Serbia përdoruesja më e madhe e drogës në Ballkanin Perëndimorë

0
Raporti i fundit i Qendrës Evropiane të Monitorimit të Drogave dhe Varësisë ndaj tyre (EMCDDA), sjell të dhëna me interes mbi vendet e Ballkanit Perëndimor. Studimi mbi rajonin është i pari në llojin e tij dhe është rezultat i disa viteve bashkëpunim, mes këtyre vendeve dhe EMCDDA. Si pjesë e përafrimit të rajonit me BE-në, zhvillimi i politikave ndaj drogës, duhet të jetë në të njëjtën linjë me Strategjinë dhe Planet e Veprimit të Bashkimit Evropian. Por, çfarë elementësh tërheqin vëmendjen në këtë raport dhe si shfaqen këto të dhëna në raport me të dhënat në nivel evropian?
Duhet theksuar se, përpilimi i raportit është kryer mbi bazën e të dhënave, që kanë një shtrirje të gjatë kohore, që prej vitit 2006 dhe ndërmjet të dhënave ka edhe boshllëqe kohore, në vite të caktuara. Edhe të dhënat e studimit mbi popullatën në përgjithësi, nuk figurojnë ende, pasi janë në proces. Vetëm Serbia ka përfunduar këtë proces vëzhgimi mbi popullatën në tërësi. Të dhënat e tjera, vijnë nga burime të ndryshme dhe kryqëzohen në një kombinim me të dhënat kombëtare, të Organizatës Botërore të Shëndetit dhe të agjencive të ndryshme, që kanë kryer vëzhgime në terren.
Të rinjtë në Ballkan dhe Evropë
Raporti ka një fokus ndaj grupmoshave të reja. Ai konstaton se, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, tek popullata në moshë të re, nuk ka luhatje të madhe mes përqindjeve në nivel konsumues. Shifrat flasin për një luhatje në 4% dhe 8%. Por, këto shifra  tregojnë se ky konsumim, është gati 2.5 herë më i ulët, se mesatarja e konsumimit në nivel evropian.
I vetmi dallim, sipas raportit, konstatohet në një prej entiteteve të Bosnjë-Hercegovinës për vitin 2008, ku përdorimi i drogave tek grupmosha e re, kapte nivelin prej 18%.
Si edhe në Evropë, por edhe globalisht, vendin e parë të llojit të konsumimit të drogave në vendet e Ballkanit Perëndimor, e zë kanabisi, me një luhatje nga 2% në Kosovë tek 8% në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës (vlerësimet e fundit).
Sërish, këto të dhëna, janë në mënyrë të konsiderueshme më të ulëta se, sa mesatarja evropiane (17%) për përdorimin e kanabisit tek 16-vjeçarët, me vlerësimin në Kosovë tek 2% dhe Shqipërinë me 4%, nga përqindjet më të ulëtat në Evropë.
Një tjetër e dhënë, flet për përdorim më të lartë të drogave tek të rinjtë në kryeqytete apo qytete të mëdha se, sa të rinjtë e zonave rurale apo zonave më pak të urbanizuara. Në Shqipëri, përdorimi i drogave tek të rinjtë e moshës 15-19 vjeç, është më i lartë në Tiranë se kudo tjetër, kanabisi (10.4% krahasuar me 7.5%), ekstazi (6.6% krahasuar me 4.5%), heroinë (3.5% krahasuar me 1.9%) dhe kokainë (4.6% krahasuar me 3.2%).
Por, vëmendje tërheq fakti se, në lidhje me përdorimin e qetësuesve, që jepen pa recetë apo përdorimin e qetësuesve në rajon, përqindja është shumë e lartë, krahasuar me Evropën. Për vitin 2011, Shqipëria kryeson me 8%, pas saj vjen Serbia me 7%, Mali i Zi me 5% dhe Kosova me 4%. Ndërkohë që mesatarja evropiane, shtrihet në një nivel prej vetëm 6%. 
Serbia
Ndërsa të dhënat mbi përqindjen e popullsisë, që injekton drogat në Ballkanin Perëndimor shifrat më të larta ekspozojnë Serbinë dhe Maqedoninë. Numri i përdoruesve të drogave me injektim varjon nga 3500 në Kosovë, 8000 në Shqipëri, rreth 10 000 në Maqedoni, rreth 12 000 në Bosnjë dhe rreth 30 000 në Serbi.  Serbia, figuron të jetë edhe vendi me rastet më të larta të diagnostikuar me HIV dhe mbartës të Hepatitit C, të dy këto pasoja të lidhura me injektimin e drogave.
Në Serbi, konsumimi i drogës (2014) tek grupmosha 18-34 vjeç, vlerësohet në 12.8%, çka shfaqet më lartë se, sa të dhënat mbi grupmoshën 15-16 vjeç dhe 1.5 herë më shumë se vlerësimi mbi popullatën në përgjithësi, e vlerësuar me 8%.
Serbia, sipas raportit, është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, që ka vlerësime të përgjithshme të popullatës mbi konsumimin e drogës, për vitin 2006 dhe 2014. Në vitin 2006 janë pyetur 10 690 persona, që i përkisnin grupmoshës 15-59 vjeç. Nga këto figurojnë se 1 në 10 persona (10.9%) ka konfirmuar se, ka përdorur një herë drogë në të kaluarën. Përdorimi i kanabisit rezultonte të ishte 10 herë më i lartë, se drogat e tjera të paligjshme, duke arritur në një nivel prej 10.7% krahasuar me përdorimin e ekstazisë në 1.9% dhe kokainës me 1.3%. I njëjti sondazh, vlerëson se, përdorimi i kanabisit dominonte përgjatë vitit të kaluar (2005) dhe muajit të kaluar me 3.4% dhe 1.9% respektivisht.
Ndërsa sondazhi i vitit 2014, ku janë pyetur rreth 5385 persona të grupmoshës 18-64 vjeç, shfaq një tendencë më të ulët të konsumimit, në 8.0%. Edhe përdorimi i kanabisit, shfaqet në nivel më të ulët për vitin 2014, krahasuar me vitin 2006, në vetëm 7.7% të popullatës. Në të dy sondazhet konstatohet se, konsumimi i drogave dominon në gjininë mashkullore.
Evropa
Përdorimi i drogës në përgjithësi në popujt e Ballkanit Perëndimor, shfaqet më i ulët se sa mesatarja evropiane. Gjithsesi, ky përdorim përfshin kryesisht kanabisin dhe me një proporcion më të lartë përdorimi tek meshkujt se, sa tek femrat.
Nëse i referohemi raportit të EMCDA për vitin 2014, në lidhje me konsumimin e drogave në Evropë, shifrat flasin për të njëjtën tendencë, që konfirmon edhe raporti aktual mbi Ballkanin, se qytetarët evropianë janë konsumues më të mëdhenj të drogave të paligjshme.
Sipas këtij raporti, rreth një e katërta e popullsisë së Evropës, ka konsumuar të paktën një herë drogë në të kaluarën. Shumica e qytetarëve ekspozohen si përdorues të kanabisit (73,6 milionë),  përdorues të kokainës (14,1 milionë), amfetaminës (11,4 milionë) dhe ekstazisë (10,6 milionë). Niveli i eksperimentimeve me drogën, përgjatë jetës varjon në mënyrë të konsiderueshme nga një vend në tjetrin, duke shkuar nga një e treta e të rriturve në Danimarkë, në Francë dhe Britani e Madhe, deri tek një i rritur në 10, në vendet si Bullgari, Greqi, Hungari dhe Rumani.
Përdorimi i kanabisit në popullatë, njeh rritje në vende si Danimarka, Finlanda, Suedia. Një rritje të lehtë njeh gjithashtu Gjermania, Franca, Britania e Madhe, si edhe Italia me Bullgarinë.
Ndërsa drogat e tjera, që kanë predominuar në konsumim, tek grupmosha e re (15-34 vjeç) përgjatë vitit të fundit në Evropë janë: përdorimi i kokainës në Francë, Spanjë, Itali, Britani e Madhe, Irlandë, Belgjikë, Austri, Slloveni, dhe Danimarkë; përdorimi i ekstazisë në Greqi, Bullgari, Rumani, Sllovaki, Republika Ceke, Portugali, Holandë, Letoni, dhe përdorimi i amfetaminës në Gjermani, Poloni, Hungari, Kroaci, Estoni, Lituani, Finlandë dhe Suedi.

Problemet për Ballkanin Perëndimor
Në rast se, krahasojmë të dy raportet e të njëjtit institucion mbi Ballkanin dhe Evropën, konstatohet lehtësisht se, raporti mbi Evropën është më i sintetizuar, më i qartë, dhe më i lexueshëm, pasi edhe të dhënat kombëtare, janë më të sakta, sistematike dhe të unifikuara. Çka sjell edhe një problematikë në vendet e Ballkanit mbi leximin dhe interpretimin e treguesve dhe të dhënave.
Dhe vetë raporti mbi Ballkanin, e specifikon këtë problematikë, duke iu referuar mungesës së të dhënave në raport me problemet, që vijnë nga konsumimi i drogave, si vdekshmëria për shkak të dozës së lartë të përdorimit, por edhe vdekjet e shkaktuara nga përzierja e simulantëve të ndryshëm. Vendet e Ballkanit figurojnë sipas raportit, me të dhëna të paplota, ose me të dhëna që i rrëshqasin realitetit, si pasojë e nënvlerësimit të këtyre vdekjeve, ose sepse, këto të dhëna për disa prej vendeve, janë “praktikisht jo-ekzistuese” (në raport citohet Shqipëria dhe Kosova).
Problemet shtrihen në një kombinim të një legjislacioni të dobët, ekspertizë të kufizuar në toksikologji, monitorim si edhe diagnostifikim i varfër dhe koordinim i kufizuar në shkëmbimin e informacionit ndërmjet agjencive zyrtare. Në disa juridiksione pas-vdekje, madje dhe në rastet e vdekjeve të papritura, autopsia mund të bëhet vetëm me kërkesë të të afërmit të të ndjerit, siç është rasti në Shqipëri.
Mbulimi i kësaj fushe është i pamjaftueshëm dhe sfidat që përmend raporti, shtrihen në dy drejtime: strukturim dhe organizim në një sistem të vetëm, të shërbimeve që janë krijuar nëpërmjet proceseve të ndryshme dhe institucioneve kulturore, që shpesh shfaqen më tepër në konkurrencë se, sa në plotësim ndaj njëri-tjetrit; dhe sigurimi i vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve, që janë krijuar me mbështetjen ndërkombëtare të donatorëve si edhe integrimi i tyre në buxhetin e ministrive përgjegjëse, në kontekstin e përgjithshëm të mungesës së burimeve, nevojave dhe prioriteteve konkurruese. Gjithsesi, zhvillimi i strategjive kombëtare, në lidhje me drogën në të njëjtën linjë me Strategjinë e Drogës dhe Planet e Veprimit të Bashkimit Evropian, si pjesë e përafrimit të rajonit me BE-në, sipas raportit, përfaqëson progres domethënës në drejtimin e duhur./im.ta/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here