Serbët kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Diasporës, Valon Muratit

0

Valon Murati të japë dorëheqje nga posti i ministrit të Diasporës në Qeverinë e Kosovës, po kërkojnë përfaqësues OJQ-sh të komunitetit serb po dhe të disave organizatave joserbe. Këtë e kanë bërë përmes një komunikate. Kurse nga Qeveria kanë lypur t’u kërkojë falje për deklarimet e ministrit.

KOMUNIKATA.

Pas deklaratave të pamatura dhe ndezëse të cilat ministri i Diasporës, Valon Murati, i ka dhënë të hënën, duke theksuar se “pozita e privilegjuar e komuniteteve joshqiptare, e veçanërisht ajo e komunitetit serb, është njëra prej arsyeve kryesore për emigrimin e shqiptarëve të Kosovës”, organizatat e shoqërisë civile të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshqiptare, të firmosura më poshtë, kërkojnë nga Qeveria të kërkojë falje dhe që urgjentisht ta shkarkojë zotëri Muratin.

Kjo deklaratë, e cila vjen nga ana e një funksionari të lartë të Qeverisë, edhe njëherë po e zbulon cinizmin dhe hipokrizinë në mesin e elitës politike në Prishtinë, kur bëhet fjalë për përkushtimin në ndërtimin e një shoqërie multietnike, njëkohësisht tregon se frika te komuniteti serb dhe te komunitetet e tjera është e arsyeshme lidhur me diskriminimin dhe mosrespektimin e të drejtave të tyre të garantuara, të cilat mbesin vetëm shkronja të vdekura në letër. Kjo është, gjithashtu, një lloj presioni i Prishtinës me të cilin porositet se nuk do të heqë dorë nga qëndrimet e ngulitura dhe maksimaliste gjatë bisedimeve në Bruksel dhe nuk i lënë hapësirë zgjidhjes me kompromis ku edhe më tutje po zvarritet themelimi i Bashkësisë (Asociacionit) së Komunave Serbe.

Deklarata e zotëri Muratit është njëkohësisht edhe shumë e rrezikshme dhe paraqet vazhdimin e mënyrës së tanimë të njohur që për të gjitha dështimet e elitës politike në Prishtinë fajtorin ta kërkojë te komuniteti serb. Deklaratat e tilla na dërgojnë drejt mobilizimit të njerëzve në baza etnike, e cila është drejtuar para së gjithash kundër komunitetit serb dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë e rrezikon sigurinë fizike të qytetarëve dhe të pasurisë së komuniteteve joshqiptare. Manipulimi me pakënaqësinë e komunitetit shumicë me gjendjen socioekonomike dhe artikulimi nëpërmes ndarjeve etnike nga ana e elitës në Prishtinë duhet të ndërpritet. Komunitetit serb edhe më tutje i janë të freskëta ngjarjet e 17 marsit të vitit 2004, si dhe demonstratat shkatërruese të fundit në Prishtinë.

Përfundimisht, në këto treva duhet të krijohet respektimi i principeve të përgjegjësisë politike për deklaratat e dhëna për publikun, të cilat drejtpërsëdrejti na dërgojnë drejt forcimit të armiqësive ndëretnike dhe minojnë procesin politikë të deritanishëm në Bruksel.

Përgjegjësia për marrëdhëniet ndëretnike në një shoqëri gjithmonë qëndron te komuniteti shumicë, i cili me veprimet e veta duhet t’i bind pjesëtarët e komuniteteve joshqiptare me sinqeritetin dhe dëshirën për pajtim. Jemi dëshmitarë të faktit se deklaratat e tilla nuk i kontribuojnë bashkëpunimit dhe se elita politike në Prishtinë nuk është e gatshme edhe më tutje që të pranojë kërkesat legjitime dhe të drejtat e komuniteteve të tjera.

Organizatat të cilat e kanë mbështetur këtë komunikatë:
– 120 organizata dhe individë të komuniteteve joshumicë dhe anëtarë të Rrjetit Strategjik Aksional Kosovar – RRSAK (http://www.kpan-ksam.net/index.php?option=com_content&view=article&id=55&Itemid=62&lang=en),
– Qendra për orientim të shoqërisë – QOSH Kosovo, Shtërpce
– Instituti për zhvillimin e shoqërisë civile “Innovate” – Leposaviq
– Produksioni i lirë – Novo Brdo
– Qendra për zhvillim të komunitetit – Kllokot.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here