Shkëlzen Gashi: “VV-së nuk i pengojnë kriminelët kur ata janë me VV-në”

0

Shkëlzen Gashi thotë se lëvizjes Vetëvendosje nuk i pengojnë kriminelët kur të jenë me të. Sipas tij, ata i pengojnë vetëm kur i ka kundërshtarë politikë.

Ish- një nga bashkëthemeluesit e lëvizjes Vetëvendosje mendon që partisë që tash drejtohet nga Visar Ymeri do t’i kushtojë shumë bashkëveprimi me AAK-në dhe NISMA-n. Gashi thotë se njerëzit veç ia kanë nisur të largohen nga ky subjekt.

Politololgu nga Prishtina shprehet në një intervistë për portalin Online me gazetarin Uran Krasniqi se po ta kishte Vetëvendosje në dorë RTK-në ajo do të ishte e kapur njëjtë si tash në mos më shumë. Ai thotë se këto tri subjekte po të mundin vet e kapin shtetin.

Gashi mendon që Vetëvendosje do ta provokojë protestën e të shtunës për të eskaluar në dhunë.

 

ONLINE: Opozita ka paralajmëruar protestë për datën 18 prill 2015, pra këtë të shtunë, si e shihni ju këtë ndërmarrje?

Gashi: Në Kosovë ka arsye për të protestuar çdo ditë ngase gjendja në çdo fushë është shumë e rëndë. Deri para mbajtjes së zgjedhjeve të fundit qendrore, ndonëse kisha rezerva të mëdha, prapëseprapë kisha njëfarë shprese te Lëvizja Vetëvendosje!, përkundër gabimeve të shumta e trashanike të saj, por që nga lidhja e kësaj lëvizjeje me grupet kriminale – siç i quante edhe vet VV-ja dikur – LDK-AAK-NISMA, thuajse çdo aktivitet të kësaj lëvizjeje me grupet kriminale AAK e NISMA, e shoh si ndërmarrje për ta çkapë shtetin nga grupet kriminale PDK e LDK, e për ta kapë pastaj këto tjerat: VV, AAK e NISMA.

 

ONLINE:  Përtej këtij moralizimi tuaj për VV-në, a ka realisht kapje të shtetit nga koalicioni PDK-LDK, ashtu sikundër pretendon opozita?

Gashi: Është e vërtetë se institucionet kryesore shtetërore e publike janë të kapura, sidomos nga PDK-ja, të paktën që nga shpallja e ‘pavarësisë’. Por, nuk e kam të qartë sesi çkapet shteti me NISMA-n që deri dje ishte pjesë e grupit më të madh kriminal politik në vend (kujtojeni pasurinë marramendëse të liderit të këtij grupi F.L.), ose me AAK-në që ishte e gatshme ta ndihmonte kapjen e shtetit nga PDK-ja, me kushtin e vetëm që të merrte hise në këtë kapje (mos ta harrojmë pasurinë marramendëse as të liderit të këtij grupi R.H.). Ndërkaq, se si e çkapë VV-ja shtetin dhe se si qeverisë, na ka treguar jo vetëm për këta 18 muaj në Komunën e Prishtinës, po për gjithë këto vite, po qe se kemi parasysh mënyrën sesi funksionon ajo, ku shtypet, fyhet e përbuzet çdo mendim ndryshe – prandaj, jam thellë i bindur se nën pushtetin e VV-së, ta zëmë RTK-ja, meqë ishte njëra prej pikave të protestës, ka me qenë njësoj e kapur, në mos edhe më keq (e sa për pasuninë e tyre mund të flasim vetëm pasi ta kenë shijuar pushtetin, nëse do ta shijojnë ndonjëherë).

 

ONLINE: Krerët e VV-së gjithmonë e arsyetojnë bashkëveprimin me AAK-në e NISMA-n duke thënë se janë bërë bashkë meqë është fjala për interesin e përgjithshëm dhe se e keqja e madhe janë partitë në pushtet. Sa ka bazë kjo?

Gashi: Para bashkimit me këto grupe kriminale, VV thoshte se nuk e zgjedhë të keqën më të vogël sepse nuk zgjedhë mes të kqijave, por e zgjedhë vetëm të mirën. VV duhet t’u jap sqarim serioz e bindës anëtarëve dhe votuesve të vet se pse i ka shkelë pothuajse të gjitha parimet e proklamuara deri më 8 qershor 2014. Në të kundërtën, shumë prej anëtarëve dhe votuesve kanë për ta braktisë atë, gjë që edhe ka nisë me ndodhë.

ONLINE: Sa dëmtohet protesta me figura politike si Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Rexhep Selimi në ballë të saj? Janë politikanë që nga paslufta, në periudha të ndryshme kanë pasur pozita në institucione, standardi i jetës së tyre dallon shumë nga ai i qytetarëve të rëndomtë…

Gashi: VV-së nuk i pengojnë kriminelët kur ata janë me VV-në. Është e vërtetë se shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës kanë arsimim të keq si pasojë e okupimit të gjatë e të egër, por kjo nuk do të thotë se ata janë idiotë, ashtu siç i pandeh VV. Një prej arsyeve të shumta pse qytetarët e Kosovës nuk e votojnë këtë grupacion politik, është edhe përdorimi i standardeve të dyfishta nga ky grupacion. Lidhur me këtë, më lejoni ta përmend një rast të ultë që po më kujtohet tani: Para disa viteve VV tentoi ta njollosë – padrejtësisht sepse ne nuk mund të mbahemi përgjegjës për veprimet e prindërve ose të afërmëve tonë – një deputet të PDK-së duke e akuzuar se njëri prej prindërve të tij ka qenë bashkëpunëtor i Sërbisë në një fshat të Klinës, por a mund ta imagjinoni se si do të reagonte VV nëse një deputet i PDK-së do ta kishte pasë njërin prej prindërve mik të ngushtë të Sllobodan Millosheviqit?

ONLINE: Duke pasë për bazë ato që i thatë, del se organizimi ka shumë probleme e hendikepe. A do të fitojë te qytetarët apo do të humbë VV nga kjo?

Gashi: Jam i bindur që qytetarët e Kosovës do ta ndëshkojnë VV-në në zgjedhjet e ardhshme, por problemi është që këta me gabimet e tyre të rënda e të njëpasnjëshme kanë kontribuar shumë që PDK dhe grupet tjera të mbesin në pushtet edhe sot e kësaj dite dhe, për më keq, kanë pamundësuar lindjen e një alternative serioze politike.                                                                       Nuk është problemi vetëm te organizimi, por te programi politik apo më mirë thënë te mungesa e një programi politik që i identifikon saktë problemet me të cilat ballafaqohet Kosova në çdo fushë dhe që jep alternativë sesi duhet dalë nga kjo gjendje e rëndë. Po ashtu, problem serioz te ky grupacion politik, për mendimin tim, është edhe mungesa e ekipit, pastaj qasja dhe metodat e përdorura për realizimin e qëllimeve politike…

 

ONLINE: Mund të frikësohet edhe VV qv humbë nga këta poteza dhe në zgjedhjet e ardhshme të shohim këto tri subjekte duke kandiduar me një listë? Gjithashtu edhe AAK dhe NISMA mund të pandehin që nuk mund të marrin shumë vota…

Gashi: Nuk përjashtohet kjo mundësi. Madje, nuk e përjashtoj as mundësinë e një koalicioni PDK-VV.

 

ONLINE: Si e mendoni protestën e të shtunës? Do të ketë dhunë, apo jo?

Gashi: Ma merr mendja që organizatorët, sidomos VV, do të bëjnë çmos që të provokojë dhunën e policisë dhe për ta protesta do të jetë e suksesshme nëse do të ketë ‘dëshmorë’.

 

ONLINE: Sa mendoni që jeni objektiv në përshkrimet që i bëni VV-së, kur dihet që jeni një nga bashkëthemeluesit e saj?

Gashi: Këtë le ta vlerësojnë të tjerët. Kam dalë prej aty qysh në vitin 2006, por edhe përkundër kësaj, ndonëse kam pasë shumë vërejtje, e kam mbështetë VV-në deri vonë, qoftë me pjesëmarrje në demonstrata, qoftë me votë në zgjedhje. Më duhet të them se pas daljes nga aty, kam pasë të paktën dy herë ofertë për t’u kthyer, por kam refuzuar dhe mendoj se kam vepruar drejtë.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here