Sa milionë euro i fiton Shqipëria nga UEFA nëse kualifikohet në “Euro 2016”?

0
Ekip i kombetares se Shqiperise, duke pozuar, ne ndeshjen e futbollit ndermjet ekipeve kombetare Shqiperi-Zvicer, 1-2, e vlefshme per kualifikueset e Boterorit te Brazil 2014, e luajtur ne stadiumin Qemal Stafa.

Shqipëria ndodhet vetëm pak metra larg kualifikimit në “Euro 2016”, teksa “Play-Off”-in e ka siguruar.  Tashmë që ndodhet shumë pranë ëndrrës, FSHF ka filluar të bëjë edhe llogaritë për shpërblimet.  Shqipëria do të ‘lundrojë’ në miliona Euro ose miliarda Lekë nëse do të kualifikohet në kampionatin Europian që do të zhvillohet në Francë më 2016. Kampionati Europian është mjaft fitimprurës për çdo  ekip që arrin që të kualifikohet, pasi UEFA, të drejtat televizive, por edhe sponsorët e ndryshëm sjellin perfitime marramendëse, sidomos për federata të vogla, si në rastin konkret të Shqipërisë. Vetëm për  fazën e grupeve për kualifikueset Shqipëria mori 5 milionë Euro.

Pas një investigimi, gazeta Shiptarja.com” ka arritur të mësojë se nëse Shqipëria do të arrijë që të kualifikohet në kampionatin  Europian do të mbushë arkat fillimisht me 12 milionë Euro. Pra, çdo ekip që do të jetë në mesin e 24  kombëtareve në Francë në Qershorin e vitit të ardhshëm do të arkëtojë 12 milionë Euro, pa shtuar këtu  të ardhurat nga sponsorët e ndryshëm, të cilët nuk janë të paktë në evente të tilla. Fitimet nuk  mbyllen me kaq, pasi për çdo fitore në grup çdo ekip do të fitojë 1 milion Euro, teksa barazimi llogaritet  në vlerën e 500 mijë Eurove. Nga një llogaritje e thjeshtë Shqipëria nëse siguron pjesëmarrjen mund të shpërblehet me mbi 15 milionë Euro, duke përfshirë ecurinë jo më shumë se faza e grupeve dhe  sponsorët, teksa baza fillon nga 12 mln Euro, ndërsa me plus 5 mln Eurot e grupeve shifra arrin 20 mln  Euro. UEFA llogaritet që për pjesëmarrësit në kampionatin Europian të shpërndarë afro 300 milionë  Euro.

Ndërsa fituesi i kampionatit Europian të Francës llogaritet që të përfitojë 30- 35 milionë Euro.

Skema e ndarjes

UEFA është kthyer në një minierë ari, që nga njëri edicion i kualifikueseve në tjetrin qarkullon miliona  Euro. Në Europianin e vitit 2000 u shpërndanë 109 milionë Euro, 4 vite më pas në 2004 plot 202 milionë Euro, 2008 rritje e lehtë me 205 milionë Euro,në 2012 u rrit me 2015 milionë Euro, ndërsa më 2016 llogariten 300 milionë Euro që jepen për pjesëmarrësit. Në Europianin e Polonisë dhe Ukrainës çdo ekip  që u kualifikua në fazën finale, teksa atëherë ishte sistemi me 16 ekipe fitonte fillimisht 8.5 milionë Euro.

Barazimi në grup ishte 500 mijë Euro dhe fitorja 1 milion Euro. Ekipi që përfundonte i treti në  grup përfitonte 1 milion Euro plus. Ndërsa ekipet që kalonin në çerekfinale fitonin 2 milionë Euro, në gjysmëfinale 3 milionë Euro, fituesi i finales 7.5 milionë Euro dhe humbësi 4.5 milionë. Por UEFA ka  paralajmëruar se shpërblimet për ekipet pjesëmarrëse do të jenë më të mëdha se në 2012, pasi të ardhurat në krahasim me 2012 do të jenë 50% më të larta. Rritja e të ardhurave vjen nga interesimi më i  madh se para 4 vitesh dhe sistemit me më shumë ndeshje, pasi kampionati i Francës do të jetë për herë të parë me 24 ekipe pjesëmarrëse, raporton Shqiptarja.com. UEFA llogarit që të gjenerojë 450 -500 milionë Euro, teksa më 2012  arriti 300 milionë Euro.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here