Shpresën e shohim larg atdheut

0

‘O vendi ynë shumë të duam ty, nuk të ndërrojmë më asgjë në botë!…’ – Ishin këto fjalët që shumë herë u dëgjuan gjeneratë pas gjenerate, nga stërgjyshërit deri tek gjyshërit e edhe prindërit tanë.

Atdhedashuria ishte e pashoqë tek ne, si shqiptarë. Shpresa se një ditë do bëhej më mirë, se një ditë kur të vijë liria të rinjtë e këtij vendi do shkollohen lirshëm, do të kenë një punë, do jetojnë dinjitetshëm, duke pasur mundësi të krijojnë një familje, gjë që është e drejtë e ëndërr e shenjtë e çdo njeriu në univers, ishte kjo ajo që vite të gjata e shekuj me radhë okupimi na mbajti të gjallë.

E sot, në vitin 2015, një dekadë e gjysmë pas luftës së fundit, cila është shpresa që duhet të na mbajë gjallë? Apo thënë ndryshe ku mbeti ajo shpresë që kishim? Kush janë ata që shkatërruan shpresën duke mbjellë varfërinë në vend të saj? Kush janë ata që po e ushqejnë rininë dhe qytetarët me bukën e gatuar me brumë të së keqes? Kush janë ata që rrënuan ëndrrën e një popullate të tërë? Kush janë ata, apo ç’janë ata që nuk po solidarizohen me qytetaret e përvuajtur? Pse këta njerëz që e sollën Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme asnjëherë nuk e pyesin veten pse po ik rinia nëpër vende të Evropës? Pse po shkojnë bijtë e Kosovës për të luftuar në një vend të huaj, të quajtur Siri, vend ky që bijtë tanë po i frymëzon më ideologjitë më të errëta, që po i bënë kundërshtarë të vetvetes, kundërshtarë të familjes, kundërshtarë të kombit, kundërshtarë të botës demokratike dhe kundërshtarë të vet zotit! Me ideologji të errëta që sot po sfidojnë edhe vendet me përparimtare, siç është rasti i fundit i sulmeve terroriste në Francë që e destabilizoj të gjitha shtetet demokratike të botës.

Shkaku i të gjitha këtyre gjërave që po ndodhin në vendin tonë qytetarët më nuk besojnë as në qeveri, as në protesta, as në drejtësi, as në Republikën që nuk u jep bukë. Ky pasivitet i qytetarëve Kosovën e ka sjellë në buzë të kolapsit, e nëse kthehemi para erës sonë Kleopatra kur nuk u jepte miell për bukë qytetarëve e saj, e gjuanin me gurë, e kur u jepte bukë, e donin. Ndërsa pushtetarët tanë jo që nuk po na japin miell për bukë por çdo ditë po mundohen që edhe kafshatën e gojës të na e marrin. Jeta po shkon e qytetarët nuk mund të ta përballojnë këtë ferr.

Qeveria jonë para se t’i gjykoj ata që po ikin, para se tu kërkojë atyre të qëndrojnë, duhet të filloj hapat e një rilindje të një shpresë të re, duhet të solidarizohet me ta, sepse edhe ata që po ikin janë bijtë/bijat e këtij vendi.

Për ti kthyer shpresën këtij populli të përvuajtur duhet bërë një hap, një hap të vërtet drejtë një ekonomie të shëndoshë, një ekonomie që fillon të krijojë punësim për të gjithë këtë rini që u arsimua më shumë sakrifica e që sot me një diplomë universitare në dorë gjendët para një realiteti më dyer të mbyllura.

E nëse kaq shumë vite nuk arritët të merrnit një hap në drejtim të krijimit të një jete në këtë vend për të gjithë ata prindër dhe për këtë rini të shëndoshë që për çdo shoqëri të civilizuar do ishte motor zhvillimi ekonomik, ndërkohë që ju për gjatë gjithë këtyre viteve këto resurse njerëzore i përbuzët, e aq më keq nëse prapë nuk po ndërmerrni asgjë në këtë drejtim, cila do të jetë arsyeja që ju do iu jep kurajo të dilni

sot para atyre e të u thoni të mos ikin? A mos vallë mendoni t’u thoni të ëndërrojnë akoma? Të shpresojnë që një ditë do agojë e që gjithçka vetvetiu si për çudi, si nëpër përralla do të behët më mirë? Apo do t’iu thoni të jetojnë me ideale? Po nëse mendoni t’u thoni të veprojnë kështu, a e pyesni vetën së pari se sot s’jemi të okupuar, se sot s’jemi në gjendje lufte, në mënyrë që populli ynë të shpresoj e të ëndërrojë se me lirinë do të vijë gjithçka e mirë.

E nëse as edhe këtë reflektim nuk arrini ta bëni në veten tuaj atëherë pse nuk ikni nga pushteti të cilin me pazare e fituat? Pse nuk pranoni pa-aftësinë tuaj për të punuar në të mirën e këtij vendi? Pse nuk i hapni rrugën atyre që dinë e duan të punojnë në të mirën e këtij vendi, e në të mirën e qytetarit të këtij vendi, ata që mund t’i kthejnë dinjitetin qytetarit të tij, që mund të i japin atij mundësi të jetojë e të ndërtojë jetën në vendin e tij, e që mund të bëjnë të mundshme të i jepet fund përgjithmonë eksodit dhe lajmeve të errëta se si shqiptari vdes i ngrirë nga acari në kufijtë e Evropës dhe si Kosovarët qëndrojnë në kampet e Hungarisë në përpjekje për një jetë më të mirë që qeveria e vendit të tij ia mohojë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here