Sfida e rënies së Rusisë

0

JOSEPH S. NYE, JR

Ndërsa Europa debaton nëse duhet të mbajë regjimin e saj të sanksioneve kundër Rusisë, politika e agresionit e ndërmarrë nga Kremlini ndaj Ukrainës vijon e pandërprerë. Rusia është prej kohësh në rënie të vazhdueshme, por ajo vijon të përbëjë një rrezik të fortë për rendin ndërkombëtar në Europë dhe më tutje. Për më tepër, sëmundjet e Rusisë mund ta bëjnë atë edhe më të rrezikshme, për shkak të tendencës së përgjithshme të shteteve që kur janë në rënie, ndërmarrin edhe më shumë rreziqe.

Nuk duhet të gënjehemi: ajo që po ndodh në Ukrainë është agresion nga ana e Rusisë. Justifikimi i presidentit Putin se trupat ruse nuk po marrin pjesë në luftime doli krejtësisht i pa vlerë së fundmi, kur një luftëtar rus në Donetsk i konfirmoi shërbimit të BBC në rusisht se ata po luanin një rol vendimtar në përparimet e rebelëve. Oficerët rusë, raportoi ai, komandojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë operacione të mëdha ushtarake në Ukrainën lindore, përfshirë rrethimin dhe kapjen e qendrës së rëndësishme të transportit Debaltseve në shkurt.

Por kërcënimi i krijuar nga Rusia shtrihet shumë përtej Ukrainës. Në fund të fundit, Rusia është një vend që ka mjaftueshëm raketa dhe bomba atomike për të shkatërruar SHBA-të. Ndërsa ndikimi i saj ekonomik gje gjeopolitik është vyshkur, po kështu është pakësuar edhe dëshira për të hequr dorë nga statusi si vend me armë bërthamore. Për më tepër, ajo jo vetëm që ka rigjallëruar taktikat e Luftës së Ftohtë duke dërguar avionë ushtarakë pa paralajmërim në hapësirën ajrore të vendeve të Balltikut dhe të Detit të Veriut; ajo ka bërë edhe kërcënime indirekte bërthamore kundër vendeve si Danimarka.

Armët nuk janë fuqia e vetme e Rusisë. Ku vend përfiton gjithashtu edhe nga përmasat e veta të stërmëdha, burimet natyrore të shumta dhe popullatën e arsimuar, përfshirë një gamë të gjerë shkencëtarësh dhe inxhinieresh të aftë.

Por Rusia përballet edhe me sfida serioze. Ajo mbetet një “ekonomi me një mall bazë”, ku energjia zë dy të tretat e eksporteve të veta. Dhe popullata e saj po pakësohet – jo pak për shkak se burrat vdesin mesatarisht në modën 65 vjeç në Rusi, plot dhjetë vjet më pak se sa në vendet e tjera të zhvilluara.

Megjithëse reformat liberalizuese mund të kurojnë sëmundjet e Rusisë, kjo është një zgjidhje që nuk ka gjasa të përqafohet në një vend të mallkuar nga korrupsioni me një udhëheqësi thebësisht joliberale. Putini, në fund të fundit, ka kërkuar të promovojë një identitet neo-Sllavofil, identitet që rrotullohet para së gjithash te dyshimet mbi ndikimet kulturore dhe intelektuale të Perëndimit.

Në vend që të zhvillojë një strategji për rimëkëmbjen afatgjatë të Rusisë, Putini ka ndjekur një përqasje reaguese dhe oportuniste – një politikë që në disa raste mund të ketë sukses, por vetëm në terma afatshkurtër – mbi pasigurinë vendëse, kërcënimet e huaja të perceptuara dhe dobësitë e fqinjëve. Ai ka hyrë në luftë jokonvencionale me Perëndimin ndërsa ka krijuar lidhje më të ngushta me Lindjen, duke rritur gjasat që Rusia të marrë statusin e një partneri të vogël të Kinës, pa akses në kapitalin, teknologjitë dhe aksesin perëndimor, për të cilat ajo ka nevojë për të ndaluar rënien.

Por problemet e Rusisë nuk mbarojnë thjeshtë me Putinin. Megjithëse Putini ka kultivuar nacionalizmin në Rusi – sipas Timothy Colton të Universitetit të Harvardit, gjatë një takimi të kohëve të fundit të Klubit të Diskutimeve Valdai, Putin e cilësoi veten si “nacionalisti më i madh” i vendit të tij. Por ai ka gjetur tokë pjellore për të mbjellë me nacionalizëm.

Duke parë se figurat e tjera të nivelit të lartë, për shembull, Dmitry Rogozin, i cili tetorin e kaluar mbështeti një libër që bënte thirrje për rikthimin e Alaskës – janë gjithashtu shumë nacionalistë, një pasardhës i Putinit ka gjasa nuk do të jetë kurrsesi liberal. Vrasja së fundmi e ish zëvendëskryeministrit dhe udhëheqësit të opozitës Boris Nemtsov e përforcon këtë supozim.

Kështu Rusia duket se është e dënuar të vijojë rënien – një pasojë që nuk duhet të jetë arsye për festë në Perëndim. Vendet në rënie – mendoni për Perandorinë Austro-Hungareze më 1914 – kanë tendencën të bëhen më të prirura për të ndërmarrë rreziqe dhe rrjedhimisht, më të rrezikshme. Në çdo rast, një Rusi në lulëzim është një gjë më e mirë për bashkësinë ndërkombëtare në terma afatgjatë.

Ndërkohë, SHBA-të dhe Europa përballen me një dilemë politike. Në njërën anë, është e rëndësishme t’i rezistosh sfidës së Putinit me parimin themelor se shtetet nuk duhet të përdorin forcën për të dhunuar integritetin territorial të një vendi tjetër. Megjithëse sanksionet nuk kanë gjasa të ndryshojnë statusin e Krimesë apo të sjellin tërheqjen e ushtarëve të Rusisë nga Ukraina, ato kanë mbajtur lartë këtë parim, duke treguar se ai nuk mund të dhunohet pa u ndëshkuar.

Në anën tjetër, është e rëndësishme të mos izolohet Rusia tërësisht, duke parë interesat e përbashkëta me SHBA-të dhe Europën në lidhje me sigurinë bërthamore dhe përpjekjet kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, terrorizmit, programeve të përbashkëta hapsinore, bashkëjetesës në Arktik si dhe problemet e Iranit e Afganistanit. Askush nuk do të përfitojë nga një luftë e re e Ftohtë.

Pajtimi i këtyre objektivave nuk do të jetë e lehtë, veçanërisht nëse shohim krizën që po vijon në Ukrainë. Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në shkurt, shumë senatorë amerikanë bënë thirrje për armatosjen e Ukrainës – një politikë që mund ta përkeqësojë situatën, duke pasur parasysh dominimin ushtarak konvencional të Putinit atje. Dhe ndërsa udhëheqësit e Gjermanisë, përfshirë kancelaren Angela Merkel, kundërshtuan këtë përqasje, ndjekja e politikës së armatimit mund ta ndajë Perëndimin, duke fuqizuar më tej Putinin.

Të tjerë në konferencë argumentuan se Perëndimi duhet ta ndryshojë lojën duke përjashtuar Rusinë nga SWIFT, kuadri rregullator ndërkombëtar i pagesave bankare. Por kritikët vërejnë se një hap i tillë mund të dëmtojë SWIFT dhe Perëndimin, bankat e të cilave mund të humbasin qindramiliardë dollarë borxhe të dhëna në Rusi. Nga ana e tyre, rusët kanë paralajmëruar në rrugë informale se një masë e tillë mund të jetë “opsioni i vërtetë bërthamor.”

Dizenjimi dhe zbatimi i një strategjie që kufizon sjelljen revizioniste të Putinit, ndërkohë që sigurohemi për vijimin e marrëdhënieve ndërkombëtare afatgjata të Rusisë, është një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet ShHBA-ja dhe aleatët e saj sot. Tani për tani, konsensusi në politika duket se konsiston në mbajtjen e sanksioneve, fuqizimin e ekonomisë së Ukrainës dhe vijimin e fuqizimit të NATO-s, (një pasojë që Putini natyrisht e pret). Por se çfarë do të ndodhë përtej kësaj, kjo varet gjerësisht nga vetë Putini.

Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. The Challenge of Russia’s Decline

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here