Salih Kabashi rreth “rastit Haradinaj”: Gjithçka ishte një cirk…

0

Që nga lajmi se në aeroportin Jozhe Puçnik të Lubjanës e ndalën duke ia marrë pasaportën kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, deri te spektaklet patriotike nëpër Prishtinë, përfshirë edhe debatet e zjarrta në parlamentin e Kosovës, në mediat si dhe në rrjetet shoqërore në internet, shqiptarët e Kosovës sollën para nesh imazhet e viteve ’90 të shekullit të kaluar kur Serbia, asokohe vetëm një nga republikat jugosllave, me lëvizjen e saj «antiburokratike» të ngritur e të dirigjuar nga pushteti i Millosheviqit, filluan të ndëshkojnë sllovenët që po i fusnin thikë në shpinë popullit serb me përkrahjen që ata po u jipnin separatistëve shqiptarë në Kosovë dhe në vetë Slloveninë.
Nëpër gjithë Serbinë dhe në Mal të Zi u gjenden nën breshëri gurësh e nën vënie zjarri gjithçka që kishte preardhje sllovene.
Asokohe shqptarët mendonin se për projektin e tyre Kosova Republikë kishin një aleate të padyshimtë, republikën e vogël të anës diellore të Alpeve. Edhe serbët ishin të bindur se miqësia sllovene-kosovare ishte e dukshme dhe se paraqiste rrezik për projektin e saj të «të gjithë serbëve në një shtet» që parashihte aneksime të gjera territorësh në Kroaci e Bosnje…
Edhe atëherë në Beligrad, si tash në Prishtinë, yryshi i parë huliganesk ishte mbi bereqetin e pafajshëm të Zotit – Alpsko mleko-n, qumështin shumë cilësor të prodhuesit slloven, por tash jo për shkak të mbytjes së prodhuesit vëndas të qumshtit…
Kosova nga një ndalim i një bashkëqyetari të saj, ngriti në këmbë, thua se u bë nami e krisi kijameti, krejt badihavxhinjtë e ngelinjtë e saj.
Parlamenti e qeveria sikur u pajtuan me popullin dhe shkallën e patriotizmit e ngritën sipër shkallës së vlimit… «Qysh me na e ndalë Ramushin ju serbofila bre…».
Disa i shqyen kartelat e Bankës së Re lubjanase, mbasi nga aty hoqën lekët e paktë që kishin, të tjerët hoqën e hodhën përtokë duke shtypur me shputat e tyre kartelat e telefonisë Ipko, prapë të tjerë mësynë me njet shumë të keq demolimin e vetë Ambasadës së Sllovenisë…
Shyqyr, nuk është marrë vesh nëse dikush ka hedhur nga dritaret e kateve të larta shporetë, frigoriferë dhe ndonjë aparat tjetër amvisnie të Gorenjës, çfarë kanë pothuajse tê gjitha familjet shqiptare e joshqiptare në Kosovë…
Media e Kosovës u kallën flakë. Thirr e pyet, thirr e jepi gajret Ramushit në aeroport, thua se ai kish mbetë jesirë në dezhela kranjska.
E Ramushi, si politikan i zgjuar, me fjalë të zgjedhura e të fisme e me një gjuhë të matur e diplomatike, «si me kanë me shpatë tuj pre», i bani qerpazë dy qeveri: qeverinë e tij dhe qeverinë sllovene. Njëra palë, kosovarje, sipas tij e përbërë nga «flliqtana» (kjo tashmë njihet si fjalë kallauz e liderit të AAK-së sa herë që ky do t’i shtrijë përtokë ata që urren me shpirt, shpesh edhe pa ndonjë arsye), ndërsa pala sllovene si «nostalgjike» ndaj ish-Jugosllavisë…
Ramushi nuk la pa thënë se sllovenë ka pak, ndërsa shqiptarë janë 7 vilionë, oheeeeee ! Eu, thua se po thërriste nën armë 7 milionë për zhdukjen e asaj race «flliqtane sllovene»…
Interpoli slloven bëri punën e tij. Qeveria e Kosovës e bëri punën e saj. Ministria e jashtme e Sllovenisë i shpjegoi interpolit slloven se z. Haradinaj ishte në një mision diplomatik. Gjykata e Kranjit e mori vesh çka don të thotë kjo depeshë qeveritare dhe, pa vonuar, – solli vendimin fatlum për të gjithë: Ramushit i kthehet pasaporta dhe shpallet i lirë që të kthehet atje ku para dy ditësh kishte ndërmend të shkonte.
Ndoshta në Prishtinë nesër do të organizohet farë pritjeje triumfale për Ramushin. Disa dëme materiale ndodhën në Prishtinë. Por lideri i AAK-së duhet të falënderojë sllovenët që e ndaluan, kështu atij mund t’i jetë rikthyer pak popullaritet në elektorat, të cilin pothuajse e kishte bjerrë fare.
Edhe për diçka do të mund të mbahet mend ky cirk me Haradinajn:
Viktima të para dhe fundi i fundit të vetme të gjithë kësaj maskarade mund të jenë burekxhinjtë e shumtë shqiptarë, pastaj ëmbëltorëxhinjtë, ekmexhinjtë e shitësit shqiptarë të pemëve e zarzavateve nëpër krejt Slloveninë.
Sllovenët vërtetë nuk janë 7 milionë sa qenkan shqiptarë sipas të ndaluarit në Bërnik, por janë shumë të ndjeshëm ndaj fyerjeve në bazë kombëtare. Le ta kujtojmë se sllovenët i thanë të parët stop Millosheviqit dhe projektit serb të sundimit mbi të gjithë të tjerët në ish-Jugosllavi, se të parët nga Ballkani u futën në BE e në NATO…
Ramushi duhet të mendojë nëse ishte maturi dhe mençuri kur krijoi një unison deklarimi me autoritetet serbe lidhur me ndalimin e tij në aeroportin ndërkombëtar Bërnik afër Kranjit. Serbët thanë atë që tha edhe Ramushi: Se Serbia nuk paska asnjë lidhje me ndalimin e tij!
Të thuash diçka të tillë duhet që domosdo të jesh një cirkusant i madh.

 

(Ky shkrim është publikuar në llogarinë e Salih Kabashit në Facebook. Autori është ish i burgosur politik. Ai ka qenë njëri nga bashkthemeluesit e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Lubjanë në vitin 1989 dhe botues e kryeredaktor i revizstave “Alternativa” dhe “Republika” në Lubjanë në fillim të viteve të nëntëdhjeta, të cilat kanë pas ndikim të madh në informimin dhe ngritjen e vetdijes kombëtare shqiptare, në kohën kur mediat e lira në Kosovë ishin ngulfatur dhe fjala e lirë po luftohej ashpër nga regjimi serb)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here