Selimi: Thaçi shkon në Beograd

0

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka pranuar parimisht ftesën për të marrë pjesë në një konferencë në Beograd, në fund të muajit prill, ndërsa detyrë e qeverisë në Beograd është që t’i ofrojë siguri të plotë Thaçit, ka thënë zëvendësministri i jashtëm Petrit Selimi.

“E kemi pranuar ftesën për pjesëmarrje në një konferencë në Beograd dhe mund të konfirmoj se Thaçi e ka pranuar parimisht gatishmërinë për të marrë pjesë në ngjarjen përkatësi të shoqërisë civile. Konferenca përqendrohet në të rinjtë dhe në arritjen e paqës në mes popujve të rajonit. Besojmë se kjo ngjarje është e rëndësishme si për Republikën e Kosovës ashtu edhe për Republikën e Serbisë meqë shpresojmë se ekziston vullneti për të ecur përpara drejt integrimeve evropiane”, ka thënë zëvendësministri i jashtëm Petrit Selimi për agjencionin serb të lajmeve “Beta”.

Thaçi është ftuar të marrë pjesë në konferencën “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE: së bashku mund të bëjmë edhe më mirë”, të cilën po e organizon organizata joqeveritare “Komiteti i Edukimit të të Rinjve”.

Selimi ka thënë se Qeveria dhe Policia e Republikës së Kosovës “ka arritur më sukses t’i ofrojë siguri të plotë edhe kryetarit Nikolliq, kryeministrit Vuçiq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Serbisë të cilët e kishin vizituar Kosovën”.

“Shpresojmë se autoritetet në Beograd gjithashtu do të dëshmojnë vullnet për të ofruar të njëjtin trajtim. Natyrisht, nuk janë mysafirët por janë nikoqirët ata që mund të përgjigjen nëse është e mundur që të organizohet kjo vizitë”, është shprehur zëvendëskryeministri Selimi.

Sipas Selimit, këto vizita dhe kontaktet mes politikanëve të profilit të lartë ndihmojnë në vendosjen e atmosferës së mirëbesimit dhe përparimit në Ballkan.

“Zëvendëskryeministri i parë Thaçi asnjëherë më parë nuk e ka vizituar Beogradin, prandaj kjo vizitë mund të shërbejë si një test për të pare se si qëndrojmë sa i përket normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha në fund Selimi.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here