SHBA dhe Rusia po i tregojnë muskujt njëra tjetrës

0

Një aeroplan luftarak rus, duke fluturuar me shpejtësi të madhe, iu afrua deri në tri metra distancë një aeroplani të forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në hapësirën ndërkombëtare ajrore mbi Baltik në fund të muajit të kaluar, kanë bërë të ditur disa zyrtarë amerikanë për CNN.

Sipas njoftimit të lëshuar të premten nga Pentagoni, aeroplani rus ka fluturuar më 30 maj në afërsi të fluturakes spiunuese amerikane, duke manovruar afër saj në të njëjtën lartësi për disa minuta, më pas u largua papritmas.

Piloti i fluturakes amerikane nuk ndërmori ndonjë manovër të shmangies, ndërsa zyrtarët ushtarakë nuk ishin në gjendje të thoshin nëse i kanë dërguar ndonjë letër proteste Moskës zyrtare lidhur me incidentin, përcjell Koha.net.

Ky takim i afërt ka ndodhur disa javë pas incidentit në fluturimin rutinor të aeroplanit hulumtues amerikan “RC-135U”, i cili ishte përballur me një aeroplan rus “Suhoy 27” në një ngjarje që u cilësua si “e rrezikshme dhe joprofesionale”.

Në fillim të këtij muaji, marina amerikane kishte publikuar një videoxhirim të një aeroplani rus të tipit “Suhoy 24” duke kaluar në afërsi të një anijembajtësjeje amerikane “USS Rosse” në Detin e Zi.

Zyrtarët në Pentagon kanë bërë të ditur se aeroplani rus nuk ishte i armatosur dhe se i gjithë rasti trajtohet si manovër rutinore.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë ndërkaq se aeroplanët e Aleancës janë takuar gjatë vitit 2014 më së paku 400 fluturake ruse në afërsi të kufijve të shteteve anëtare të kësaj aleance ushtarake.

Zyrtarët amerikanë thonë se këto takime të shpeshta mbase ndodhin për shkak të fluturimit të më shumë aeroplanëve ushtarakë të NATO-s dhe të Rusisë mbi Detin e Zi dhe Baltik, përcjell Koha.net. Sidoqoftë, dy incidentet ajrore paraqesin shqetësim të veçantë, për shkak të rrezikut që paraqesin për fluturaket dhe personelin amerikan.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here