Sherr për një vijë uji, i presin veshin kushëririt në Pogradec

0

Mosmarrëveshjet për një vijë uji në tokën e disa kushërinjve në fshatin Vërri të Mokrës në Pogradec, përfunduan në një sherr me mjete të forta si kosore dhe lopata.

Në konfliktin fizik u përfshinë administratori i njësisë administrative Proptisht, Gëzim Alla dhe 4 vëllezërit e tij, të cilët janë përleshur me djalin e xhaxhait të tyre, Kujtim Alla. Në tokën e këtij të fundit administratori i Proptishtit dhe vëllezërit e tij kishin futur një eskavator me qëllim që të hapnin një vijë uji.

Ky ka qenë shkaku i sherrit, nga i cili ka përfunduar në spital me plagë të rënda në kokë dhe brinjë të thyera, shtetasi Kujtim Alla. Ai ndodhet në spitalin e Pogradecit jashtë rrezikut për jetën, por për shkak të gjuajtjeve me kosore, i është prerë njëri vesh. Lidhur me këtë ngjarje policia ka ndaluar shtetasin Vito Alla, por  familjarët e të plagosurit Kujtim Allës thonë se fajtori kryesor për këtë ngjarje është Gëzim Alla, administrator i Proptishtit.

Ata kërcënojnë me vetëgjyqësi nëse nuk bëhet drejtësi për ngjarjen, ndërsa i bëjnë një apel kryebashkiakut të Pogradecit, Eduart Kapri, që të marrë masa ndaj të emëruarit si administrator i Proptishtit. Policia ndërkohë thotë se është duke e hetuar ngjarjen. Konflikti mes dy familjeve të të njëjtit fis daton prej 7 vitesh./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here