Shkolla si poligon i politikës

0

BARDH FRANGU

Sigurisht që gjendja në shkollën shqipe është shumë e keqe, madje në shkallë alarmante. Kjo për faktin se nëse të gjithë pajtohemi se shteti është i kapur nga banda politike, si mund të besojmë se jashtë kësaj kapjeje ka mbetur shkolla shqipe!?

Ndoshta e mira e vetme e këtyre grevave të punëtorëve të arsimit është fakti se kanë ndikuar që të hapet një debat joformal rreth shkollës shqipe. Duket ashiqare se qytetarët (prindërit) ndjehen të irrituar nga greva, meqë fëmijët e tyre janë të detyruar që të humbin mësimin. Por më shumë se qytetarët janë të brengosur drejtorët politikë të shkollave, mbase jo pak nga ta edhe publikisht kanë bërë thirrje që mësimi të mos ndërpritet.

Sigurisht që gjendja në shkollën shqipe është shumë e keqe, madje në shkallë alarmante. Kjo për faktin se nëse të gjithë pajtohemi se shteti është i kapur nga banda politike, si mund të besojmë se jashtë kësaj kapjeje ka mbetur shkolla shqipe!?

Përkundrazi, arsimi është sistemi më i politizuar në Kosovë. Kjo për shumë arsye që dihen, meqë arsimi ishte ai që ndërtoi sistemin paralel dhe në këtë mënyrë u bë pjesë aktive e politikës, e cila kurrë nuk ngurroi që të mos e përdorë për nevoja të vetat. Edhe sot mbledhjet e partive mbahen nëpër shkolla, fushatat paraelektorale gjithashtu, sikundër edhe vetë procesi zgjedhor mbahet nëpër to. Shkollat janë poligon ku ushtrojnë ndikimin e tyre partitë politike dhe ku punësojnë militantët e tyre. Kujtoni vetëm veprimet e ish-kryeministrit Thaçi me drekat dhe darkat shtruar punëtorëve të arsimit si dhe me premtimet e pareshtura për ngritje pagash!? E dhembshme, vërtet.

Nuk ka kategori shoqërore ndër ne që aq me përbuzje ka përjetuar gjendjen e pasluftës. Organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare u futën nëpër shkollat tona në emër të demokratizimit të shkollës, sikundër dhe të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore, duhanit dhe drogës. Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë fushatat e tilla, të cilat veç sa e kanë degraduar shkollën shqipe. Madje në shumë raste në shkollën shqipe janë futur kolegjet private, bankat e ndryshme si dhe tipa që shkruajnë libra, të bindur se tregun e gjejnë në hapësirat shkollore, përkatësisht ndër nxënës.

Këto fushata që u bënë vetëm sa për të thithur donacione të ndryshme, e kanë sjellë shkollën në një derexhe për dhembje të madhe. Tani nëpër shkollat tona funksionon vetëm e drejta e fëmijëve, por jo edhe përgjegjësitë e tyre. Imagjinoni një mësues i cili është i detyruar të dalë para fëmijëve të kriminelëve dhe hajnave që e kanë rrjepur këtë vend!?

Mësuesit që nga paslufta nuk kanë pasur mundësi as të pushojnë vikendeve, as pushimeve të rregullta verore e dimërore; ata kanë qenë të obliguar që vazhdimisht të jenë nëpër trajnime të ndryshme, të cilat janë organizuar jo për të mirën e shkollës, por për interes të grupeve dhe individëve sa nga institucionet shtetërore po aq edhe nga shoqëria civile. Madje, nëpërmjet kësaj forme ata vazhdimisht janë kërcënuar me humbje të vendit të punës, sikundër që vazhdojnë të kërcënohen nga politika edhe sot e kësaj dite.

Mësuesit vërtet janë dërrmuar nga kjo gjendje. Ata më nuk e kanë hall gjendjen e rëndë sociale, por e kanë hall gjendjen e tyre shpirtërore, sepse tashmë ata nuk janë personat që gëzojnë respekt as ndër qytetarë, as ndër nxënës. Ata e kanë të qartë se tani janë vetëm instrumente në duar të politikës dhe si të tillë duhet të durojnë këtë gjendje. Ata tashmë punojnë në të zezë, sepse nuk kanë as kontrata pune, ndërsa presin që të implementohet Kontrata Kolektive!

Sigurisht që mësuesit e Kosovës e kanë të qartë se as sindikata, përkatësisht SBASHK-u nuk është ajo që mbron nderin dhe respektin e tyre, për më tepër statusin e tyre social. E kanë të qartë se nën këtë ombrellë sindikale janë vazhdimisht të lagur. Më në fund a nuk ishin këta udhëheqës të SBASHK-ut që gjatë kohës së ngërçit politik hapur dhe publikisht anuan nga e drejta e PDK-së për të formuar qeverinë!?

Sigurisht që paga e mësuesit në Kosovë është në nivel të kënaqshëm krahasuar me të punësuarit nëpër institucione dhe sektorë tjerë. Është shumë e sigurt se shumica absolute e tyre nuk do të përkrahte këtë grevë, sikur institucionet shtetërore të mos vazhdonin të manipulonin me ta dhe me të drejtën e tyre.

Nuk duhet harruar se dy janë shtyllat bazë të shoqërisë; arsimi dhe shëndetësia. Tanimë jemi dëshmitarë se këto dy shtylla plotësisht janë rrënuar, prandaj nuk duhet hapur debatin a kanë të drejtë mësuesit në ngritje pagash dhe në njohje stazhi, por si të bëhet që arsimi dhe shëndetësia të trajtohen si dy probleme më të mëdha shtetërore dhe kombëtare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here