Shpend Ahmeti:Me presidenten Jahjaga kemi takime të rregullta

0

Në kuadër të vizitave nëpër komunat e Kosovës, që kanë qëllim të njoftimit me gjendjen e përgjithshme, me theks të veçantë me zhvillimin ekonomik, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot komunën e Prishtinës, ku u prit nga kryetari Shpend Ahmeti, që vije nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Presidentja Jahjaga në takim shoqërohej nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi.

Ata u njoftuan nga kryetari Ahmeti për zhvillimin ekonomik në komunën e Prishtinës dhe problemet me të cilat përballet edhe pushteti lokal edhe bizneset që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë komunë.

Më poshtë mund t’i lexoni deklaratat për media pas takimit:

Presidentja Atifete Jahjaga: Jemi sot këtu së bashku me përfaqësuesit e tri odave kryesore ekonomike që veprojnë në Kosovë, me Odën Ekonomike të Kosovës, me Odën Ekonomike Amerikane dhe me Odën Ekonomike Gjermane. Sapo e përfunduam takimin me kryetarin e komunës së Prishtinës, zotin Ahmeti dhe u njoftuam për së afërmi për nivelin e zhvillimit ekonomik për komunën e Prishtinës.

Biseduam edhe për vështirësitë, problemet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet komuna e Prishtinës. Tanimë është e qartë që niveli i zhvillimit ekonomik ndërlidhet shumë ngushtë edhe me krijimin e rrethanave më të mira për investime dhe për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe gjithmonë kjo pa pengesa administrative, me sundim të plotë të rendit dhe të ligjit dhe me një konkurrencë të barabartë.

Qëllimi i këtyre vizitave të mia së bashku edhe me odat ekonomike është që t’i adresojmë këto në mënyrë të drejtpërdrejtë, t’i adresojmë sa më parë që është e mundur, në mënyrë që t’u ofrojmë një mundësi investitorëve, të shohim potencialet e investimeve të tyre në Republikën e Kosovës, në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe po ashtu që të intensifikojmë edhe koordinimin ndërinstitucional për gjetjen e zgjidhjeve institucionale të të gjitha këtyre vështirësive me të cilat po ballafaqohemi.

Shpend Ahmeti:  E falënderojmë Presidenten Jahjaga dhe përfaqësuesit e odave ekonomike, të cilët kanë ardhur sot në vizitë në komunën e Prishtinës. Ne edhe në të kaluarën kemi pasur diskutime dhe takime të rregullta me presidenten, ku kemi diskutuar problemet më të cilat ballafaqohet Prishtina dhe natyrisht se jemi kryeqyteti i Republikës së Kosovës dhe jemi nikoqir të administratës përfshirë këtu edhe Presidencën, prandaj së pari falënderoj Presidenten për bashkëpunimin që e kemi pas deri më tani.

Sot, siç e tha edhe Presidentja, kemi diskutuar për zhvillimin ekonomik, për sfidat dhe politikat të cilat ne i kemi ndërmarrë si komunë e Prishtinës dhe të cilat presim t’i zhvillojmë në muajit dhe vitet në vazhdim. Po ashtu, kemi dëgjuar nga përfaqësuesit e odave ekonomike shqetësimet të cilat bizneset i kanë, secila me anëtarësitë e tyre i kanë grupuar këto shqetësime dhe zakonisht disa janë të përgjithshme që vlejnë për krejt komunat e disa janë specifike për komunën e Prishtinës.

Mendoj se kjo është një iniciativë e mirë, e cila duhet të përcillet edhe me aktivitete të tjera, me rekomandime dhe dialog të përhershëm me odat ekonomike, në mënyrë që disa prej rekomandimeve të tyre natyrisht t’i vëmë në funksion.

Ju thash edhe në takim, Prishtina përveç që është kryeqendra administrative, është edhe kryeqendra ekonomike e Republikës së Kosovës dhe komunat duhet të marrin një rol shumë më të madh në zhvillimin ekonomik, sepse ne jemi vija e parë e frontit, e lejeve të para, e lejeve të cilat bizneset i marrin për të vepruar e po ashtu edhe e punësimit dhe çështjeve të strategjive ekonomike që secila komunë mund t’i ketë.

Mendoj se më shumë duhet të diskutohet me komunat. Komunat duhet të kenë rol më të madh në politikëbërjen edhe nacionale për shkak se i dimë për së afërmi të gjitha problemet me të cilat ballafaqohemi.

Safet Gërxhaliu: Ishte kënaqësi që të bisedojmë sot me kryetarin Shpend Ahmeti lidhur me sfidat dhe proceset në aktivitet për të ardhmen e komunës së Prishtinës. Është koha kur vërtet duhet ta kemi një komunikim më të mirëfilltë nga niveli qendror në nivelin lokal. Është koha kur decentralizimi politik duhet të shndërrohet në decentralizim ekonomik dhe vërtet të fillojë një komunikim i mirëfilltë.

Informacionet që vijnë nga poshtë, nga komunat, janë ato që do të jenë vërtet të dëgjuara në nivelin qendror dhe për ekonomi, është koha kur duhet të bëhet më tepër dhe jo vetëm të flitet.

Na gëzoi fakti që edukimi dhe aftësimi profesional është ndër prioritetet. Eliminimi i barrierave është po ashtu, por vlen të theksohet se një mision i tillë i presidentes Jahjaga e ka një vlerë të pakontestuar, sepse po bëhet një skenim substancial dhe strukturor i sfidave dhe i proceseve me të cilat po ballafaqohem komunat. Në këtë drejtim besoj se do të jetë një kontribut që gjitha proceset politike do ta marrin një vulë ekonomike që do të jetë një garanci e ekonomisë së Kosovës.

fetja1

shpendi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here