Shkodër: Ende nuk është kapur vrasësi i vëllezërve Shkami

0

Vijojnë pa rezultat kërkimet për kapjen e 30-vjeçarit Aleksandër (Esat) Dushaj, autori i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Shkami në Drishtë të Shkodrës.

Operacioni i kryesuar nga FNSH-ja e Shkodrës dhe i mbështetur nga forcat RENEA dhe policia e qytetit verior nuk është konkretizuar ende me kapjen e vrasësit të vëllezërve Skënder dhe Abdullah Shkami.

Kërkimet vijojnë nga ajri dhe toka, ndërsa po përdoret edhe qeni i gjurmës.

Policia dje bëri me dije se Dushaj është futur në një zonë të pyllëzuar dhe është i armatosur. Forcat e policisë janë porositur të bëjnë kujdes, pasi autori mund të hapë zjarr mbi ta.

Vrasja e dyfishtë në Drishtë të Postribës u regjistrua rreth orës 11:30 të së shtunës. Viktimat kishin dalë për vizitat e Vitit të Ri, pasi njëri prej tyre, 50-vjeçari Skënder Shkami, qe kthyer për të kaluar ndërrimin e viteve në atdhe nga Londra, ku jetonte. Ata u qëlluan me breshëri “Kallashnikovi” nga bashkëfshatari i tyre, pas një konflikti që policia e specifikon për “motive të dobëta”. Sipas policisë, autori i dyshuar kishte kërkuar me këmbëngulje vajzën e Skënder Shkamit, gjë e cila nuk qe pranuar nga ky i fundit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here