SHBA-Izrael: Zemërimi i madh

0

TONY BADRAN

Barak Obama dhe Beniamin Netanjahu janë me thikat e mprehura. Përse? Vëzhgues të shumtë i kushtojnë armiqësisë së tyre një vend të konsiderueshëm. Disa analistë shprehen se mosmarrëveshjet midis tyre janë për programin bërthamor iranian.

Në fakt, presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe Kryeministri izraelit kanë ide të kundërta mbi rolin e Iranit në Lindjen e Mesme – dhe çështja siriane është në zemër të mosmarrëveshjes së tyre.

Nëqoftëse Obama nuk nuk është kundër rritjes së fuqisë iraniane në Siri, kjo ide e vendos Netanjahun dhe elitën e forcave të sigurisë izraelite thellësisht në vështirësi.

Kohët e fundit, Gardistët e revolucionit islamik [GRI, organizata zyrtare paraushtarake iraninane] dhe Hezbollahu [shiitët libanezë] kryen një sulm të koordinuar në jug të Sirisë. Këto dy grupe dëshirojnë kështu të theksojnë se ky rajon sirian është tashmë një teatër operacionesh për Teheranin. Ata konfirmojnë gjithashtu atë çka ishte manifestuar prej shumë kohësh: regjimi i Bashar Al-Assadit dhe forcat e saj ushtarake janë satelitë të Iranit.

KERCENIM STRATEGJIK

Izraeli nuk mund të neglizhojë zhvillimet e këtyre ngjarjeve. Në fakt, iranianët janë në pozicion force në lartësitë e Golanit [midis Izraelit dhe Sirisë], gjë që për Izraelin imponon zgjedhje të vështira,përsa i përket, jo vetëm qëndrimit të tij ndaj Sirisë, por gjithashtu menaxhimin e hendekut në rritje me qeverinë e Barak Obamës.

Deri tani, politika izraelite në Siri ka qenë “pritëse”, sipas termit të një ish-përfaqësuesi të qeverisë. Strategjia ishte tërheqja dhe të reagohej ndaj çdo sulmi kufitar, por pa ndërhyrë drejtpërdrejtë në rrjedhën e konfliktit, edhe se operacionet izraelite në Siri kanë synuar ekskluzivisht objektivat iraniane. Megjithë debatet mbi kërcënimin e supozuar iminent të Shtetit Islamik, bombardimi izraelit më 18 janar kundra një autokolone iraniane dhe sulmi aktual iranian në jug të Sirisë zbuloi se kërcënimi strategjik dhe iminent, para sëgjithash vinte nga Irani.

Vendosmëria iraniane për të fituar terren në jug të Sirisë zbulon dobësinë e përqasjes pritëse. Edhe pse Izraeli dëshironte të qëndronte jashtë konfliktit sirian, iranianët – duke parë dritën jeshile të dhënë nga Uashingtoni – kanë qëllim projektet e tyre. Janë këto dinamika që e shtyjnë Jeruzalemin të rivlerësojë situatën.

Në këtë kontekst, artikujt e botuar kohët e fundit nga dy intelektualë izraelitë të planit të parë, Efraim Inbar dhe ish-ambasadori Itamar Rabinovich, janë burim indikacionesh të qenësishëme.

Të dy këta intelektualë arrijnë në konkluzione të ngjashme: për të shtyrë ambicjet dhe provokimet e Iranit në Golan, Izraeli duhet të sulmojë Bashar Al-Assadin.

“Opsioni më i mirë”, sipas Itamar Rabinovichit, është të sinjalizohet Teherani që reagimi izraelit do të drejtohet kundër presidentit sirian, “duke modifikuar kështu kursin e luftës civile siriane”. Dhe ish-ambasadori shton: “Kjo është një thirrje që udhëheqësit israelitë duhet të bëjnë, në se konfirmohen tendencat e vërejtura në janar”.

Këto tendenca në fakt po vazhdojnë dhe Izraelit do t’i duhet të marrë një vendim. Megjithatë, Itamar Rabinovichi dhe Efraim Inbari pranojnë që kjo thirrje do të ketë ndikime të konsiderueshme mbi marrëdhëniet tashmë të tensionuara me Uashingtonin.

Shtëpia e Bardhë dëshiron që të gjitha palët të përqëndrojnë përpjekjet e tyre në luftën kundra Shtetit Islamik. Politika amerikane mbështetet në një bashkëpunim me Iranin dhe menaxhimin e interesave të saj.

MBESHTETJE E HESHTUR

Uashington nuk fsheh kundërshtimin e tij për idenë e shënjestrimit të regjimit të Assadit. Barak Obama madje i ka dërguar një letër udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, për ta siguruar atë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e koalicionit të tyre nuk do të merren me presidentin sirian.

Izraeli kupton se Obama njeh sferat e influencës iraniane në rajon. Qysh kur u zbulua se Irani kërkonte të vendoste një prani ushtarake në lartësitë e Golanit, qeveria amerikane nuk ka botuar madje një komunikatë për të pohuar që veprimet e Teheranit ishin të papranueshme.

Në të kundërt, Uashington i bëri thirrje Izraelit të shmangë çdo përshkallëzim të dhunës. Do të jetë e pamundur për Izraelin të koordinojë veprimin e tij me atë të Shteteve të Bashkuara, pasi politika amerikane në Siri bie ndesh me interesat kombëtare izraelite në fushën e sigurisë. Ky respekt amerikan për interesat iraniane në Siri të shpie në pyetje shumë shqetsuese.

A ka të drejtë Netanjahu të supozojë se Obama do të gjykonte çdo veprim izraelit të kundërt me interesat iraniane në Siri, si një vënie në rrezik të ushtarëve amerikanë në Lindjen e Mesme? Shtëpia e Bardhë e ka shprehur qartë se ajo konsideronte mbështetjen në favor të sanksioneve të Kongresit kundër Iranit, në një taktikë për të shtyrë Shtetet e Bashkuara të hyjnë në luftë kundra Iranit.

Për rrjedhojë, a është e ekzagjeruar për Izraelin të supozojë që Barak Obama do të interpretonte në të njëjtën mënyrë çdo veprim ushtarak izraelit kundër Iranit, Hezbollahut apo Bashar Al-Assadit në Siri?

Cila do qoftë pjesa e së vërtetës në këto spekullime, është e sigurt që Irani do të kërkojë të testojë kufijtë e mbështetjes së heshtur që i japin Shtetet e Bashkuara. Duke afishuar rolin e tij të liderit në fushatën në jug të Sirisë, Irani shfrytëzon avantazhin e tij, duke ditur mirë se Siria, sipas Efraim Inbarit, është “një pikë tjetër mosmarrëveshje” midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Nëse Shtëpia e Bardhë e sheh tani Iranin si një aleat de facto kundër Shtetit Islamik, Izraeli vazhdon ta shohë Iranin si një kërcënim real. Për të bindur Teheranin, Izraeli do të vendosë ndoshta të sulmojë Bashar Al-Assadin. Kjo do të sjellë si pasojë kundërvënie ndaj Uashingtonit.

Ky është realiteti që i imponohet sot Izraelit.

Programi bërthamor iranian nuk është pika e vetme e mosmarrëveshjes midis Uashingtonit dhe Jeruzalemit. / “Now” (Beirut) /

s.m./www.bota.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here