Rugova i falsifikuar

0

MILAZIM KRASNIQI

Kam lexuar këto ditë disa tekste të çuditshme, të disa autorëve nga Shqipëria, për figurën e Ibrahim Rugovës. Më duken të çuditshme, sepse tingëllojnë të shkruara me një frymëzim të fortë fetar. Njëri prej këtyre teksteve, “Ibrahim Rugova- prijësi i keqkuptuar”(Telegrafi, 23 janar 2106) i Agron Gjekmarkajt, spikatë posaçërisht përnga frymëzimi i tillë. Ky tekst është i ngulfatur nga simbole e mistifikime fetare, sipas të cilave lihet të nënkuptohet se Rugova madje e dinte të fshehten, ishte shëmbëllim i Moisit (Musait), nxënës i Bogdanit, shëlbyes, e kishte fjalën me “ frymëzim shpirtëror”. Përmendet edhe pastrimi në lumin Jordan (ndonëse kursehet me mospërmendje Gjon Pagëzori.) Kundërshtimet ndaj Rugovës krahasohen me nxjerrjen e syve të ikonave!
Vërtet, nuk e marr vesh çka është gjithë kjo përçartje. Ibrahim Rugova ka jetuar e ka vepruar mes nesh, me ne. Jemi me dhjetëra njerëz që kemi punuar më të e që jemi gjallë dhe dimë cila ka qenë natyra e tij, shijet e tij, botëkuptimi estetik e fetar, po edhe dobësitë e tij si njeri e si politikan. E kuptoj që në përvjetor thuhen fjalë të zgjedhura e të kujdesshme, por nuk e kuptoj pse tentohet të falsifikohet e gjithë e vërteta. E pra, e vërtetë si drita e diellit është se projekti për pavarësimin e Kosovës me mjete paqesore, ka pësuar disfatë, ndërsa liria e Kosovës është arritur me mjete ushtarake (me ndërhyrjen e NATO-s.) sikundër që pavarësia e Kosovës është proklamuar pas vdekjes së Rugovës, me nje proces shumë të komplikuar të negociatave ndërmjet Kosovës, Serbisë e komunitetit ndërkombëtar. Ibrahim Rugova ka pasur meritat e tij konkrete në gjithë procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Por, as roli i tij i madh nuk ka pse mistifikohet me nocione e figura fetare, siç bën Gjerkarkaj.
E drejta, Ibrahim Rugova ka qenë dhe është udhëheqësi më i mirëkuptuar në historinë tonë. Shqiptarët e Kosovës e kanë mirëkuptuar Rugovën edhe kur ka dështuar. Prandaj teza e Gjekmarkajt se Rugova paskësh qenë a na qenkësh ende i keqkuptuar, është e pasaktë dhe thjesht është falsifikim.Vetë Ibrahim Rugova i tekstit të Agron Ghekmarkajt është tërësisht i falsifikuar. Rugova në politikë nuk ka qenë dishepull i Pjetër Bogdanit, po partner i amerikanëve në procesin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe riorganizmit të Ballkanit, duke e futur pjesën më të madhe të tij, pra edhe Shqipërinë e Kosovën, nën ombrellën e NATO-s. Ka qenë gjeopolitika, që e ka përcaktuar fatin e Kosovës, e jo ndonjë farë “sintonie shpirtërore” e një personi.
E fundit: secili person është i lirë të shkruajë çfarë të dojë e si të dëshirojë, meqë këtë e bënë në përgjegjësinë e vet morale e intelektuale. Pra, edhe për Rugovën sigurisht janë të lirë të shkruajnë edhe ata që nuk e kanë njohur, që nuk kanë bashkëpunuar me të, që nuk i kanë lexuar veprat e tij e madje që nuk i kanë lexuar as dokumentet e shumta që janë në dispozicion e që hedhin dritë mbi personalitetin dhe veprimtarinë e tij politike e shtetërore. Por, kur veprojnë ashtu, duke falsifikuar, e ekspozojnë veten keqaz në raport me të vërtetën. Në atë mënyrë u zbulohen edhe motivet e fshehta, për të cilat në të vërtetë edhe e bëjnë gjithë atë falsifikim. Kaq tash për tash.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here