Ndërkohë që edhe anëtarët janë ndarë në qëndrime. “Nëse në mënyrë të qëllimshme i lëmë gjërat të rrjedhin dhe afatet ligjore të tejkalohen, e pastaj të thuhet se u kaluan afatet dhe tashmë s’kemi më mundësi, kjo besoj se nuk na përjashton nga përgjegjësia, askënd prej nesh”, tha Vera Shtjefni, anëtare e KQZ-së. Por për nënkryetarin Denar Biba, kjo çështje nuk është në kompetencën e KQZ-së. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka një instrument ligjor për ta marrë këtë lloj vendimi dhe në lidhje me thelbin e çështjes, nëse do të merrej ky vendim në mënyrë të tillë abuzive, pa bërë asnjë lloj selektimi në këta 2800 emra, ne nuk i kemi kapacitetet për ta bërë këtë lloj selektimi, ne do të cenonim të drejtat dhe liritë kushtetuese qoftë edhe të një qytetari”, tha Biba. Kundër tij doli anëtari Klemet Zguri i cili theksoi se tashmë pranohet nga çdokush që listat kanë parregullsi.

“Çdokush pranon që me listat ka parregullsi. Por a është korrekte që të mos i lejojmë të votojmë? Le të shkojnë të votojnë atje ku kanë banimin realisht , duke i transferuar aty edhe përmes vendimeve të gjykatës”, tha Zguri. Edhe Hysen Osmanaj theksoi se vetë organi akuzës ka faktuar shkeljen e ligjit. Por për kryetaren e KQZ-së, Lefteri Luzi, institucioni që ajo drejton tashmë e ka bërë punën e tij. “Ka të dhëna që ka mashtrime, dhe sigurisht që ka. Le të dënohen të tërë duke nisur nga kryetari, ai i Gjendjes Civile dhe kush i ka bërë të gjitha këto. Listën do ta gjejë prokurori dhe gjykata që e ka marrë përsipër. Ne po bëjmë shfaqjen e radhës dhe është turp ta bëjmë sot, një ditë para zgjedhjeve, për një gjë që nuk ka zgjidhje. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, edhe subjekti zgjedhor, për mosrealizimin e kësaj që kërkohet. Ky është turp për KQZ-në, jo vendimmarrja e mëparshme, që i kemi çuar dosjet prokurorisë”, tha Luzi, duke u propozuar anëtarëve të shpreheshin me votë. Kërkesa u rrëzuar me 3 vota pro dhe katër kundër.

61 bashkitë e reja, numri i zgjedhësve për çdo njësi

Bashkia Berat 77631

Bashkia Kuçovë 43366

Bashkia Poliçan 13925

Bashkia Skrapar 14602

Bashkia Ura Vajgurore 29469

Bashkia Bulqizë 29065

Bashkia Dibër 56322

Bashkia Klos 15326

Bashkia Mat 29291

Bashkia Durrës 233227

Bashkia Krujë 58603

Bashkia Shijak 33667

Bashkia Belsh 24037

Bashkia Cërrik 35010

Bashkia Elbasan 158751

Bashkia Gramsh 27003

Bashkia Librazhd 32304

Bashkia Peqin 28331

Bashkia Prrenjas 24174

Bashkia Divjakë 40571

Bashkia Fier 154652

Bashkia Lushnjë 99894

Bashkia Mallakastër 31861

Bashkia Patos 33833

Bashkia Rroskovec 24097

Bashkia Dropull 19969

Bashkia Gjirokastër 42373

Bashkia Këlcyrë 9784

Bashkia Libohovë 5797

Bashkia Memaliaj 16631

Bashkia Përmet 16348

Bashkia Tepelenë 12838

Bashkia Devoll 33169

Bashkia Kolonjë 15953

Bashkia Korçë 106478

Bashkia Maliq 48323

Bashkia Pogradec 69488

Bashkia Pustec 4296

Bashkia Has 15183

Bashkia Kukës 43021

Bashkia Tropojë 21376

Bashkia Kurbin 54589

Bashkia Lezhë 80773

Bashkia Mirditë 28158

Bashkia Fushë – Arrëz 9165

Bashkia Malësi e Madhe 42426

Bashkia Pukë 12504

Bashkia Shkodër 157331

Bashkia Vau i Dejës 37223

Bashkia Kamëz 89679

Bashkia Kavajë 60466

Bashkia Rrogozhinë 29928

Bashkia Tiranë 608829

Bashkia Vorë 27496

Bashkia Delvinë 14789

Bashkia Finiq 29668

Bashkia Himarë 22392

Bashkia Konispol 10950

Bashkia Sarandë 43214

Bashkia Selenicë 27099

Bashkia Vlorë 153488

Si të votohet, dokumentet që duhen

Kodi Zgjedhor përcakton saktësisht dokumentet që duhet të ketë me vete çdo qytetar që i drejtohet qendrës së votimit për t’i dhënë një votë kandidatit që sipas tij, duhet të jetë kryetari i ri i bashkisë. Sipas këtyre përcaktimeve, pasi zgjedhësit hyjnë në qendrën e votimit, duhet të paraqesin para komisionerëve letërnjoftim ose pasaportë. Një prej anëtarëve, i caktuar me vendim të KQV-së, kontrollon zgjedhësit në të dy duart, nëse është timbruar (pra që ka shenjën e zezë në gishtin e madh) ose jo, me lëndën e posaçme.

Ndërsa kryetari verifikon të dhënat në listën e zgjedhësve, ku shënon dhe emrin e dokumentit të identitetit. Pas nënshkrimit të votuesit krah emrit të tij, njëri nga anëtarët e pajis atë me dy fletë votimi, njëra për kryetarin e bashkisë dhe tjetra për këshillin bashkiak. Zgjedhësi i drejtohet më pas dhomës së fshehtë, ku shpreh vullnetin e tij nëpërmjet votës dhe më pas fletët e votimit, të palosura në mënyrë që të fshehë votën, i hedh në kutitë përkatëse të votimit./Shekulli/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here