SHBA përgatitë dislokim të armatimeve dhe trupave në Evropën Lindore

0

Deklaratat e Vladimir Putinit se Rusia nuk përbën asnjë rrezik për botën e se nuk ka ndërmend të hapë luftë, pak efekt kanë pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një lëvizje që synon qartazi frenimin e çdo agresioni të mundshëm rus në Europë, Pentagoni po përgatit tanke beteje, autoblinda dhe armatime të tjera të rënda si dhe të paktën 5.000 trupa për dislokim në shtetet balltike dhe vende të tjera të Europës Lindore.

Propozimi i tij, nëse miratohet, do të përbënte të parën herë që prej luftës së ftohtë që Amerika stacionon pajisje të rënda ushtarake në vendet më të reja anëtare të NATO-s që dikur kanë qenë pjesë e sferës sovjetike të influencës.

Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe konflikti në Ukrainën lindore kanë shkaktuar mjaft shqetësim e kanë nxitur plane të reja ushtarake në kryeqytetet e anëtarëve të aleancës veri-atlantike. Ky do të ishte një prej hapave më konkrete të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja për shtimin e pranisë ushtarake në rajon dhe i dërgon një mesazh shumë të qartë presidentit rus Putin se shtetet e Aleancës që ndajnë kufijtë me Rusinë, do të kenë pas tyre Amerikën.

Pas ekspansionit të NATO-s me përfshirjen e vendeve balltike në vitin 2004, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e shmangën stacionimin e përhershëm të trupave apo armatimeve në Lindje, për shkak se kërkonin forma të ndryshme partneriteti me Moskën. Politika e ndjekur prej tyre tashmë ka ndryshuar rrënjësisht, thotë admirali James G. Stavridis, ish-komandant suprem i Nato-s.

Sot, aleanca ofron një tjetër nivel garancie për anëtarët e shqetësuar, edhe pse në fund të fundit, asgjë nuk është më e mirë sesa trupat e stacionuara në terren me kohë të plotë, shton ai. Stoku i armatimeve që propozohet të vendosen në bazat e aleatëve e që do të mjaftonin për të pajisur 3 deri në 5.000 ushtarë, ngjan me ato të mbajtura nga Shtetet e Bashkuara në Kuvajt për më shumë se një dekadë pas dëbimit të pushtuesve irakianë në vitin 1990. Por, që të vihet në jetë, propozimit të Pentagonit i nevojitet aprovimi i Sekretarit të Mbrojtjes Ashton B. Carter dhe drita jeshile e Shtëpisë së Bardhë.

Pengesat nuk mungojnë pasi mundësia e një hapi të tillë ngjall shqetësim në mesin e disa aleatëve të NATO-s të cilët i druhen reagimit të Rusisë ndaj një grumbullimi të tillë trupash e armatimesh në kufijtë e saj./ Top Channel

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here