Shqipëri, sirianët pranë kufijve, pritet dyndja

0

Tashmë mbërritja e sirianëve në Shqipëri duket e pashmangshme. Përpos agjencisë gjigante të lajmeve “Euronews”, e cila paralajmëroi përdorimin e Shqipërisë si vend transit edhe gazeta britanike “Sunday Time” e konfirmoi dje një gjë të tillë.

Kjo gazetë paralajmëron sërish se Shqipëria rrezikohet nga fluksi i emigrantëve për shkak se Maqedonia ka vendosur kontrolle të ashpra në territorin e saj. Ndërkaq, Shemsi Prençi, drejtor i emergjencave civile pranë Ministrisë së Brendshme, i ka thënë kësaj gazete se “Ne do të kthejmë tre ish-qendra ushtarake në vende pritjeje për emigrantët”. Më tej ai ka shtuar se “Nëse nuk do të jetë e pamundur të ndalim fluksin, do t’i akomodojmë emigrantët në disa hotele shtetërore që janë përdorur për pushimet e ushtarakëve në bregdetin shqiptar”.

Lajmi se Shqipëria mund të shërbejë si rrugë kalimi për emigrantët e ardhur nga Siria u bë i ditur disa muaj më parë. Një gjë e tillë u pohua edhe nga autoritetet vendase përfshi edhe Kryeministrin Edi Rama. Referuar burimeve zyrtare të Ministrisë së Brendshme, Gjirokastra, Saranda dhe Korça janë tri zonat ku kanë nisur përgatitjet, nëse sirianët do të vërshojnë drejt Kakavijës, Kapshticës dhe Qafë-Botës. Prej kohësh është paralajmëruar ndryshimi i linjës Greqi-Maqedoni. Organizata të huaja si UNHCR, IOM, Kryqi i Kuq, “Save the Children”, UNICEF etj., u kërkojnë vazhdimisht autoriteteve shqiptare që të merren masat. Ato kanë ofruar çadra, kontejnerë, ushqime, veshmbathje, ilaçe dhe mjete të tjera për këto raste. Pra, mes masave përfshihet edhe ngritja e të paktën 5 mijë çadrave në Gjirokastër, Sarandë dhe Korçë. Në shtator të këtij viti drejtori për kufirin në Policinë e Shtetit, Genc Merepeza, tha për gazetën “Shqip” se kishin nisur përgatitjet për evidentimin e disa objekteve në Gjirokastër dhe fushave ku mund të ngriheshin deri në 5 mijë çadra. Në tetor, rrjeti prestigjioz i lajmeve “Euronews” shtoi se vala e refugjatëve do të përshkruajë Shqipërinë për të mbërritur në gadishullin Prevalka të Kroacisë, duke kaluar më parë në Malin e Zi.

Para pak javësh, përfaqësues të UNHCR-së, gjatë bisedimeve me zyrtarët shqiptarë kanë hedhur idenë për strehimin në Shqipëri të 3000 deri në 4000 emigrantëve sirianë. UNHCR gjithashtu mësohet të ketë kërkuar që Shqipëria të shërbejë edhe si një bazë regjistrimi për refugjatët. Zv/ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, është shprehur se është ndërmarrë një analizë e riskut në rast se ky grup njerëzish ndryshon kurs, pra, përdorin Shqipërinë si vend transit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here