Shpresat për vendin e synuar,”ëndrra me sy hapur”-intervista e një azilkërkuese shqiptare

0

Një azilkërkuese – studente e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, ndodhet në një kamp në Gjermani.Ajo ka përshkruar në detaje arsyet e vendimit për braktisjen e vendit. Thotë se e shqetësonte shumëçka. Shpresat për vendin e synuar i quan “ëndrra me sy hapur”.Në intervistë – që e ka realizuar sociologu Shemsi Krasniqi – ajo ka përshkruar në detaje përvojat e udhëtimit nëpër Serbi dhe Hungari.

A mund t’i përshkruani rrethanat e krijuara në familjen tuaj, para se ta lëshonit shtëpinë?
Azilkërkuesja: Hmmm!!!… Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Ishte një nip i bashkëshortit ai që na kërkoi në telefon për të na njoftuar se do të udhëtonte për të kaluar kufirin ndërmjet Serbisë, për në Hungari, e nga atje për në vende tjera të BE-së. Pas bisedës me të, edhe neve na u krijua një përshtypje se edhe ne ishim gati ta braktisnin vendin për shumë arsye, duke filluar nga moszhvillimi i shtetit, qeveria e korruptuar, por gjithsesi edhe nga gjendja ekonomike e ultë.

Çka ju shqetësonte më së shumti?
Azilkërkuesja: Në të vërtetë më shqetësonte shumëçka. Mendoja si do të ishte rruga, si do të mund ta kalonim kufirin pa u vërejtur. Fëmijët i kisha, e shqetësohesha se mos po ju ndodh ndonjë gjë gjatë rrugës …!

E shpresat?
Azilkërkuesja: Shpresat?! Në këtë rast do t’i quaja ëndrra, sepse unë asaj kohe vetëm po ëndërroja me sy hapur… A e din pse? Sepse mendoja që gjithçka do ishte e lehtë dhe do të kalonim kufirin pa problem. Edhe pse diçka brenda vetës më thoshte se jo gjithçka do të jetë në rregull!

Si e përshkruani ditën kur dolët nga shtëpia? Sa ka qenë i vështirë vendimi për tu shpërngulur?
Azilkërkuesja: Ne me burrin vendosëm që të provonim fatin si shumë të tjerë që ia mësynë asaj rruge. Ishte 28 janari, ishte pikërisht ditëlindja ime. Unë mora një ëmbëlsirë dhe shkova tek familja ime që ta ndaj festën me ta. Por kjo nuk ishte arsyeja e vetme, sepse edhe duhej t’i njoftoja për vendimin që kishim marrë … “Shumë njerëz po dalin – i thash babit. Si duket në Kosovë s’do me mbet askush! Po s’kanë faj të shkretët! Iu ka ardhur shpirti tek hunda me këtë qeveri e me këta njerëz. Edhe na po shkojmë, Babi” – ju drejtova me gjysmë zëri… “Jo ishalla … – m’tha. Po, pse ju?! Çka po ju mungon juve?!” Kështu më kujtohen fjalët e babit i cili vazhdimisht kërkonte që të pendohemi e mos të fillojmë atë rrugëtim. Por si duket ka qenë e shkruar ta përjetojmë.

A mund të na tregoni ndonjë hollësi ose diçka që ju ka mbet në kujtesë nga momenti kur e keni lëshuar shtëpinë? Ju lutem përshkruani ndonjë moment të cilin fare nuk e keni paramenduar, por e keni përjetuar!
Azilkërkuesja: Në momentin që dolëm nga shtëpia, mu ka kujtu koha e luftës. Ikjet nga okupatori serb! E tash …! Kush po na largon?! – i thash vetës. Por ne tashmë kishim vendosur dhe këtu fillon udhëtimi dhe përvoja e hidhur. Momentin të cilin s’e kam paramenduar, por e kam përjetuar, është kolona e gjatë e autobusëve që po prisnin ta kalonin kufirin Kosovë – Serbi. Atëherë, metë vërtetë u binda që ne s’ishim të vetmit që morëm atë rrugë.

A mund të tregoni se cili është shkaku kryesor për çka e keni lënë vendin?
Azilkërkuesja: Shkaku kryesore për largimin nga vendi e ka vet qeveria e korruptuar e vendit tonë. Mos hapja e vendeve të punës, parregullsitë që po na përcjellin tash e 15 vite pas luftës.

A mund të na përshkruani udhëtimin që keni bërë pasi keni dalë nga shtëpia?
Azilkërkuesja: Nga shtëpia deri në Nish të Serbisë ishte gjithçka OK. Askush nuk na ndali, bile as në Merdare, ku kaluam kufirin. Askujt s’i bënte përshtypje dalja masive e tanë atyne njerëzve. Por kur arritëm në Nish, na ndali patrulla serbe. “Ku po shkoni?” – na pyetën. “Po dojmë me hangër bukë diku, se jena lodhë prej rrugës”-tha shoferi. “E këta njerëz, ku po i qon?”- i tha, “për Hungari a?”.“Po – tha, po dojnë me shku në Hungari, e tani në Gjermani”. “Ok, m’i jepni pasoshat”, na tha polici. Na të gjithë: “jo s’kem pasosha”. “Eeee…” – tha, “qysh po doni me shku në Hungari?”Shoferi tha:“I kanë mashtru njerëzit, po thonë se veç me letërnjoftim kalon”. Qeshi ai polici e tha: “Jo letërnjoftimin mbane në xhep, e dilni malit, si krejt ata të juajt që po dalin…”Nuk na bani problem, na lëshoi, por na i morri shënimet e tha: “Për 24 orë me lëshu Serbinë! Kah doni shkoni!”

Si dhe sa keni qenë të përgatitur për udhëtim? Çka mendonit dhe çka ndjenit gjatë udhëtimit?
Azilkërkuesja: Për udhëtim kemi qenë të përgatitur mjaft mirë. Kishim me veti gjëra ushqimore vesh-mbathje, batanije. Mendoja si do të ishte të kalonim në mënyrë ilegale! Ndjeja frikë për fëmijët!

A na i tregoni përjetimet ose përvojat që i keni pasur gjatë udhëtimit?
Azilkërkuesja: Përvojë shumë të keqe kam kaluar – beso. Nuk e kam paramenduar asnjëherë, nuk mund ta imagjinoja çka po ndodh…!Pas marrëveshjes me njerëzit që paguheshin për kalim ilegal, na futën shpejt e shpejt nëpër vetura. Ishim diku 20 persona që na futën në tri vetura. Pasi bëmë 10 minuta me veturë, na ndali në mes të autostradës,dhe tha dilni shpejt prej veturës e lëshojuni poshtë ne kanal tek skaji i rrugës, diku një metër thellësi. U fshehëm nja 5 minuta aty, deri sa në rrugë nuk pamë drita të veturave, pasi ishte errësirë se ishte diku ora 18:00. Ashtu shpejt e shpejt e kemi kaluar rrugën si kemi mujtë, e ia kemi mësy arave. Sa kemi mujtë me ec shpejt, për me iu largu sa më shpejt rrugës kryesore.

Si ju kujtohen pamjet e atyre që iknin? (Sa njerëz ishin, dhe si dukeshin ata?) A i ndihmonin njëri-tjetrit? A mund të tregoni shembuj konkret të ndihmës? E të mungesës së ndihmës?
Azilkërkuesja: Pamje marramendëse! Të bënte të mendosh se po xhironim film! Kishte shumë njerëz, gra, burra, fëmijë…. Dukeshim si të tërbuar! U futëm në një labirinth që as vet se dinim ku e kishte fundin. Por të gjithë ishin shumë humanë. Sidomos ata që ishin djem të rinj. Kanë ndihmu shumë në fëmijë të vegjël e në valixhe.

Shembull konkret ka qenë kur një grua nga lodhja pësoj si lloj alivanosje, e ai nipi e ka pas afër e i ka gjuajt ujë fytyrës deri sa ju kthy vetëdija.
S’kam pa naj mungesë të ndihmës, por të gjithë e kemi pyet njëri-tjetrin: a po muni; a jeni lodhë; a keni nevojë për naj gjë…

Si i vlerësoni sjelljet e shqiptarëve/kosovarëve? E sjelljet e serbëve? E të hungarezëve ? E të gjermanëve? Në përgjithësi a kishte mirëkuptim për juve apo kishte keqkuptim, nënçmim dhe maltretim ? Si ju dukej vetja në raport me më parë?
Azilkërkuesja: Shqiptarët silleshin mirë. Të gjithë përshëndesnin, na pyesnin a kemi nevojë për ndihmë, ne që ishim me fëmijë … Me serbë, nuk jemi takuar. E kaluam kufirin pa problem, vetëm ashtu duke ecur. Pasi udhëtuam diku 5 orë e 20 minuta, arritëm në qytet Szegen. Por aty na priste policia. Na mblodhën të gjithëve me një vend grumbull dhe na morën dokumentet. Ata që patën fat të shpëtonin nga hungarezët ikën me taksi drejt për Budapest. Ndërsa ne që kishim fëmijë nga lodhja edhe keqardhja e fëmijëve që i morëm n’qafë, nuk kishim mundësi me ba as një hap me shumë. Ata na morën rresht për një e na futën në kamionë të blinduar që transportohen të burgosurit. Ishin kamionë me krejt grila, që vetëm pamja e tyre të friksonte. Bëmë nja 1 orë rrugëtim deri tek stacioni policor ku na dërguan.
Atje garazhet e veturave të policisë shfrytëzoheshin për kamp. Kishte shumë njerëz sa që më s’kishin ku të na vendosnin neve. Ishte ora diku 11:30 e natës. Na rreshtuan midis oborrit resht për një, pa guxu me livritë. Unë e kisha një çantë me tesha. I kam ulë dy fëmijët në të edhe i kam mbështjell me batanije. Edhe janë ulë midis rrugës. I kam kapë, i kam shtrënguar fëmijët se kishin shumë të ftoftë. Por nuk m’kanë thanë me u qu me u rreshtu. Kam nejtë qashtu afër fëmive plot 2 orë, midis të ftohtit. Tani për me na shti neve mrena, në njërën prej garazheve, ata i kanë hjekë një grup tjetër. Kur kena hy aty, janë kanë nja tre shtretër, edhe tjerët krejt ka një qebe shtritë në pllaka, edhe nga një tjetër me u mbulu, se edhe pse mrena, u kanë shumë ftoftë, se ato dhoma të improvizuara. Qashtu e kena kalu natën. Diku 200 veta jena kanë në atë dhomë. Kush ka mujtë u shtri pak, dikush, dikush edhe ulun ka fjet …Tmerr! Me t’vërtetë, tmerr!!! Rrëqethem edhe kur po e mendoj! Gjatë gjithë asaj nate kam qajtë tu e pyet vetën, pse u nisëm?! Pse dolëm?! Pse i morëm fëmijët n’qafë?! Fëmijët janë pika ime e dobët. S’mujsha me mendu që jena tu u përballë me atë situatë…!!!
Në mëngjes, një grua e ka hapë atë derën e garazhit dhe i ka kërku policit me shku në tualet. I ka bërtitë e i tha:“Jo s’ka me shku! S’je në hotel, por në stacion policor!” Kjo gruja filloi me qajtë se tha unë ma nuk muj me duru. Tha veç me urinu në tesha, s’kam zgjidhje…! E jam qu kadalë, e kam marrë një qebe, e ia kam ofru që me e mbrojtë pak, mos m’u dokë, se ishte plot njerëz aty. Po për fat ishin në gjumë, se nga lodhja…E qashtu ajo gruaja e ka marrë një pampers të fëmisë, e ka qit përfundi, e qaty ka urinu… Jam çmendë, se as në luftë qata se kam parë…!!! Ajo gruaja gati pësoj infarkt, se veç u dridhke, u zverdh! Krejt normal, nga keqardhja se u detyru me kry nevojën aty, por edhe nga frika se mos po e shihte najkush…! Me një fjalë, katastrofë!!!

Si ndjeheshit si refugjat? Çka ju mundonte më së shumti?
Azilkërkuesja: Ndjenja më e keqe e mundshme! Gjithçka, veç trajtimi që na bënin, sikur të ishim kafshë ne!

Si e krahason Eksodin e vitit 1999 me këtë të vitit 2015. A ju ka shkuar ndërmend atëherë se pas 15 viteve përsëri do ta lëshoni vendin dhe do të bëheni refugjate?
Azilkërkuesja: Ndonëse në vitin 1999 kishim një arsye më të fortë për t’u larguar apo thënë më shkurt, ishim të detyruar të largoheshim. Ndërsa tani në 2015 ishim ne ata që e morëm vetën në qafë! Asaj kohe kam qenë e vogël, por shumë gjera i kujtoj, por në dallim me këto të fundit, ato mbesin zero. Vuajtjet e shqiptarëve në kampet e Hungarisë shiheshin thellë në sytë e tyre. Ajo që kam ndëgju prej shumë njerëzve, ka qenë: “Kush ke ai që e bëri këtë politikë, që populli po vuan…!!!”
Kurrë s’e kam mendu se kam me u ba refugjate! Sinqerisht, vdekjen e kam mendu që muj në çdo kohë me vdekë, por për me u ba refugjat, kurrë asnjëherë, por, ja që ndodhi!…

A mund të tregoni, a mendoni për tu kthyer e për të jetuar ndonjëherë në Kosovë?
Azilkërkuesja: Ende nuk kam pushu nga lodhja e rrugës që të mendoj për kthim prapa, s’paku tani për tani. Por në momentin që mora këtë rrugë, qëllim kryesor ishte e ardhmja e fëmijëve të mi. E këtë të ardhme nuk e shoh në Kosovë!
Një vend që 15 vite pas luftës nuk ndërmerr asgjë për popullin e vet! S’ka diskutim, njerëzit i kanë humb shpresat!
Nëse në një të ardhme të afërt do të kishte përmirësime, po, do të kthehem, përndryshe jo. Vetëm nëse nuk boj naj zgjidhje këtu. Do mundohem që fakultetin ta vazhdoj që mos ta humb rastin në profesionin tim, por sido qoftë, le të bëhet vullneti i Zotit. Nuk e di si mund të veprojnë të tjerët, por e shoh që njerëzit e kanë humb arsyen. Janë lodhë më…!
Por në të njëjtën kohë, ndjej keqardhje, sepse nuk e dijnë se çfarë i pret rrugëve; se nëpër çfarë sfida do të kalojnë…!

Cila është porosia ose mesazhi juaj për kosovarët?
Azilkërkuesja: Ne shqiptarët e kemi një të metë të madhe. Se edhe me u mundu dikush me na ndihmu, ne e marrim për të keq.
E them këtë, sepse pasi arrita këtu në Gjermani, i kam marrë në tel të gjithë të afërmit që kanë planifiku me dalë, edhe ata në të njëjtën mënyrë, si unë. I kam lutë, iu kam thënë, mos gaboni me dalë, se nuk mundeni me marrë me mend se nëpër çka kemi kalu ne! Sepse mua nuk ka pasur kush me m’tregu si shkon ajo procedurë, se kurr s’kisha dalë.
Po një tjetër është shqetësuese, se njerëzve sa do që mundohesh me iu tregu, me i ba me hjek dorë ata prapë insistojnë. Duke qeshë, bash një e afërme më tha: “A veç që ke shku ti, tash na mos mu nis a?!” Kështu që kjo me të vërtetë është shqetësuese!!!

Kisha nderin të jem pjesë e këtij hulumtimi dhe njëkohësisht rrëfyese e ngjarjeve tmerruese që i kam përjetu. Do të doja që ky rrëfim të arrinte deri tek mediat që të shihnin njerëzit përvojat e udhëtimit ilegal. Ndoshta atëherë do ta kuptonin që ta ndalim këtë migrim pa destinacion, ngase tash hungarezët për përfitime të veta shtetërore, po i mbajnë njerëzit nëpër burgje të mbyllur, duke mos iu dhënë as bukë për të ngrënë, vetëm e vetëm që të rrisin numrin e refugjatëve dhe të marrin para nga BE. Me të vërtetë është për të ardhur keq kjo çka po ndodhë me popullin tonë.
Do Zoti bëhet një zgjidhje në të mirën tonë, e të ndalen këto migrime ilegale, se nëse kështu vazhdon, është katastrofë!!

Dhe krejt për fund, kisha dashtë një pyetje qeveritarëve tanë: Ju që ua keni siguruar jetën edhe fëmijëve të fëmijëve tuaj, a keni menduar ndonjëherë se do t’ju zë mallkimi i fëmijëve të mjerë që vuajnë kampeve të Hungarisë?! Mjerim! Është për të ardhur keq !!…

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here