Atentat për herë të pestë ndaj biznesmenit Rudin Haxhia, plagoset rëndë

0

Dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë pasi automjeti me të cilën ata udhëtonin u qëllua me breshëri plumbash.

Ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës në aksin rrugor Bistricë-Sarandë.

Të plagosurit janë Rudin Haxhia, 39 vjeç, dhe kushëriri i tij Klajdi Haxhia, 33 vjeç.

Ata u dërguan me urgjencë në spitalin e Sarandës në gjendje të rëndë. Sipas mjekëve, 39-vjeçari u transportua me helikopter drejt Tiranës pasi ka marrë më shumë plumba dhe është në rrezik për jetën.

Burime nga policia bëjnë me dije se viktimat udhëtonin me një automjet “Ford”, kurse autorët e atentatit me një makinë të zezë. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e kapjen e autorëve. Paraprakisht dyshohet se sulmi është kryer për hakmarrje.

Rudin Haxhia, me origjinë nga Tepelena, ka qenë polic, dhe aktualisht është pronar i diskos “Ecuador” në Sarandë dhe Gjirokastër. Më herët ai u ka shpëtuar katër atentateve me armë e thikë, si dhe i kanë vënë dy herë tritol në disko.

Më 19 shkurt 2008 Haxhia mbeti i plagosur me pistoletë në lagjen nr. 4 Sarandë, më 2 dhjetor u plagos me “Kallashnikov” në lagjen nr. 1, kurse më 18 shkurt të këtij viti i shpëtoi një sulmi me thikë po në qytetin bregdetar. 39-vjeçari ishte shënjestër edhe më 4 prill 2013, kur iu vu tritol poshtë makinës në ecje në Gjirokastër, por pa e lënduar.

Gjithashtu diskot e tij kanë qenë objektiva sulmesh me tritol më 5 gusht 2011 dhe 15 shtator 2013./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here