Sa me rëndësi është ajo e shkretë votë!!!

0

Ylli MANJANI

Ndjesë për cinizmin, por realisht Edi Rama është në të drejtën e tij.

Është votuar, siç thotë dhe vetë ai “si më i miri prej të gjithëve”, për të qenë në krye të vendit i vetëm.

U votua pa asnjë rresht program elektoral dhe pa asnjë premtim të vetëm. Ndaj sot e sa të marrë frymë në atë karrige pushteti, nuk ka detyrim t’i japë llogari politikisht askujt.

Përsëri kërkoj ndjesë për cinizmin, por kjo është e vërteta! Politikisht ai ska asnjë arësye të japë llogari. Kërkoi vota për tepsi e kusi, kundër kazanëve e legenëve, por jo për të qeverisur në mënyrë të përgjegjshme.

Dhe i mori ato vota.

Tani është në habitatin e vet. Ndjehet si mbret që mund të bëjë ç’të dojë, jo vetëm me ministrat por me vendin, me ekonominë, pasurinë e paratë e tij.

Ky është realiteti në të cilin Ai jeton.

Që të vijojë të jetojë i qetë në këtë realitet i mjafton vetëm të mbajë kundërshtarët politikë të përçarë e të dobët. Gjithashtu i duhet të presë ndonjë kokë brenda oborrit, që guxon të ngrihet mbi stekën imagjinare që ka vendosur.

Kurse me popullin Ai vijon t’i tregojë përralla duke i dalë përballë me tuta e brekushe…

Shumë njerëz publikë thonë se është “i sëmurë mendor”. Ndoshta është, por për një gjë jam i bindur: Ai nuk është budalla!

Duke ndryshuar masivisht qeverinë sapo ka veshur brekushet e radhës për të hyre në zgjedhje me ta. Kaq vlejnë këto ndryshime, sa një palë brekushe elektorale.

Ai është në rol dhe në sjelljen e tij, për të cilën është VOTUAR. Skandalet, vjedhjet, largimet masive të njerëzve, dhunimi i Kushtetutës e ligjeve, eliminimi i kundërshtarëve, izolimi i vendit nga perëndimi e gjëma të tjera si këto janë pjesë e jetës së tij politike me të cilat Ai nuk turpërohet, por krenohet.

Prapë ndjesë për cinizmin, por Ai duhet ta çojë deri në fund marrëzinë e tij.

Mbase kështu, më në fund njerëzit do ta kuptojnë sa e rëndësishme është VOTA!

Kjo nuk është më çështje e një partie kundër një tjetre, por është marrëdhënia bazë e shtetasve me pushtetin e vet. VOTA është mjeti që i fryn ose rrëzon pushtetet!

Protestat, demonstratat e shprehjet e pakënaqësisë publike kundër qeverisë nuk mjaftojnë nëse kjo e fundit votohet!

Vit të ri të mbarë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here