Senatorja afro-amerikane në garë për presidente të SHBA-së

0

Kamala Harris, senatore nga Kalifornia, me profesion juriste, e cila ka shërbyer si prokurore e përgjithshme e shtetit të Kalifornisë, njihet për pyetjet e forta drejtuar kandidatëve të Presidentit Trump për poste kabineti. Tani ajo do të njihet edhe si kandidate presidenciale.

Senatorja shpalli të hënën synimet për të garuar në zgjedhjet presidenciale të 2020. Ajo u zotua “të bashkoj të gjithë zërat tanë,” si platformë elektorale. Nëse fiton, Harris do të bëhej e para grua presidente e SHBA dhe pas Barak Obamës, e dyta e përkatësisë racore afrikano-amerikane që shërben në postin më të lartë ekzekutiv në SHBA dhe rolin më të fuqishëm në botë.

Harris, bijë e imigrantëve të vendosur në Okland të Kalifornisë është një ndër pretendentët e hershëm demokratë që shpallin synimet për të garuar. Pritet që një numër i madh pretendentësh të shpallin kandidaturën në muajt në vazhdim, raporton VOA.

54-vjeçarja Kamala Harris e prezantoi veten si një kandidate e dedikuar për drejtësi, dinjitet dhe barazi në një video të publikuar nga fushata e saj. “Këto janë vlerat që kemi të shtrenjta ne si amerikanë dhe këto vlera janë të rrezikuara aktualisht. Brezi i ardhshëm i ka varur shpresat tek ju dhe miliona të tjerë që të bashkojmë zërat për të luftuar për vlerat amerikane”.

Senatoret Elizabeth Warren nga Masaçusets dhe Kirsten Gillibrand nga Nju Jorku kanë shpallur synimet për të garuar. Senatori Cory Booker nga Nju Xhërsi, Sherrod Brown nga Ohajo dhe Amy Klobuchar nga Minesota mendohet se do të futen së shpejti në garë.

Nëse Senatori Booker hyn në garë, ai do të jetë në një konkurrencë të fortë me Harris për votat e afrikano-amerikanëve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here