Sa ulët mund të veprojmë?

0

IVANA JORDANOVSKA

Në mbrëmjen e 8 majit, forcat policore të Maqedonisë hynë në “Lagjen e Trimave”, pjesë e qytetit verior të Kumanovës. Sipas burimeve zyrtare, policia kishte informacione për një grup terrorist të fshehur në disa prej shtëpive në ketë pjesë etnikisht të përzier të qytetit, që po planifikonte sulme ndaj institucioneve shtetërore. Gjatë gjithë natës dhe të nesërmen, granata dhe të shtëna janë dëgjuar, disa objekte janë djegur dhe civilët po evakuoheshin gjatë gjithë ditës.

Derisa po shkoja me makinë nga aeroporti për në qytet, pata një mendim që nuk mund t’i ikja: Kush do të përfitonte nga kjo krizë? Me sa kam njohuri për politikën lokale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, kjo krizë, dhe sidomos rrëfimi që po përhapet, ishte fare e pakuptimtë. Marrëparasysh se kam jetuar në këtë qytet për më shumë se 19 vite, ky pretekst bëhet edhe më i pakuptimtë. Terroristët nuk mund të kenë pritur të fitonin mbështetje nga shqiptarët locale. Pra, kush do të përfitonte?

“Asgjë nuk i ngjanë zhvillimeve të vitit 2001.” – tha një mik imi i cili ishte dikur pjesëtar i forcave reserve që morën pjesë në konflikt. Ne të gjithë e kemi fare të freskët vitin 2001. Atëbotë bëhej fjalë më shumë sesa vetëm baruti në ajër. Bëhej fjalë për frikën nga “tjetri”, një neveri e hapur për ata që flasin një gjuhë tjetër dhe mosbesim në mesin e shumicës së qytetarëve. Gjithnjë e më shumë shqiptarë po vendoseshin në qytet, duke blerë tokë kryesisht në periferitë jugore të qytetit, që njihet si “Lagja e Trimave”.

Çdo admirues i Agatha Christie e di rregullin e parë në hetimin e një krimi: Gjeni motivin. Nxitimi drejt përfundimit se ky është një konflikt etnik përbën një keqkuptim flagrant të situate politike në vend, patronizuese dhe, thjesht, një budallalëk. Megjithatë, ekziston një grup që ka një përfitim të qartë nga zhvillimet e kësaj krize.

Ministria e Brendshme maqedonase pretendon se grupi po planifikonte një sulm ndaj institucioneve shtetërore. Nëse një grup i huaj terrorist po infiltrohej në shtet për luftime, qeveria do të duhej të shpallte gjendje të jashtëzakonshme. Një gjendje e jashtëzakonshme lejon masa të posaçme, të tilla si ora policore ose heqja e së drejtës për të protestuar. Dhe, çfarë po ndodhë në Maqedoni së fundi? Protesta.

Që disa muaj më parë, partia në pushtet VMRO-DPMNE ka qenë nën një trysni të vazhdueshme publike pasi që partia opozitare LSDM nisi publikimin e bisedave të regjistruara në mënyrë të paligjshme nga policia sekrete, biseda këto të cilat zbardhën mashtrime dhe keqpërdorime të jashtëzakonshme të psuhtetit nga figurat udhëheqëse politike të VMRO-DPMNE-së. Paralelisht, pakënaqësi e përgjithshme po manifestohej përmes një sere protestash për çështje të ndryshme. Pati protesta kundër një ligji kundërthënës mbi arsimin e lartë, ligjin e ri për tatimet, reforma e shkollës së mesme, burgosja e padrejtë e gazetarit Kezarovski por edhe si njëformë e zemërimit publik për vdekjen e vajzës së re, Tamara, së cilës, për shkaqe burokratike, i ishte vonuar operacioni që do t’i shpëtonte jetën. Disa prej këtyre grupeve protestuesish kanë përkrahur disa nga kauzat e tjera, por asnjë temë nuk ka qenë aq ndezëse sesa bisedat e regjistruara në mes të zyrtarëve të lartë qeveritarë për vrasjen e Martin Neshkoskit.

Martin ishte një 21-vjeçar, përkrahës i VMRO-DPMNE-së, i cili u rrah për vdekje nga një polic, në tubimin triumfues të partisë së tij pas zgjedhjeve të vitit 2011. Pasi që vdekja e tij u bë publike, mijëra të rinjsh dolën në rrugë për të protestuar kundër brutalitetit policor dhe kërkuan dorëheqjen e ministrës së brendshme, Gordana Jankulovska. Ministria pretendoi se polici ishte jashtë detyrës, prandaj nuk do të kishte asnjë përgjegjësi politike dhe kështu Jankulovska edhe sot e kësaj dite është ministre. Por, bisedat e publikuara tregojnë se Jankuloska e kishte fshehur faktin se polici e kishte ndjekur një urdhër verbal nga një person që nuk kishte qenë eprori i tij, duke dëshmuar kështu se zinxhiri komandues në polici është plotësisht i manipuluar në favor të individëve të fuqishëm.

Që nga 5 maji ka pasur protesta masive për çdo ditë, para institucioneve në kryeqytet. Grupe të ndryshme janë shkrirë në një lëvizje kundër qeverisë. Policia kufizon lëvizjen e protestuesve çdo ditë në vijim. Protestuesit po i përgjigjen dinamikës së ndryshuar duke u bërë gjithnjë e më të organizuar. Nga dita e parë, provokuesit janë identifikuar dhe janë marrë masa nga protestuesit për t’i mbajtur protestat paqësore. Megjithatë, policia ka treguar shumë pak përmbajtje dhe orvatje për t’i mbajtur protestat paqësore. Kulmi i protestave është planifikuar për 17 maj, kur opozita e bashkuar do të mbajë një tubim.

Dhe dikush mund të mendojë se kjo është vetëm një teori konspiracioni. Çfarë lloji i një qeverie do të ishte i gatshëm për të nxitur dhunë për të qëndruar në pushtet? Një lloj qeverie që ka tepër shumë për të humbur. Keqpërdorimi i pushteti nga kryeministri dhe aleatët e tij më të ngushtë është i pështirë dhe i gjithëpranishëm. Ata kanë manipuluar zgjedhjet, kanë marrë ryshfet, kanë përgjuar më shumë se 20,000 qytetarë, i kanë shantazhuar bizneset, kanë njollosur përmes medieve, i kanë burgosur kundërshtarët politikë, kanë ushtruar kontroll mbi gjyqësorin dhe kanë keqpërdorur fuqinë e tyre për të mirën e tyre personale financiare. Dita kur ata të heqin dorë nga pushteti do të jetë dita kur ata do të mbahen përgjegjës për qindra padi. Dhe pa mbështetjen e prokurorit të tanishëm publik, asgjë nuk do t’u mbetet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here