Saimir Tahiri në Guiness: Në 2 vite, PD 884 konferenca shtypi kundër tij

0

Ministri Saimir Tahiri duket se po shkon drejt një rekordi “Guinness”, sa i përket numrit të konferencave të shtypit që një forcë politike organizon kundër një ministri, jo vetëm në Ballkan dhe Europë, por edhe më gjerë. Javanews.al ka zbuluar se në harkun kohor të dy viteve që ai mban postin e ministrit të Brendshëm, PD-ja ka zhvilluar plot 884 konferenca shtypi kundër tij me një mesatare 1.5 konfereca shtypi në ditë.

Një raport përmbledhës tematik për numrin e konferencave të shtypit dhe objektin e tyre, ka nxjerrë në pah shifra vërtetë interesante. 91.2% e konferencave të shtypit të organizuar nga PD-ja që nga momenti që kaloi në opozitë, kanë qenë kundër ministrit Tahiri, 3.8% kanë qenë ndaj institucioneve shtetërore me karakter administrativ, si OSHE, Tatime, Dogana, ndërsa 5% e këtyre konferencave kanë qenë kundër ministrave të qeverisë.

Siç vihet re fare lehtë nga kjo përllogaritje e thjeshtë, Ministri Tahiri dhe institucioni që ai drejton gjendet në top- listën për numrin rekord të konferencave të shtypit që PD ka zhvilluar kundër tij. Numri prej 884 konferencash shtypi është vetëm për daljet zyrtare, që forca politike më e madhe e opozitës ka bërë në selinë e saj qëndrore.

Në këtë numër nuk përfshihen postimet në Facebook që deputetët e PD kanë bërë ndaj tij dhe as debatet apo deklaratat kundër tij që janë bërë në Parlament, që edhe ato janë një rekord më vete.

Tahiri, “fiksim” i PD-së

Ajo që bie në sy në këtë lum konferencash shtypi është fakti se ministri i Brendshëm është sulmuar nga të gjithë deputetët e PD-së. Në mjaft raste, konferencat e shtypit kundër tij nga ana e deputetëve të PD-së kanë qenë dhe në formë stafete me nga dy apo tre dalje në ditë.

Numri i stërmadh i konferencave të shtypit, duke iu referuar teksteve përkatëse, nuk ka sjellë ndonjë larmi gjuhësore nga ana e deputetëve demokratë. Fjalët më të përdorura në këto tekste kundër tij janë: “bandit”, “trafikant”, “I lidhur me krimin”, “drogaxhi”, etj.

Nisur nga ky raport statistikor bëhet mjaft e qartë se krerët e PD-së pjesën dërrmuese të sulmeve që kanë bërë kundër ministrit të Brendshëm, e kanë kthyer deri në mani. Ky fiksim kundër Tahirit duket se ka lënë në hije aktivitetin e shumë ministrive të tjera të qeverisë “Rama”, për të cilat nuk mund të thuash aspak se punët në këto ministri kanë shkuar vaj. Pavarësisht kësaj, Tahiri tashmë ka siguruar një vend në librin “Guinness”, jo për arritjet e tij personale, por falë numrit rekord të konferencave të shtypit që një forcë politike bën ndaj një ministri në harkun e dy viteve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here