Shpend Ahmeti lëshon mbledhjen e Kuvendit

0

Ende pa filluar mirë mbledhja e paralajmëruar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, u kërkua nga partitë opozitare që të hiqen pikat 3, 4, 5, 6 dhe 7 nga rendi i ditës.

Derisa Kryetari Ahmeti nuk merr ndonjë vendim për largimin e drejtorit aktual Liburn Aliu nga pozita.
Pasi u arritën votat për heqjen e këtyre pikave nga rendi i ditës, Kryetari i Komunës së bashku me këshilltarët dhe drejtorët e komunës lëshuan sallën.
Me këtë rast, Shpend Ahmeti, tha se puna e komunës po bllokohet për arsye personale dhe politike. Sipas të parit të komunës, derisa do të vazhdohet të largohen pikat më të rëndësishme të Kuvendit, atëherë ekzekutivi nuk do të qëndrojë në sallë, sepse Kuvendi po bëhet jofunksional.
“Tashmë e kemi një situatë e cila që një kohë po mbizotëron në Kuvendin e Komunës, çështjet më të rëndësishme të cilat janë me interes të qytetarëve jo në interes të ekzekutivit…nuk po lejohet kalimi i legalizimit dhe dhënies në shfrytëzim të pronave sipas ligjit për të ndaluar uzurpimet… duke e ndaluar zhvillimin e Komunës së Prishtinës me qëllime kryekëput personale dhe politike. Po shihet qartë që ky Kuvend është jofunksional. Ne do të vazhdojmë ta ushtrojmë detyrën tonë si përgjegjës ekzekutiv. Ne si ekzekutiv nuk mund të qëndrojmë në sallë derisa të bëhet Kuvendi funksional”, tha Ahmeti.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të këshilltarëve komunal të PDK-së, Lirak Qelaj, tha se do ishte mirë nëse kryetari Ahmeti do të rrinte së paku për të dëgjuar, sepse ka muaj që nuk ka qenë prezent nëpër mbledhje të Kuvendit. Sipas Qelajt, është më lehtë të ndërrohet drejtori Liburn Aliu sesa i gjithë Kuvendi.
“Kish me qenë korrekte me ndejt kryetari me na dëgjua, mandej le të shkon, edhe ashtu s’ka ardhur që sa muaj. Kush është bllokues në funksionin e Komunës, edhe ju të nderuar kolegë që po ja mani krahun, ju kisha lut të analizoni si duhet…është qëllimi i tij publik që ta qojë këtë Kuvend në zgjedhje, është proces i gabueshëm. Është më lehtë të ndërrohet një drejtor, Liburn Aliu, se të ndërrohemi gjithë ne”, tha Qelaj.
I këtij mendimi ishte edhe asamblisti i LDK-së, Flamur Shala, i cili tha se Prishtina nuk mund të udhëhiqet nga zyra politike e Vetëvendosjes. Sipas Shalës, LDK nuk do jetë bllokadë për mos vazhdimin e punëve.
“Krejt kjo çka po ndodh është në kundërshtim të plot të demokracisë, sepse kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, nuk mund të udhëhiqet nga zyra politike e Vetëvendosjes. Fatkeqësisht prapa tyre si aleat shkojnë edhe ata që s’mendojnë njësoj si ata, por që për shkaqe të caktuara bëhen me ta. Kaluan disa muaj e kryetari i komunës nuk vjen në mbledhje dhe sot kur e pamë, them të drejtën u gëzova sepse thash ndoshta do të jetë iniciator i debateve i cili duhet të zhvillohet ndërmjet Kuvendit dhe ekzekutivit… Nuk ka bllokadë nga grupi i LDK-së”, tha Shala. /KosovaPress/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here