Së shpejti do të përcaktohet vija kufitare definitive me Malin e Zi

0

Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, i themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me Vendimin nr. 12/67, të datës 21.03.2012, në pajtim me nenin 40 të Ligjit për kontrollin e kufirit shtetëror, duke marrë parasysh Rregulloren QRK – nr. 17/2013 për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit dhe legjislacionin përkatës në fuqi ka njoftuar sot se është duke e vazhduar punën për shënjimin e vijës kufitare shtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Në takimin e fundit të mbajtur në Mal të Zi më 27 shkurt 2015, Komisioni shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, sipas këtij njoftimi “me transparencë të lartë e me sukses ka mbledhur, analizuar dhe prezantuar gjithë dokumentacionin kadastral, topografik dhe pronësor për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”. “Burimi i dokumentacionit, të cekur më sipër, është në vazhdimësi, duke filluar nga viti 1931/32, viti 1950, 1974, 1980, 1988, e deri më tani 2015. Komisioni, është duke realizuar detyrën madhore për shënjimin e vijës kufitare, krahas ‘Deklaratës se Pavarësisë 2008’, Pakos të Ahtisaarit (2 shkurt 2007) dhe dokumentacionit tjetër ndërkombëtar, me përgjegjësi të plotë shtetërore, me profesionalizëm të lartë, duke trajtuar çdo pikë të vijës kufitare”, është theksuar në njoftim. “Komisioni ka zhvilluar takime e konsulta edhe me Institutin e Historisë, Arkivin e Kosovës, Agjencionin Kadastral të Kosovës, me ekspertë dhe studiues të profileve të fushave të ndryshme, si dhe me drejtuesit e komunave Pejë, Istog, Deçan, dhe në këtë rrjedhë edhe me qytetarë, pronat e të cilëve shtrihen në zonën kufitare këndej apo andej kufirit”, është shtuar aty. “Duke pasur parasysh rëndësinë e posaçme që ka përkufizimi territorial i Republikës së Kosovës për integritetin dhe sovranitetin territorial të shtetit në rrafshin vendor, evropian dhe ndërkombëtar, Komisioni së shpejti do të përfundoj përcaktimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës të Kosovës dhe Malit të Zi, dhe do t’i paraqitet draft marrëveshja Qeverisë e pas miratimit nga Qeveria edhe Kuvendit të Republikës së Kosovës”, është përmbyllur njoftimi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here