Rrjedhja e sekretit: dikush të shkarkohet për “Kumanovën”

0

BURIM RAMADANI

Unë shpresoj se këtu është përgjegjësia individuale. Pra, neglizhencë, joprofesionalizëm dhe papërgjegjshmëri!E për këtë, dikush duhet të shkojë në shtëpi! Të shkarkohet! Më mirë të shkojë dikush në shtëpi se Kosovës t’i përshkruhet përgjegjësia shtetërore!

Përgjegjësia nuk është vetëm për veprimin. Përgjegjësia është edhe për mosveprimin.

Dhe, dikush nga institucionet e Kosovës ka përgjegjësi për “Kumanovën”. Ose ndonjë individ i institucioneve, ose krejt institucionet.

Personalisht, do të doja që përgjegjësia të drejtohet tek individi apo individët! Fort shpresoj që Kosova të mos merr përgjegjësi shtetërore për këtë! Kjo do të ishte shumë e dëmshme për subjektivitetin shtetëror të Kosovës.

Dhe, për këtë, udhëheqësit e institucioneve duhet të tregojnë dhe veprojnë sa më shpejt! Ose, të adresojnë përgjegjësinë për dështimin e institucioneve dhe t’i shkarkojnë përgjegjësit, ose ta marrin vet përgjegjësinë dhe të shkojnë në shtëpi!

Sepse, institucionet e kanë ditur se diçka edhe mund të ndodh! E ka ditur edhe Qeveria, edhe MPB-ja, edhe AKI-ja, edhe Policia. Ndoshta, jo në detaje! Kuptueshëm!
Sidoqoftë, nuk kanë bërë asgjë për të mos lejuar humbjen e jetës së njerëzve, lëndimet trupore dhe dëmtimet e shtëpive!

Kanë përgjegjësi për këtë! Mos të mundohen të fshehin plotësisht të vërtetën!
Shtetet e ndryshme janë përballur me këso situatash, në periudha të ndryshme. Por, kanë adresuar përgjegjësinë dhe kanë marrë masa për përgjegjësinë e individëve. Për më tepër, kanë marrë masa për të forcuar sistemin e sigurisë, funksionalitetin e tij dhe komunikimin ndër-institucional.

Në rastin tonë, diçka nuk po shkon! Diçka nuk po përshtatet me asnjë lloj logjike institucionaliste dhe funksionale. Nuk është e mundshme që edhe ta kenë ditur, edhe të mos kenë vepruar, edhe të mos kenë përgjegjësi, edhe të rrjedhin informacionet sekrete në publik, edhe të vazhdojnë njëjtë sikur nuk ka ndodhur gjë.

Duhet ta kemi të qartë se ky rast mund të keqpërdoret dhe abuzohet nga armiqtë e Kosovës për të akuzuar Kosovën për “eksportim të dhunës dhe destabilitetit”. Kështu mund të bëjë fare thjesht Rusia dhe shtetet mbështetëse të saj, qoftë tash në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, qoftë në forume tjera të rëndësishme.

Janë disa pyetje që shefat qeverisës në Kosovë duhet t’i përgjigjen:
1. Si është e mundur që “Raporti i AKI-së” i shkurtit 2015 doli në publik, sipas të gjitha gjasave nga zyret e Qeverisë, dhe askush nuk e mori përgjegjësinë apo ndëshkimin për rrjedhjen e atij Raporti (dokument i klasifikuar!)?

2. AKI nuk e mohoi vërtetësinë e Raportit, derisa Kryeministri mohoi të ketë pasur informacion?

3. A e dini që rrjedhja e një dokumenti të tillë të klasifikuar është vepër e rëndë penale dhe dënohet me dhjetëra vjet burg?

4. Kush ishte ai i “mençuri” apo ajo e “mençura” që bëri rrjedhjen e atij Raporti të klasifikuar në publik? Duke bërë kështu, ai apo ajo i dha përgjegjësinë shtetërore Kosovës për mosveprim? A e kuptoni këtë?!

5. Pse nuk po funksionin sistemi i ruajtjes së dokumenteve të klasifikuara në institucionet e Kosovës?
6. Si është e mundur që shteti i Kosovës nuk po mundet as informacionet e veta sekrete t’i ruajë?
7. Pse nuk është shkarkuar dhe proceduar penalisht ai apo ajo që e ka bërë këtë vepër të rëndë penale dhe anti-shtetërore?

8. A është hapur hetim për rrjedhje të informacionit sekret?
9. Në sa duar tek Zyra e Kryeministrit dhe institucionet tjera kalojnë raportet sekrete të AKI-së?

10. A janë të verifikuar ata persona që kanë qasje në raporte sekrete? Sepse, në këtë rast, kanë bërë sulm të rëndë ndaj shtetit të Kosovës!

Në versionin që qeveritarët e kanë ditur:
11. Si është e mundur që fare nuk kanë vepruar Qeveria (kryeministri), Ministri i Punëve të Brendshme, Policia?

12. Si është e mundur që njëherë thonë kemi pasur informacione, e më pas thonë s’kemi ditur gjë?
13. Si është e mundur që institucionet e sigurisë kanë mbajtur takime të rregullta me palën maqedonase për muaj të tërë dhe kanë folur pikërisht për këto çështje, e më pas thonë nuk kemi pasur dijeni?

14. Cila është përgjegjësia shtetërore?
Në versionin që qeveritarët nuk e kanë ditur:
15. A do të kërkohet llogaridhënie nga udhëheqja e institucioneve që kanë për obligim t’ju informojnë me kohë dhe profesionalisht?

16. A do të kërkohet llogaridhënie nga udhëheqja dhe përgjegjësit e institucioneve që e kanë për obligim zbatimin e ligjit?

17. Cila është përgjegjësia morale politike në tërë këtë?
Të mos harrojmë se këtu po bëhet fjalë për vendosjen e shtetit të Kosovës në një gjendje ku shtizat e akuzave të armiqve të Kosovës do të mund të hidhen pandërprerë.
Unë shpresoj se këtu është përgjegjësia individuale. Pra, neglizhencë, joprofesionalizëm dhe papërgjegjshmëri!
E për këtë, dikush duhet të shkojë në shtëpi! Të shkarkohet, nëse nuk jep dorëheqje!
Më mirë të shkojë dikush në shtëpi se Kosovës t’i përshkruhet përgjegjësia shtetërore!

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/oped/rrjedhja-e-sekretit-dikush-te-shkarkohet-per-kumanoven-103205/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here