Shkrimtari Imer Topanica i kërkon Visar Ymerit të kërkohet falje që Albin Kurti i tha policit “majmun”

0

Shkrimtari dhe kritiku letrar, Imer Topanica, i ka kërkuar kandidatit për kryetar të lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymerit, që të distancohet si dhe të kërkojë falje nga një video, ku kryetari aktual i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e quan “majmun” një pjesëtar të Policisë së Kosovës. Sipas Topanicës, pavarësisht situatave që krijohen mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, polici nuk asht majmun e as përgjegjës pse krejt mekanizmi kompleks i quajtur shtet, ka dështuar në ndërtimin e institucioneve kredibile të sigurisë. Skena për të cilën ka shkruar Topanica i përket një proteste të vitit 2012.

 

LETRA E PLOTË

 

Letër e hapun Kryetarit të Lëvizjes Vetvendosje, z. Visar Ymerit

I nderti z. Ymeri,
tue qenë dëshmitarë të përpjekjes së shoqnisë për me e ndërtue nji frymë demokratike në rrafshin politik dhe jo vetëm, sipas së cilës politikanët duhet tregohen të përgjegjshëm për fjalën publike, kërkoj prej jush që të distancoheni nga fyemjet e anëtarit të thjeshtë z. Albin Kurtit (ish kryetar i subjektit në krye të të cilit ndodheni ju momentalisht), në drejtim të policisë. Si qytetar, si mbështetës dhe pjesëmarrës në protestat e fundit, anëtar i familjes, njëri prej pjestarëve të së cilës asht polic, e konsideroj të domosdoshme që ju ose vet z. Kurti, të kërkojë falje për fyemjet drejtuar atyne që janë vesh me uniformë policore. Jemi përkrahës të idesë se duhet ba presion mbi institucionet që janë përgjegjëse për ta monitoruar policinë, jemi për me i nxjerr në pah çalimet dhe të metat e këtij institucioni dhe rrjedhimisht, edhe t’i dënojë ata zyrtarë të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve. Jemi po ashtu të mendimit që të dënohen personat që nisin e e nxisin dhunë kundrejt të njëjtit institucion… jemi për nji drejtësi jo-selektive. I nderti z. Ymeri familjari jem (bashkë me qytetarët që e veshin të njajtën uniformë), nuk asht majmun e as përgjegjës pse krejt mekanizmi kompleks i quejtun shtet, ka dështue në ndërtimin e institucioneve kredibile të sigurisë. Ai nuk asht përgjegjës i drejtpërdrejtë e as i vetmi, që institucionet e sigurisë s’jan aq sa duhet të fuqishme e profesionale në ruajtjen e dinjitetit, integritetit tonë qytetar! Ai asht pjesë e instrumentit në dorën e shtetit. (Nuk asht logjike me kërkue llogari prej shishes e cila të thehet për kreje, por logjike asht me kërkue llogari prej atij që të godet me shishe, përndryshe, rrezikoheni me u marr për të çmendun).
Çdoherë kemi me i mbështetë e me marr pjesë (siç edhe e kemi ba), në protesta të tilla, të cilat për synim fundamental kanë instalimin e nji fryme demokratike në praktikë. Këtë e baj për shkak se asht detyrë e jona qytetare. Për çdo mbramje, kur konstatoj se detyra jeme prej qytetari asht përmbush, kthehem dhe darkoj në të njëjtën sofër me anëtarin tem të familjes i cili gjithashtu i ka shërbye vendit, pra ai me uniformë prej polici.
Asht e dhimbshme që unë dhe shumë të tjerë (ndër ta pa dyshim edhe anëtarë të vet lëvizjes), na duhet me u përballë me prindërit, vllaznit dhe të afërmit tonë nëpër sheshet ku ka me le demokracia, por le t’i ngjajë kjo dhimbje etheve të nji trupi, pas të cilave ai fiton ma fort imunitet.
Për fund, ne do ta pranojmë kërkimfaljen nga cilitdo prej jush që të bahet sepse, në situata të tilla tan tension, prej gjendjes së pazakonshme emocionale, gjithkujt mund t’i rrjedh nëpër dhamb nji fjalë jo e matun, po në të kundërtën, ju do t’i tregoni simptomet e nji sëmundjeje të njëjtë prej të cilës vuajnë shumica e liderëve dhe entiteteve politike në vend.
Tue shpresue në nji gjegje të shpejtë e me korrektësi
me respekt, qytetari I. Topanica, Podujevë!

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here